Bota

Qëndrimi në BE është zgjidhja më e rrezikshme. Analiza e kryebashkiakut të Londrës

Fushata për të qëndruar në BE, duke përfshirë edhe sekretarin britanik të Thesarit, në mënyrë aktive po hedh poshtë perspektivat që ka vendi

Screen Shot 2016-03-01 at 09.02.20

Nga Boris Johnson

“Daily Telegraph”

A jeni frikësuar? A nuk kanë folur ende me ju? Tanimë është e qartë, se fushata për të vazhduar qëndrimin në BE ka për qëllim të provokojë vetëm një emocion në gjirin e publikut britanik, dhe kjo është frika. Ata duan që ne të shkojmë në referendum, me vetëdijen se duam t’u bindemi urdhrit të euro-elitave, dhe të votojmë për të qëndruar në Bashkimin Evropian.

Ne mund ta pranojmë, në rrafshin intelektual, se sistemi është i pareformuar, shpesh i korruptuar, dhe gjithnjë e më anti-demokratik. Ne mund ta pranojmë se në rast se na u kërkua të bashkohemi tani, për herë të pare ne nuk do të ëndërrojmë të veprojmë kështu. Në një farë niveli, ne e kuptojmë se nëse votojmë për të qëndruar, do vazhdojmë të mbetemi të bllokuar si pasagjerët në ndenjësen e pasme të një minitaksie endacakësh, me një shofer që nuk mund të flasë anglisht dhe që po na çon pa ndonjë brejtje ndërgjegje dhe në mënyrë të kushtueshme në drejtim të gabuar.

Por kampi i atyre që mbështesin qëndrimin, llogarit se kur bëhet fjalë për zgjedhjen – mes daljes tani, ose qëndrimit nën një organizëm përherë e më shumë detyrues – ne do të frikësohemi; nuk do të rrëzikojmë; dhe do të rrimë me djallin që e njohim. Për të na inkurajuar drejt këtij vendimi, ata janë duke bërë një seri pohimesh të diskutueshme.

Na është thënë se Brexit do të jetë një kërcënim për ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar. Sapo pamë spektaklin kurioz të sekretatit të Thesarit, që këmbëngulte në rishkrimin e deklaratës së përbashkët të G20-ës, për të përfshirë një referencë të mundshme të “troditjes” që do të shkaktohej nga një Brexit – sigurisht është hera e parë që një vend e përdor një forum ndërkombëtar për të folur mbi kërcënimin e perspektivave të veta ekonomike.

Agjentët e Projektit të Frikës – dhe ata duket se janë kudo – na kanë paralajmëruar se dalja nga BE-ja do të rrezikonte funksionimin e policisë, bashkëpunimit gjyqësor dhe të inteligjencës me vendet e tjera. Ne theksohet edhe se Brukseli ka qenë përgjegjës, gjatë 70 viteve të fundit, për “ruajtjen e paqes në Evropë”. Në çdo rast, mesazhi është se Brexit është thjesht shumë i frikshëm; dhe realiteti është se këto kërcënime janë ekzagjeruar aq shumë, sa që po bëhen absurde.

Në fakt, unë jam gjithmonë e më i bindur, se rreziku i vërtetë është të rrimë duarkryq dhe të mos bëjmë asgjë, që të mbetemi të palëvizshëm dhe të kënaqur në një BE të pareformuar, dhe që është e vendosur për realizimin e një projekti federal, mbi të cilin ne nuk kemi asnjë kontroll.

Merrni të ashtuquajturat rreziqe ekonomike. Mos harroni, kur ju i peshoni ato me sjelljet e njerëzve që tanimë lëshojnë paralajmërime apokaliptike kundër Brexit, janë shpesh të njëjtët (siç e ka vënë në dukje edhe ish-guvernatori i Bankës së Anglisë, Mervin King), me ata që profetizuan katastrofën nëse Britania dështonte t’i bashkohej euros.

Në fakt, e kundërta doli të ishte e vërtetë. Ishte euro që u dëshmua si një makth, një makineri  ekonomike apokaliptike që është ende duke shkaktuar rritje të ulët ekonomike, papunësi të lartë dhe mjerim të vërtetë në disa vende evropiane. Monedha e përbashkët, është edhe shkaku i tensioneve ndërmjet vendeve evropiane, dhe e një retorike virulente e të ndyrë, të cilën nuk e kishim parë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ne patëm trazirat anti-gjermane në Greqi; pamë djegien e portreteve të Angela Merkelit në Greqi. Në Francë, marrëdhëniet me Gjermaninë janë thuajse në pikën më të ulët të epokës së pasluftës, dhe mbështetja për Frontin Kombëtar, është më e larta e të gjitha kohrave. Në vend se ta njohë këtë fatkeqësi për atë që është – rezultat i një plani tejet centralizues për të shkrirë ekonomitë e ndryshme në një – BE-ja është e vendosur për të vazhduar ecjen në drejtim të gabuar.

Fransua Holond, është duke bërë thirrje për një parlament të ri federal të eurozonës, dhe ka plane të qarta për t’u përpjekur të shpëtohet euro, duke krijuar një bashkim gjithnjë e më të ngushtë politik dhe fiskal, me pasoja ligjore që do ta prekin edhe Britaninë, edhe pse ne jemi jashtë eurozonës. Ne jemi në prag të një tjetër hapi të ri të madh centralizues – një hap në errësirë – që do të thotë më pak demokraci, më pak llogaridhënie, dhe për këto arsye një rrezik edhe më i madh për zhgënjim, dhe shpërthimin e mundshëm të krizave të reja politike dhe ekonomike.

Nuk është Brexit ai që paraqet rrezikun ndaj ekonomisë; është euro, dhe përpjekjet federalizuese për ta shpëtuar atë, kërcënimi i vërtetë afatgjatë për sigurinë dhe stabilitetin. Sa për idenë se BE-ja është në një farë mënyre garantuesi ushtarak i paqes në Evropë – mbani mend se çfarë ndodhi kur unionit iu besua zgjidhja e krizës jugosllave.

Kujtoni Ukrainën. Është NATO dhe aleanca atlantike ajo që e mbështet sigurinë tonë, siç e përmend në një shkrim të tijin edhe Gjeneral Major Xhulian Tompson. Pretendimet e BE-së në këtë sektor janë në rastin më të mirë konfuze, dhe në rastin më të keq inkurajojnë mosangazhimin amerikan.

Së fundmi, është thjesht e pavërtetë të thuhet se dalja nga BE do ta bëjë të pamundur për ne që të zhvillojmë normalisht aktivitetet tona në inteligjencë, kundërterrorizëm apo polici. Të gjitha këto operacione mund të kryhen në një nivel ndërqeveritar, siç në fakt ka ndodhur kohët e fundit. Përkundrazi është Gjykata Evropiane e Drejtësisë, me fushëveprimin e saj të ri të zgjeruar mbi Kartën e të Drejtave Themelore, që është duke ia bërë më të vështirë punën shërbimeve të sigurisë – qoftë për të dëbuar vrasësit apo monitoruar të dyshuarit si terroristë.

Natyrisht është Evropa pa kufij, ajo që e bën atë shumë më e lehtë lëvizjen e armiqve tanë. Sikurse e vuri në dukje ish-kreu i Interpolit, Ronald K. Nobël, zona e Shengenit është “si një shenjë mikpritëse e terroristëve në Europë”. Cilatdo qofshin rreziqet e Brexit, ato janë eklipsuar nga problemet e mbetura tek një konstrukt politik, i cili ka ndryshuar identitetin e vet që kur ne iu bashkuam në vitin 1972.

Ajo çfarë duhet të bëjmë tani, është të forcojmë guximin tonë dhe të shkojmë përpara drejt ndryshimit. Ne kemi nevojë për një partneritet të ri dhe një marrëveshje të re me miqtë tanë në BE, në bazë të tregtisë dhe bashkëpunimit, por pa këtë aparat mbikombëtar që është aq shumë i vjetëruar dhe që nuk është imituar askund tjetër në botë.

E sotmja është një mundësi që na vjen vetëm një herë në jetë, për të aktivizuar demokracinë tonë, shkurtuar burokracinë, kursyer 8 miliardë paund në vit, kontrolluar kufijtë tanë dhe arritur marrëveshje të reja të tregtisë me ekonomitë në rritje, të cilat aktualisht janë të ndaluara. Vota për t’u larguar nga BE, do të ishte diçka e mirë për Britaninë, dhe e vetmja mënyrë për të ndërgjegjësuar BE-në mbi reformat për të cilën ajo ka nevojë. Le të quajmë këtë Projekti i Shpresës. /Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button