Analiza

Putini nxorri zbuluar se “ku i pikon çatia” Europës

MATTHEW KAMINSKI

putin doorTabelat me shkrimin e famshëm të logos së “Solidaritetit” thonë: “25 vite liri”. Teksa Polonia feston një përvjetor shumë të rëndësishëm, të zgjedhjeve të para pjesërisht të lira të qershorit 1989 – fillimi i fundit për komunizmin në Europë – jeta duket e bukur. Polakët janë më të pasur dhe më të sigurtë se sa kanë qenë në çdo kohë gjatë gjysmë mijëvjeçarit të fundit. E megjithatë, në mesin e festimeve dallohet një ndjesi ankthi. Nga cilido drejtim që të shikoni, do ta kuptoni përenë.

Në lindje, Rusia është në marshim drejt Ukrainës. Pas një përshkallëzimi të dhunës gjatë fundjavës që kaloi, Kremlini ndërpreu eksportet e gazit për Kievin ditën e hënë, duke i bashkëngjitur një armë ekonomike, asaj ushtarake që tashmë e kish vënë në punë. Skenarët më të këqinj janë Jugosllavia e viteve 1990, një perandori proto-sovjetike e rigjallëruar, ose të dyja bashkë.

Megjithatë, surpriza më e madhe e krizës së muajit mars në Krime erdhi nga perëndimi, me reagimin e heshtur të Berlinit ndaj agresionit rus, si dhe refuzimin prej tij të thirrjeve të Varshavës për një përgjigje më të fortë nga ana e NATO-s.

Gjuha gjermane ka një frazë të re për qasjen e politikës dhe biznesit: Russlandversteher (“të kuptosh Rusinë”). Më shumë se gjysma e gjermanëve thonë se e kuptojnë aneksimin e Krimesë nga Putini, si dhe konfliktin e përgjakshëm që po nxit në Ukrainë – pjesërisht duke fajësuar mbështetjen e Amerikës për demokratët e Kievit, që provokuan Kremlinin. Një numër afërsisht i njëjtë gjermanësh kundërshton sanksionet ndaj Rusisë. Linja retorike më e ashpër e Angela Merkelit kundër Putinit gjen shumë pak mbështetje në Gjermani.

Gjatë 25 viteve të fundit, polakëve u është thënë se Gjermania e re do t’i mbronte. Pas ribashkimit të Gjermanisë dhe zgjerimit në lindje të BE dhe NATO-s, garancia që ofrohej ishte: “Kur gjermanët hedhin sytë në Lindje, ata shohin Perëndimin” – domethënë Poloninë. Gjermania ka marrëdhënie tregtie dhe investimesh, më shumë me Poloninë se sa me Rusinë. Qasja e kohëve të fundit e Berlinit të kujton një kohë kur Gjermania ndante Europën Qendrore me Rusinë. Askush nuk po flet për një tjetër ndarje të Polonisë, por është kthjelluese të dëgjosh zyrtarët polakë që ankohen më shumë për Berlinin se sa për Moskën.

Më tej në Perëndim, ndarjet e kontinentit sa vijnë e zmadhohen. Francezët po vazhdojnë me shitjen tek Rusia të dy mjeteve detarë për lëshim raketash Mistral, me vlerë 1.6 miliardë dollarë, pavarësisht kundërshtimeve të Uashingtonit dhe aleatëve të rinj të NATO-s në Poloni dhe shtetet balltike. Britania ka shitur City of London bashkë me shpirtin e saj, në këmbim të parave të pista të rusëve.

Në jug të Polonisë janë miqtë “e lagur” brenda të ashtuquajturit Grupi i Vishegradit, themeluar në 1991. Sulmi i Rusisë në Ukrainë praktikisht e vrau këtë klub të përbërë nga katër shtete të Europës Qendrore. Ndërkohë që Polonia kërkonte me ngulm ngritjen e bazave të përhershme ushtarake të NATO-s në Europën Qendrore, Ministri i Mbrojtjes i Republikës çeke, Martin Stropinsky kujtoi muajin që kaloi pushtimin sovjetk të Cekosllovakisë në vitin 1968, për të shpjeguar kundërshtimin e tij.

Pasi presidenti Obama, që nga Varshava bëri thirrje për rotacion të njësive ushtarake amerikane në të gjithë rajonin, Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, vendi i të cilit varet nga Rusia për 100% të nevojave për gaz natyror, përjashtoi mundësinë e pjesëmarrjes së vendit të tij. Duke marrë krahasimin qe bejne çekët mes NATO-s dhe Paktit të Varshavës, i cili eshte i paarsyeshëm moralisht dhe historikisht, ai tha: “Sllovakia ka përvojën e saj historike me pjesëmarrjen e trupave të huaja”. Dhe ndërsa Hungaria bëhet më nacionaliste dhe autoritare nën udhëheqjen e Kryeministrit Viktor Orban, edhe ajo është futur në kampin e atyre që e kuptojnë Putinin. I vetmi aleat solid i Polonisë është Estonia, me një popullsi prej 1.3 milion banorë.

Suksesi i partive të ekstremit të djathtë në zgjedhjet e majit për Parlamentin Europian ishte një tjetër dhuratë për Moskën. Fronti Nacional i Francës dhe partia Jobbik e Hungarisë iu bashkohen nostaligjikëve sovjetikë dhe antiamerikanëve në të majtë, për të krijuar një koalicion të madh proPutin në Europë.

Paqja dhe stabiliteti në Europë merren të mirëqena, por ato janë një përjashtim historik. Përpara 1991-shit, asnjë prej shtatë fqinjëve të Polonisë nuk ekzistonte në formën që ka sot. Të gjithë ata kanë patur marrëdhënie gjaknxehta me Varshavën.

Polonia është i vetmi vend i BE dhe NATO-s që është në kufi edhe me Rusinë, edhe me Ukrainën.

Supozohet që anëtarësimi në BE e ftohu disi proamerikanizmin legjendar të polakëve. Por vini re pritjen jubilare që Varshava i bëri Obamës, ndonëse në Poloni ai njihet si njeriu që tërhoqi raketat mbrojtëse të Amerikës nga Polonia për hir të “rifillimit” të marrëdhënieve me Rusinë.

Polakët po e vendosin sigurinë e tyre të ardhshme në duart e NATO-s dhe SHBA, dhe ata po rrisin shpenzimet për mbrojtjen si një lloj parapagimi. Mendohet që, pas kësaj që ndodhi në Ukrainë, polakët duhet ta harrojnë besimin tek një Gjermani tërësisht perëndimore. Dhe risjellin përcaktimin për NATO-n, që dominonte gjatë Luftës së Ftohtë: Një aleancë që i mban rusët jashtë, gjermanët poshtë dhe amerikanët në Europë.

Sulmi i Putinit në Ukrainë e ndau kontinentin jo përgjatë linjave Lindje-Perëndim, apo sipas asaj që thoshte Donald Rumsfeldi, “Europa e vjetër” përballë “Europës së re”. Fajkonjtë e mbrojtjes dhe Atlanticistët e shohin si një pikë kthese, që Europa kërkon një rifuqizim të mbrojtjes si dhe një rikthim të fokusit të Amerikës tek NATO. Duhet fat për ta mbështetur këtë tezë në Bruksel dhe Uashington. Ata që plotësojnë kërkesat e Putinit në kryeqytetet perëndimorë janë të “frikshëm”. /The Wall Street Journal/

Pershtatur ne shqip nga bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close