Deri në fund të vitit, do t’u shtohen më shumë se 40 raketa të reja ndërkontinentale forcave të armatosura atomike ruse. Këtë e bëri të ditur Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin në hapjen e panairit ushtarak në Kubinka pranë Moskës. Këto raketa janë në gjendje që të kalojnë edhe sistemet më moderne të mbrojtjes kundërajrore, tha Putini në bazë të agjencisë ruse të lajmeve RIA-Nowosti. Sipas agjencisë, zëvendësministri i Mbrojtjes Anatoli Antonow e akuzoi NATO-n se po e detyron Rusinë të hyjë në një garë të re armatimi.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi nga ana tjetër pas një takimi me Presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker se “vringëllimi atomar i shpatave” nga ana e Rusisë është “i pajustifikueshëm, destabilizues dhe i rrezikshëm”. “Ne do të përgjigjemi”, bëri të ditur Stoltenbergu duke pasur parasysh rolin e aleancës ushtarake perëndimore. NATO dha siguri se aleanca është në gjendje të ofrojë “mënyra mbrojtjeje për të gjithë aleatët kundër armikut.”
Ministrat e mbrojtjes të NATO-s do të takohen javën e ardhshme në Bruksel për të diskutuar plane të tjera. Ministri amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter pritet t’u japë të dhëna të reja homologëve të tij mbi strategjitë më të fundit të organizatës. Ministri i Jashtëm i SHBA, John Kerry u shpreh para gazetarëve në Uashington i shqetësuar për planet ruse.
Për shkak të luftimeve në Ukrainë, raporti midis Rusisë dhe NATO-s është rënduar së tepërmi. Më shumë se 6000 vetë e kanë humbur jetën në konfliktin midis Kievit dhe kryengritësve. Perëndimi e akuzon qeverinë e Moskës se i mbështet me armë dhe ushtarë separatistët prorusë, gjë që Rusia nuk e pranon. Armëpushimi midis Kievit dhe kryengritësve i nënshkruar në mars të këtij viti nuk ka sjellë rezultat. Kjo i ka bërë shtetet perëndimore t’u përmbahen sanksioneve ndaj Moskës dhe të fortifikojnë kufijtë e tyre me Rusinë.
Në fundjavë u bë e ditur që SHBA kanë në plan të zhvendosin teknikë të rëndë luftarake në vendet evropianolindore të NATO-s. “Nuk kemi mundësi të tjera” i tha të martën ministri lituanez i Mbrojtjes, Jouzas Olekas agjencisë së lajmeve Reuters. Olekas tha se duke mos bërë asgjë, vendi i tij i bën ftesë një agresioni nga Rusia. Ai e krahasoi situatën në vendin e tij me gjendjen në Ukrainë.
http://www.dw.de/putini-rusia-do-të-zgjerojë-arsenalin-e-armëve-bërthamore/a-18521446