Nga Ana Palacio *
Madrid- “Annus horribilis” (viti i tmerrshëm) 2016 është tashmë pas shpinës tonë. Por kuotat e tij më të ulëta – vota e Mbretërisë së Bashkuar për të lënë Bashkimin Evropian, zgjedhja e Donald Trampi si president i Amerikës, mizoritë e vazhdueshme në Siri – qenë thjesht simptomat e procesit të shpërbërjes së sistemit global të bazuar tek rregullat liberale, që filloi shumë kohë më parë. Mjerisht, këto simptoma tashmë janë duke përshpejtuar shembjen e sistemit.
Për vite të tëra, rendi liberal ka qenë nën tendosje. Ndoshta më e dukshmja, ka qenë një mungesë e progresit në zhvillimin e institucioneve dhe instrumenteve ligjore. Me pak fjalë, jemi përpjekur të përshtatim shtyllat rrethore të fuqisë globale të shekullit XXI, në vrimat katrore të institucioneve të pas Luftës së Dytë Botërore.
Artikektura aktuale reflekton një epokë të shkuar, ku si Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara apo Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, minojnë legjitimitetin e institucioneve globale, dhe aftësinë për t’iu përgjigjur sfidave të reja. Kjo ka nxitur një zhvendosje drejt mekanizmave joformalë si G-20, dhe institucioneve të reja të paprovuara si Banka Aziatike e Infrastrukturës dhe Investimeve. Një qasje më e mirë, duhet të synojë rritjen e përfaqësimit të ekonomive në zhvillim tek institucionet ekzistuese. Ajo gjithashtu do të kërkojë një përfshirje më të madhe të aktorëve jo-shtetërorë, si organizatat e shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e biznesit, në proceset e vendimmarrjes ndërkombëtare.
Por sfidat shtrihen përtej mekanikës institucionale, që kanë shqetësuar shumicën e komentatorëve, përfshirë edhe mua. Bërthama filozofike e këtij rendi liberal ndërkombëtar është dobësuar , me idetë themelore që dikur cilësoheshin prodhime të botës moderne – tregtia e lirë, demokracia, të drejtave e njeriut – dhe që sot janë në tërheqje apo nën kërcënim.
Derikur ta njohim dhe trajtojmë këtë realitet, rendi liberal botëror që ka sjellë paqe dhe prosperitet të paprecedentë në botë gjatë 7 dekadave të fundit, do të vazhdojë të rrënohet. Liberalizmi dhe rendi ndërkombëtar që e ka mbështetur, janë një produkt i Iluminizmit. Ato i kanë rrënjët në besimin tek progresi i pandalshëm njerëzor, në konceptin e një vizioni dhe drejtimi të përbashkët universal – të përqëndruar tek vënia nën kontroll e natyrës- me diktatin e vetë-interesit racional që duhet ndjekur.
Në këtë pikëpamje, sundimi i ligjit, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe tregtisë janë mekanizmat për ecjen përpara të njerëzimit , edhe kur rruga fillon e bëhet me pengesa. Sot, fatet tona janë më të ndërthurrura se kurrë më parë, por ndjenja themelore që ne kemi një qëllim të përbashkët ka humbur, pasi idetë tona mbi atë se kush duhet të jetë ai qëllim, duket se është sfiduar – madje mohuar.
Ne tanimë e dimë se burimet që mbështesin përparimin tonë, nuk janë të pakufizuara, dhe se planeti ynë s’mund të mbështesë një numër gjithnjë në rritje të popullsisë, me mënyrat e jetesës që kanë shoqëruar historikisht prosperitetin. Mekanizmat universaliste, s’mund të funksionojnë si duhet, pa një bazament të etikës universale, objektivave dhe pritshmërive.
Ajo çfarë ato mund të bëjnë, është të ushqejnë pakënaqësinë dhe konfliktin, dhe siç e kemi mësuar në vitin 2016, të nxitin njerëzit të refuzojnë racionalitetin dhe mohojnë realitetin. Kjo është shumë shqetësuese, dhe duhet të trajtohet.
Hapi i parë është njohja. Në vend të kapjes pas retorikës dhe dogmave të Iluminizmit, ne duhet të njohim kufijtë e botës sonë, dhe të zhvendosim vëmendjen nga pushtimi tek ruajtja e saj. Ky është vizioni i përbashkët dhe drejtimi i nevojshëm, për të përkrahur një rend të ri modern global.
Hapi tjetër, është një vlerësim i asaj asaj se çfarë duhet të presim nga ky realitet i ri – dhe zhvillimin e parametrave të reja për matjen e suksesit. Ne nuk mund të supozojmë që brezat e ardhshëm do të kenë më shumë, por ne mund të punojnë për ta që të kenë më të mirën. Për këtë qëllim, politika duhet të bazohet jo tek treguesit e topitur të ndryshimit agregat, si PBB-së dhe të dhënat neto të tregtisë, por në metrika më të nuancuara që ofrojnë një tablo më të qartë të shpërndarjes së pasurisë, arsimit dhe cilësisë së jetës.
Hapi i tretë është të sillemi gjithë në të njëjtën varkë. Në botën e sotme, qasjet e përbashkëta janë të domosdoshme për të adresuar sfidat, si dhe për të krijuar mundësi të reja. Asnjë sasi e retorikës nacionaliste apo ndjenje anti-tregtare nuk mund ta ndryshojë këtë. Sigurisht, edhe pa sistemet efektive ndërkombëtare të mbështetura nga një qëllim dhe etikë universale, komuniteti ndërkombëtar do të duhet të bashkëpunojë për të trajtuar sfidat që mund të dalin.
Por, shanset janë, që një bashkëpunim i tillë do të vijë vetëm pasi një problem të ketë pasur një ndikim shumë të fuqishëm, mbi interesin e perceptuar të aktorëve individualë. Rreziku këtu është i dyfishtë. Së pari, mungesa e normave universale, e dënon botën të jetë gjithmonë reaktive. Rezultati është një model i paefektshëm dhe destabilizues i krizë-përgjigjes – dhe nuk ka asnjë vizion konstruktiv për të ardhmen. Së dyti, dhe më e rrezikshmja, mungesa e një qëllimi gjithëpërfshirës, përforcon një pamje të ngushtë të vetë-interesit, me vendimet e marra në mënyrë diskrete, në bazë të një vështrimi transaksional më tepër se sa sistemik.
Për një gjë Trump duket i bindur, se një qasje e tillë është pikërisht ajo për të cilën bota ka nevojë. Por ne e dimë se çfarë prodhojnë realisht vendimarrje të tilla të bazara tek vetë-interesi. Në fakt, pasojat e një politike dritëshkurtër, të zhveshur nga vlerat, mund të shihen që tani, në mënyrën më tragjike në Siri.
Rrethimi brutal i Alepsos, ishte kulmimi i 6 viteve retorike boshe dhe gjysmë-masave nga ana e liderve perëndimorë, të cilët dukej se besojnë që krimet e luftës civile në Siri nuk meritojnë një aksion të vërtetë. Siria është një ogur i dystopisë globale. Por fati ynë ka nevojë të mos jetë aq i errët.
Në vend të mbajtjes zi për rendin liberal botëror, sikurse shumëkush është i etur, ne duhet të kërkojmë qëllime të reja të përbashkëta, që mund të bashkojnë një sistem vërtetë global – dhe garantojnë një të ardhme më të mirë për të gjithë.
- Ish ministre e Jashtme e Spanjës / Përkthyer dhe botuar ekskluzivisht nga www.bota.al me autorizim nga Project Syndicate, 2017. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – The Next World Order