Tensionet vazhdojnë mes Ankarasë dhe Moskës. Jo vetëm që një zëdhënës i Kremlinit ka bërë të ditur se Vladimir Putini nuk do të takojë presidentin turk Erdogan, gjatë punimeve të samitit të klimës, por vazhdojnë të fluturojnë dhe akuza të rënda mbi problemin e avionit të rrëzuar. Rusia – ka deklaruar presidenti rus Vladimir Putin – ka arsye “të dyshojë se avioni Su-24 është rrëzuar për të siguruar furnizime të paligjshme të naftës, nga ISIS për Turqinë”. Lajmin e ka bërë të ditur agjencia Tass. “Kohët e fundit kemi marrë informacine të tjera që konfirmojnë se, nafta e ardhur nga zonat e kontrolluara prej ISIS-it i jepet Turqisë në shkallë industriale”, ka shtuar Putini, duke përsëritur akuzat për mbështetjen e saj financiare për terroristët.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me qëllimet e Moskës për të formuar një koalicion të gjerë antiterrorizëm, presidenti rus ka vazhduar se “këtë kemi kërkuar gjithmonë”. Por, ka shtuar ai, “kjo nuk mund të bëhet, ndërkohë që dikush vazhdon të përdorë organizata të ndryshme terroriste për të arritur objektivat e veta”.
Dhe presidenti turk, Erdogan, ka thënë se është i gatshëm të japë dorëheqjen, nëse deklaratat e Putinit konfirmohen, gjithmonë sipas Tass. “Eshtë imorale të akuzosh Turqinë se i blen naftë ISIS-it. Nëse ka dokumenta, duhet t’i paraqesin, t’i shohim. Nëse kjo gjë demonstrohet, unë nuk do të qëndroj më në detyrë. Dhe ia them Putinit: po ai, a do të qëndrojë në detyrën e tij?”, ka thënë Erdogani për shtypin ndërkombëtar, gjatë zhvillimit të punimeve të konferencës për klimën në Paris./Bota.al