Bota

REBELIMI I NATYRES / Viruset që na vijnë nga mizoria jonë ndaj kafshëve

Sars, gripi i shpendëve, gripi i derrit, sindromi i lopës së çmendur, ebolavirus, coronavirus dhe mbase (kush e di) hiv: këto të këqija të tmerrshme të kohëve tona, burojnë të gjitha nga monstruozitetet që njeriu u shkakton specieve të tjera.

Në ferma, në tregje, në laboratorë, duke i detyruar të hanë njëra tjetrën, duke i bërë të jetojnë dhe ngordhin në kushte të pabesueshme, duke ia nënshtruar eksperimenteve më të tmerrshme. Në pamundësi për t’u rebeluar, miliarda kafshë, së bashku me Planetin, i nënshtrohen tmerrit, por diçka për të cilën zakonisht refuzojmë të ndërgjegjësohemi, të ngushëlluar nga sistemet e mëdha të konsumizmit që na ftojnë të vazhdojmë me sipërfaqësinë tonë, ndodh domosdoshmërisht.

Ja pra që në tregjet e ndyra, ku janë grumbulluar qen, mace, gjarpërinj, këlyshë ujku, lakuriqë nate, dhelpra, majmunë, të gatshëm për t’u rrjepur të gjallë për të kënaqur shijet ushqimore të miliona e miliona kinezëve, një popull me të cilin kemi shkëmbime të forta, i pranishëm kudo me dyqanet dhe restorantet e tij, shpërthen një rebelim i ri natyror. Pas SARS-it, që u shfaq për herë të parë në nëntor 2002 në provincën e Guandong, dhe që u pasua në fund të vitit pasardhës nga një epidemi e gripit të shpendëve, sot koronavirusi dramatik përhap vdekje dhe frikë, por mbase jo reflektime të mjaftueshme.

Në fillim të mijëvjeçarit, u dogjën masivisht gjela dhe pula, të “akuzuar” për transmetimin e sëmundjeve, dhe shumë pak u desh për nxjerrjen e urdhërit për të mos vrarë zogj shtegtarë. Në kohën e encefalopatisë spongiforme të gjedhit ose bse, e identifikuar në Britaninë e Madhe në vitin 1986, por që shpërtheu në vëmendjen e publikut rreth vitit 2000, ferma të tëra u asgjësuan. Vetëm se, trembëdhjetë vjet më vonë, u rilejua mundësia e dhënies miell kafshëve barngrënëse, me përjashtim të gjedhit.

Në fakt, nën shtytjen e interesave ekonomike, disinformimit dhe zakoneve të këqia që pasojnë, nuk ndodh asnjëherë që të ndalemi dhe të bëjmë një hap prapa, sa i përket vetë faktit të rritjes, kapjes, vrasjes dhe ngrënies së kafshëve. Dhe nuk ka nevojë të shkosh në Azi sepse që në vitin 2015, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka kodifikuar dëmet e mëdha të mishit, potencialisht kancerogjen sa edhe materiale të tilla si asbesti, arseniku apo benzeni.

Ja pra ku ndodhemi, në një Tokë që digjet, lëkundet, lëngon dhe qan, dhe na nxjerr zbuluar plagë gjithnjë e më të vështira për t’u shëruar, nëse nuk i dedikohemi që të paktën të kuptojmë. / La Repubblica – Bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button