Bota

Putin: Do të ketë pasoja tragjike! Turqia po vë NATO-n në shërbim të ISIS-it

2742089 11/20/2015 November 20, 2015. Russian President Vladimir Putin holds a video conference with Russian military personnel engaged in the Syria operation. Michael Klimentyev/Sputnik

Udhëheqësi i Kremlinit, Vladimir Putin ka lajmëruar se rrëzimi i një avioni ushtarak rus nga ana e forcave të armatosura të Ankarasë, “do të ketë pasoja tragjike në marrëdhëniet mes Rusisë dhe Turqisë”. Teksa takonte mbretin e Jordanisë, Putini ka thënë se avioni nuk e kishte shkelur kufirin.

“ Të gjitha provat që kemi në dispozicion na tregojnë se avioni ynë nuk shkeli hapësirën ajrore turke. Veprimi i palës turke ka qenë i qëllimshëm. Fakti që nuk na telefonuan pas incidentit, por lajmëruan menjëherë një takim urgjent të NATO-s, tregon se Turqia kërkon që e gjithë NATO të vihet në shërbim të Shtetit Islamik”, tha Putini.

Ai shtoi se nuk do të rrijë duarkryq. “ISIS përveç ndihmës ekonomike, tani ka një shtet dhe një popull dhe një ushtri në shërbimin e vet. Ky incident do të ndikojë negativisht dhe do ketë pasoja tragjike në marrëdhëniet mes dy vendeve. Turqia do të marrë prej nesh atë përgjigje që meriton”, ka thënë presidenti rus, para takimit me Mbretin Abdullah.

Turqia e ka qëlluar pas shpine Rusinë duke rrëzuar avionin dhe ka vepruar si bashkëpunëtore e terroristëve, tha Putin.

“Trupat tona po luftojnë heroikisht kundër terroristëve, duke rrezikuar jetët e tyre. Por humbja që pësuam sot erdhi nga një thikë pas shpine, që na u dha prej bashkëpunëtorëve të terroristëve”, tha Putini.

Putini tha se avioni rus ishte goditur nga një gjuajtës turk teksa fluturonte në lartësinë 6000 metra, plot 1 kilometër larg nga kufiri turk. Ai u godit nga një raketë ajër-ajër, e cila u lëshua prej një avioni turk F-16. Vendi i rrëzimit është 4 kilometra larg nga kufiri, dhe avioni nuk paraqiste rrezik për sigurinë kombëtare të Turqisë, theksoi ai.

Putini tha se avioni kishte në shënjestër terroristët në provincën e Latakias në Siri, shumë prej të cilëve vinin nga Rusia.

Rusia ka qenë prej kohësh e informuar për naftën që, nën kontrollin e terroristëve, shkonte nga Siria në Turqi. Paratë e shitjes financojnë grupet terroriste, shtoi Putini.

“Shteti Islamik ka shumë para, qindra-miliona dollarë, nga shitja e naftës. Por ata mbrohen edhe nga ushtria e një kombi të tërë. Mund të kuptohet pse ata po veprojnë kaq guximshëm. Përse vrasin njerëz në mënyra kaq mizore. Përse angazhohen në akte terroriste kudo në botë, madje në zemër të Europës”, deklaroi udhëheqësi rus. /Bota.al

Leave a Reply

Back to top button