Bota

Renditja e “FORBES” / Eshtë Putini udhëheqësi më i fuqishëm në botë. Pas tij, Trumpi dhe Merkeli

Eshtë Vladimir Putini personi më i pushtetshëm në botë për vitin 2016, ose për të katërtin vit radhazi, sipas revistës Forbes.

Në vend të dytë, për revistën, është presidenti i zgjedhur i SHBA, Donald Trump, i ndjekur në vendin e tretë nga Angela Merkeli, në vend të katërt presidenti i Kinës, Xi Jinping, në të pestin Papa Francesku dhe më pas Bill gates. I dhjeti është themeluesi i Facebookut, Mark Zuckerberg, i ndjekur nga presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi.

Në listë, të cilën revista amerikane e publikon në mënyrë të përvitshme prej tetë vjetësh, janë 74 burra dhe gra nga e gjithë bota, mbi të gjitha politikanë dhe biznesmenë, të cilët renditen sipas forcës së ndikimit që ata kanë. Putini zë sërish vendin e parë sepse, sipas Forbes, e ka shtrirë influencën e Rusisë “në çdo qoshe të planetit”, nga Siria në Shtetet e Bashkuara. Sipas revistës, pavarësisht nga fakti nëse del e vërtetë teria, sipas të cilës Kremlini ka ndërhyrë në procesin elektoral në SHBA në favor të Trumpit, fuqia e Putinit “mund të rritet edhe më shumë” gjatë viteve të ardhshme, duke parë që, prej janarit, ai do të ketë një aleat potencial në Shtëpinë e Bardhë.

Sa për Trumpin, ai kalon nga vendi i 72-të që zinte një vit më parë, në vendin e dytë këtë vit: Forbes vë në dukje se, kur ai të marrë presidencën në 20 janar, do të bëhet “i pari president milioner i Shteteve të Bashkuara”; revista kujton se manjati njujorkez, që ka thënë se do ua dorëzojë fëmijëve të tij frerët e perandorisë së tij të biznesit sapo të hyjë në Shtëpinë e Bardhë, ka një pasuri prej 3.7 miliardë dollarësh.

Sa i përket Angela Merkelit, sipas Forbes ajo është “bastioni i fundit i pushtetit liberal në Perëndim”, përballë rritjes së pandalshme të populizmit dhe lëvizjeve të djathta. / www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button