Timothy Ash
Sinjale të qarta po vijnë si nga Moska ashtu edhe nga Uashingtoni lidhur me luftën në Ukrainë.
Së pari, me bombardimin e Këshillit të Ministrave në Kiev gjatë fundjavës, dhe vetëm disa ditë pas sulmeve pranë zyrave të BE-së dhe Këshillit Britanik në Kiev, Moska po tregon se Rusia dëshiron të vazhdojë luftën. Ky ishte një “karton i kuq” për përpjekjet e paqes, por më e rëndësishmja, për përpjekjet europiane për të krijuar një mburojë sigurie rreth Ukrainës, sapo të arrihet një armëpushim.
Sulmet në Kiev dërguan një mesazh të qartë për Europën: çdo forcë perëndimore e vendosur në Ukrainë nuk do të jetë e sigurt – përkundrazi, do të jetë objektiv i Rusisë.
Pas këtyre sulmeve, supozoj se qeveritë perëndimore do t’u thonë ministrave dhe zyrtarëve të tyre se siguria e tyre në Kiev dhe Ukrainë nuk mund të garantohet më. Moska po përpiqet të trembë Perëndimin që të tërhiqet nga përpjekjet për të mbështetur Ukrainën dhe nismat për paqe.
Së dyti, tani duhet të jetë e qartë: administrata e Trumpit nuk ka asnjë synim të vendosë sanksione të reja, apo ndonjë kosto, mbi Rusinë, apo agresorin. Tashmë jemi mbi gjashtë muaj pas ardhjes së administratës Trump, e cila premtoi fundin e luftës në Ukrainë për 24 orë, pastaj për 100 ditë, dhe tani, pas SHTATË afatesh të dhëna nga Trump për Putinin, SHBA-ja, nën Trumpin, ka nxjerrë ZERO sanksione ndaj Rusisë.
Në përpjekjen e fundit për ta zvarritur çështjen, Sekretari amerikan i Thesarit, Bessent, tha se SHBA është e gatshme t’i bashkohet Europës në sanksionimin e Rusisë, por vetëm pasi Europa të ndalojë së bleri energji ruse. Një argument i drejtë në teori, por aleatët e Trumpit, Orban dhe Fico, janë në vijën e parë të shteteve të BE-së që ende varen nga importet e energjisë ruse.
Ata me shumë gjasë do të vënë veton ndaj çdo përpjekjeje të BE-së për të shkuar drejt zero importeve energjetike nga Rusia, duke i lejuar kështu Trumpit të zvarrisë marrjen e masave të duhura për të vendosur sanksione shkatërruese mbi Rusinë.
Europa është përgjegjëse që i ka dhuruar Trumpit një justifikim për të mos e sanksionuar më tej Rusinë: duke mos ndërprerë importet e energjisë dhe duke mos financuar plotësisht Ukrainën përmes sekuestrimit të aseteve ruse të ngrira. Ka një boshllëk si në lidership ashtu edhe në mendimin strategjik europian.
Por të shohësh është të besosh: si në rastin e Putinit që angazhohet seriozisht në bisedime për paqe, ashtu edhe në rastin e Trumpit që merr realisht masa për të penalizuar Rusinë dhe ta detyrojë të ulet në tryezën e negociatave.
E vërteta e hidhur është kjo: si Trump ashtu edhe Putin duken sikur duan që kjo luftë të vazhdojë. / në shqip nga bota.al