Sport

PUSHTETI & PARAJA / “Fytyra” tjetër e kampionit Uli Hënes

Peter Schneider*

Uli HenesEshtë një njeri i ardhur nga shtresat e ulëta, me një origjinë modeste, si Gerhard Schroederi, është një njeri i “shqyer” prej kontradiktave, Uli Hënesi i joshur prej parasë dhe evazionit ai që dua t’ju rrëfej. Dhe në të njëjtën kohë, është edhe ai pjesë e kësaj Gjermanie ku, shumë më tepër se sa në Itali apo disa shtete të tjerë, njerëzit janë të bashkuar nga një sens i caktuar përgjegjëshmërie ndaj ligjit dhe interesit kolektiv.

Tani, para njerëzve, Uli Hënes është një njeri me dy fytyra. Prej kohësh është i famshëm për bujarinë e tij: ka dhënë shumë para për bamirësi, ka ndihmuar skuadrat e të varfërve, dhe nëse një futbollist hynte në krizë apo gjendej në vështirësi, ishte gjithmonë në krah të tij. Dhe nga ana tjetër, ka qenë njeriu që për shumë kohë ka luajtur bixhoz me anë të spekulimeve në Zvicër, me shuma të mëdha të padeklaruara, deri sa ka grumbulluar një borxh shumë të madh ndaj Financës. Askush nuk e di se cfarë ka ndodhur në mendjen e tij, askush nuk e kupton se si një menaxher ekspert si ai, ka mundur të humbasë kontrollin e punëve të tij. Që nga origjina modeste, tek karriera verbuese, tek rënia: është drama në të cilën ai, bavarezi “self-made”, u zhyt vetë. Uli Hënes, si Gerhard Schroeder dhe pjesërisht Joshka Fisher, ka qenë një fytyrë e atyre “nënproletarëve” që u ngjitën në majat e establishmentit.

Eshtë një realitet i vecantë, i ndryshëm nga vendet e tjerë, dhe shenjon një brez, sot mes 60 dhe 70 vjec që – ndoshta me përjashtimin e pjesshëm të Joshka Fisherit – është gjendur psikologjikisht i papërgatitur për të përballuar një sukses dhe pushtet personal shumë të madh.

Edhe më shumë se sa paraja, pushteti i jashtëzakonshëm që patën tronditi tek ata kriteret dhe sensin e masës. Mendoni Schroederin, sot një shërbyes i bindur i padronit Putin. Në mendje lind një marrëdhënie e vecantë me pushtetin. Në rastin e ish kancelarit, ka magjepsur pushteti i jashtëzakonshëm në duart e Putinit. Në mendjen e Hënesit, pushteti për të luajtur me ato shuma të mëdha e ka shtyrë drejt një loje të marrë. Por historia e Hënesit ka të bëjë edhe me krizën financiare botërore, dhe me shifrat e mëdha që sot duken normale, kur i paguhen futbollistëve apo liderëve të shoqërive futbollistike.

Duke parë dramën e Hënesit, duhet të pyesim edhe se cfarë është bërë futbolli. Mjafton të mendosh se sa paguajnë skuadrat për të blerë futbollistë, për të kuptuar se e gjithë shoqëria e ka humbur sensin e masës.

Hënesi nuk ishte një cinik, kur në shfaqjet televizive sulmonte kapitalizmin neoliberal e të paskrupullt: ishte dhe është një personalitet i dyfishtë, një lloj Dr. Jekyll dhe Mr. Hyde. Nuk do të habitesha nëse tani, kur të ketë shumë kohë në dispozicion, do të lëshojë – ndoshta duke shkruajtur një libër – një akuzë kundër sistemit të parasë që ka joshur atë vetë, atë që ndiente gjithmonë dhembshuri për të varfërit, të pafatët, dhe që bashkëekzistonte me Hënesin tjetër që luante bixhoz me fonde të errët në Zvicër. Bënte evazion, por e ruante zemrën për të varfërit. Unë nuk kam qenë asnjëherë një fans i tij, sepse kam parë gjithmonë në politikën e Bajernit, blerjen e gjithë futbollistëve më të mirë të cdo skuadre, me cdo cmim, metamorfozën e futbollit nga një sport origjinal në një konkurrencë kapitaliste. E megjithatë, dicka në Gjermani funksionon ndryshe, prandaj dhe zgjedhja e tij për të pranuar dënimin në emër të dinjitetit dhe përgjegjësisë meriton respekt. Sa i ndryshëm është ky Uli Hënesi nga një Berluskoni që deklarohet gjithmonë i pafajshëm dhe fyen gjykatësit. Jo, Hënesi vihet përballë përgjegjësive të tij, gjunjëzohet para një sistemi që pranon pushtetin e drejtësisë, në një mënyrë që nuk njihet gjetkë.

Hënesi që kërkon të shkojë në burg është një qytetar i Gjermanisë ku shumë ministra kanë dhënë dorëheqjen “vetëm” se janë akuzuar për kopjim të tezës së doktoraturës. Sa politikanë, sipas kritereve të ngjashëm, do të duhej të zhdukeshin nga parlamentët e shteteve të tjerë? Eshtë një shembull i pranimit të pushtetit të gjyqësorit, që në vende të tjerë do të ishte i dëshirueshëm. Tek ne ka një konsensus civil: shumica e qytetarëve mendon që është e drejtë të paguhen taksat, edhe sepse shteti të bën dicka.

Eshtë e tmerrshme kur humbet besimi tek shteti dhe mendon që kush të takson, të vjedh. Dhe kur, si në Itali apo në Francë, kërkohet gjithmonë të fajësohen të tjerët, ose shteti, në vend që të pyesësh, sic thoshte Kennedy, cfarë mund të bësh ti për shtetin.

Konsensusi civil gjunjëzoi edhe Hënesin. E mori ai iniciativën që të lërë cdo detyrë tek Bajerni, dhe të refuzojë të bëjë apelim. Eshtë një njeri i veprimit, dhe jam i sigurtë që kur të mbarojë dënimin sic ka kërkuar, o të kthehet në drejtim të Bajernit. Bavarezët e kanë falur tashmë, dhe ndonëse e dënojnë shkeljen që ka bërë, e shohin sërish si hero. Pikërisht disfata në gjykatë, për mënyrën se si e pranoi, mund ta transformohet në prologun e një rikthimi të tij.

* Peter Schneider është një prej shkrimtarëve më të njohur gjermanë

Leave a Reply

Back to top button