Histori

REPORTAZH / Misteri kush i shkroi dhe çfarë përmbajnë pergamenët e Detit të Vdekur

Kushdo që ka fshehur dorëshkrimet për të mos i gjetur romakët, ka bërë një punë të mrekullueshme. Tekstet në Kumran mbetën të pazbuluar për pothuajse dy mijëvjeçarë. Disa udhëtarë europianë në shekullin 19 ekzaminuan atë që e mendonin se ishte një fortesë e lashtë pa ndonjë interes të veçantë. Më pas, aty rreth vitit 1947, një dhi humbi në një shpellë, një bari beduin hodhi një gur dhe zhurma e përplasjes me një poçe e bëri atë të investigojë më tej. Doli që aty me të parin e afro 15 mijë fragmenteve të afro 850 dorëshkrimeve, të fshehura në shpellat e shumta që ndodheshin në grumbullin e shkëmbinjve mbi Detin e Vdekur

Andrew Lawler

Arkeologu izraelit Juval Peleg e ndal Jeep-in e tij aty ku kodrat judease nisin e pakësohen në një grumbull gurësh. Përpara nesh, përgjatë Detit të Vdekur, dielli lind mbi malet e Jordanisë. Përreth nuk ka pemë, nuk ka bar, vetëm disa mure guri të shembur. Eshtë një rrënim i heshtur – domethënë, deri kur turistët me kapele dhe kasketa nisin e shfaqen me autobusët që shndërrijne.

Ata kanë ardhur në këtë vend të largët në Bregun perëndimor, i njohur si Kumran, sepse pikërisht këtu janë gjetur tekstet më të rëndësishëm fetarë në botën perëndimore, në vitin 1947. Dorëshkrimet e Detit të Vdekur – më shumë se 800 dokumenta me lëkurë kafshësh, papirus e madje edhe bakër të farkëtuar – e thelluan më tej njohurinë tonë për Biblën dhe hodhën dritë mbi historitë e judaizmit dhe Krishtërimit. Mes teksteve ka pjesë të çdo libri të kanunit të hebrenjve – ai që të krishterët e quajnë Testamenti i Vjetër – përveç librit të Esterit. Dorëshkrimet përmbajnë gjithashtu një koleksion himnesh, lutjesh, komentesh, formulash mistike, më parë të panjohura si dhe versionin më të hershëm të Dhjetë Urdheresave. Shumica janë shkruar mes vitit 200 para Krishtit dhe periudhës përpara revoltës së dështuar të hebrenjve për të fituar pavarësi politike dhe fetare nga Roma, e cila zgjati nga viti 66 deri në 70 – pra 8 deri 11 shekuj më herët se sa çdo lloj teksti të Biblës së hebrenjve që njihej deri atëherë.

Shoqëruesit e turistëve nëpër rrënojat në këtë shkretëtirë modeste flasin për origjinën e dorëshkrimeve, një rrëfim që është përsëritur pothuajse që kur ata u zbuluan 60 vjet më parë. Kumrani, thonë shoqëruesit, ishte shtëpia e një komuniteti asketësh hebrenj të quajtur Esenë, të cilët ia kushtuan jetën e tyre shkrimit dhe ruajtjes së teksteve të shenjtë. Ata ishin në punë e sipër, kur Jezusi nisi të predikojë; në fund, ata i vendosën dorëshkrimet në 11 shpella përpara se romakët të shkatërronin vendbanimin e tyre në vitin 68.

Por, tek dëgjon recitimin dramatik, Peleg, 40 vjeç, ngre supet. “Në këtë vend nuk ka asnjë lidhje me Esentët”, më thotë ndërkohë që shohim një fajkua që vjen vërdallë në ajër. Ai thotë se dorëshkrimet nuk kishin fare të bënin me vendbanimin. Provat për një komunitet fetar këtu, thotë ai, janë jobindëse. Ai beson se, hebrenjtë që i largoheshin tërbimit romak i vendosnin në nxitim e sipër dokumentat në shpellat e Kumranit për t’u ruajtur. Pasi ka gërmuar këtu për dhjetë vite, ai beson gjithashtu se Kumrani ka qenë fillimisht një fortesë e ndërtuar për të mbrojtur komunitetin hebre nga rreziku që vinte nga lindja. Më vonë, ai u transformua në një fabrikë poçesh për t’i shërbyer qyteteve aty pranë, si Xheriko.

Studiues të tjerë e përshkruajnë Kumranin një herë si një çiflig të madh, një qendër prodhimi parfumesh dhe madje edhe një fabrikë lëkurësh. Pavarësisht disa dekadave gërmime dhe analizash të kujdesshme, nuk ka konsensus mbi atë se kush ka jetuar aty – dhe, si pasojë, nuk ka konsensus se kush i ka shkruajtur Dorëshkrimet e Detit të Vdekur.

“Eshtë një vend enigmatik dhe që të shkakton konfuzion”, pranon Erisa Levitt Kohn, që në vitin 2007 ishte kuratore e një ekspozite për Dorëshkrimet e Detit të Vdekur në San Diego. Ajo thotë se thellësia absolute dhe mosha e shkrimeve – gjatë një periudhe që kryqëzohet me jetën e Jezusit dhe shkatërrimin e Tempullit të Dytë Hebre në Jeruzalem – e bëjnë Kumranin një “fuçi baruti” mes studiuesve.

Askush nuk vë në dyshim autenticitetin e dorëshkrimeve, por çështja e autorësisë ka pasoja për të kuptuar historinë e Judaizmit dhe të Kristianizmit. Në vitin 164 para Krishtit, një grup disidentësh hebrenj, makabitë, përmbysën Perandorinë Seleukide që sundonte atëherë Judenë. Makabitët krijuan një mbretëri të pavarur dhe, duke bërë këtë, shkundën klasën e priftërinjve që kontrollonin tempullin në Jeruzalem, që nga koha e Mbretit Solomon. Trazirat shkaktuan daljen në skenë të shumë sekteve rivalë, secili prej të cilëve përpiqej për dominim. Nëse tekstet në Kumran janë shkruajtur nga një sekt i tillë, dorëshkrimet “na ndihmojnë të kuptojmë forcat që kanë vepruar pas revoltës së Makabiteve dhe mënyrën se si grupe të ndryshëm hebrenj reaguan ndaj atyre forcave”, thotë profesori i studimeve hebraike në Universitetin e Nju Jorkut, Lorenc Shifman, në librin e tij “Korrigjimi i dorëshkrimeve të Detit të Vdekur”. “Ndërkohë që disa sekte akomodoheshin me rendin e ri në mënyra të ndryshme, grupi i Detit të Vdekur vendosi që duhej të largohej nga Jeruzalemi, me qëllim që të ruante mënyrën e tij të jetesës”.

Dhe nëse Kumrani strehoi vërtetë asketë që i kthyen shpinën asaj që e konsideronin si dekadenca e Jeruzalemit, atëherë Esenët fare mirë mund të përfaqësojnë një hallkë më parë të panjohur mes judaizmit dhe krishtërimit. “Gjon Pagëzori, mësuesi i Jezusit, ndoshta mësoi prej esenëve të Kumranit – ndonëse vetë nuk ishte Esen”, thotë Xhejms Carlsuorth, një studiues i dorëshkrimeve në Seminarin teologjik të Princetonit. Carlsuorth shton se dorëshkrimet “zbulojnë kontekstin e jetës dhe mesazhit të Jezusit”. Veç kësaj, besimet dhe praktikat e Esenëve Kumranë siç përshkruhen në dorëshkrimet e Detit të Vdekur – betimet për varfëri, ritualet e pagëzimit dhe vaktet e përbashkët – pasqyrojnë ato të të krishterëve të hershëm. Kështu, disa e shohin Kumranin si manastirin e parë kristian, si djepin e një feje që po lindte.

Por Peleg dhe të tjerë e marrin me shumë rezerva rolin e Kumranit në historinë e dy besimeve. Norman Golb, profesor i historisë hebreje në Universitetin e Çikagos (dhe një rival akademik i Shifman) beson se sapo Galileja ra gjatë revoltës së hebrenjve, shtetasit e Jeruzalemit e dinin se pushtimi i qytetit të tyre ishte i pashmangshëm; kështu që, ata grumbulluan tekste nga librari dhe koleksione personalë dhe i fshehën në zonat e shkreta përreth Judesë, duke përfshirë edhe shpellat pranë Detit të Vdekur. Nëse ka ndodhur kështu, atëherë me shumë gjasa Kumrani ka qenë një vend laik, dhe dorëshkrimet reflektojnë jo vetëm pikëpamjet e një grupi të vogël disidentësh protokristianë, por një panoramë më të gjerë të mendimit hebre. “Përcaktimi i mëtejshëm i koncepteve individualë dhe praktikave që përshkruhen në dorëshkrime mund të arrihet nëse i shtrëngon këto në shtratin e vetëm sektarian të Esenizmit”, argumenton Gold në revistin Arkeologu biblik.

Një ide që tani pranohet gjerësisht është se shumica e dorëshkrimeve nuk e kanë origjinën në Kumran. Tekstet më të hershëm datojnë në vitin 300 para Krishtit – një shekull përpara se Kumrani të ekzistonte si vendbanim – dhe më të fundit i përkasin një brezi përpara se romakët të shkatërronin vendbaimin në vitin 68. Pak dorëshkrime janë shkruajtur në një greqishte të sofistikuar dhe jo në një formë prozaike të aramaikes apo hebraishtes, gjë që duhej të pritej nga një komunitet asketësh në shkretëtirën e Judesë. Dhe, përse do të duhej një komunitet i tillë të mbante një listë, të gdhendur në bakër, të thesareve të shtrenjtë të floririt dhe argjendit – ndoshta nga Tempulli i Dytë në Jeruzalem – që ishte fshehur diku larg? Ndërkohë, fjala Esenë nuk shfaqet në asnjë prej dorëshkrimeve.

Sigurisht, asnjë prej këtyre nuk përjashton mundësinë që Kumrani ka qenë një komunitet fetar shkruesish. Disa studiues nuk i shqetëson aspak fakti që esenët nuk përmenden në mënyrë eksplicite në dorëshkrimet, duke thënë se termi për këtë sekt është një etiketë e huaj. Shifman beson se ata kanë qenë një grup i copëzuar priftërinjsh që njiheshin si sadukitë. Ideja që dorëshkrimet janë një “koleksion i ekuilibruar i teksteve të përgjithshëm hebrenj” duhet të hidhet poshtë, shkruan ai tek Arkeologu biblik. “Nuk ka prova të mjaftueshme se komuniteti që grumbulloi ata dorëshkrime doli prej konfliktit sektarian dhe që ky konflikt e ruajti përgjatë të gjithë ekzistencës së tij”. Së fundi, çështja se kush i shkruajti ata dorëshkrime ka më shumë gjasa të zgjidhet nga arkeologët që po shqyrtojnë me imtësi çdo mbetje fizike të Kumranit, se sa nga studiuesit që shkruajnë tekst pas teksti.

Dorëshkrimet e Detit të Vdekur kanë magjepsur studiuesit me ngjashmërinë e tyre me versione të mëvonshëm. Por ka edhe shumë dallime, ndonjëherë jo të vegjël. Për shembull, një dorëshkrim shtrihet tek Libri i Zanafillës: në Kapitullin 12, kur bashkëshortja e Abrahamit, Sara merret nga Faraoni, dorëshkrimi përshkruan bukurinë e Sarës, duke përshkruar këmbët e saj, fytyrën dhe flokët. Dhe në Kapitullin 13, kur Zoti komandon Abrahamin që të “përshkojë të gjithë tokën”, dorëshkrimi shton një rrëfim në vetën e parë nga vetë Abrahami për udhëtimin e tij. Bibla e Hebrenjve, ashtu si pranohet sot, ka qenë produkt i një evolucioni të zgjatur; dorëshkrimet ofrojnë të dhëna të shumtë mbi procesin me të cilin teksti është redaktuar gjatë formimit të tij.

Dorëshkrimet parashtronin gjithashtu një seri rregullash të detajuara që sfidojnë ligjet fetarë të praktikuar prej priftërinjve në Jeruzalem dhe që janë përqafuar nga sekte të tjerë hebrenj si Farisejtë. Si pasojë, studiuesit e Judaizmit i konsiderojnë dorëshkrimet një hallkë të munguar mes periudhës kur ligjet fetarë përcilleshin gojarisht dhe epokës Rabinike, që nis diku rreth vitit 200, kur ata rregjistroheshin në mënyrë sistematike – duke çuar më pas në komentet ligjorë që u shndërruan në Talmudin.

Edhe për të krishterët, dorëshkrimet janë një burim depërtimi të thellë. Jezusi nuk përmendet në tekste, por siç ka vërejtur akademiku i Universitetit Ndërkombëtar të Floridës, Erik Larson, dorëshkrimet na “ndihmojnë të kuptojmë më mirë mënyrat se si mesazhi i Jezusit përfaqësonte idetë që ishin aktuale në Judaizmin e kohës së tij dhe mënyrat se ku ato ishin të dalluara”. Një dorëshkrim, përshembull, përmend një figurë mesianike që quhet “Biri i Perëndisë” dhe “Biri i më të Lartit”. Shumë teologë kanë spekuluar se fraza “Bir i Perëndisë” është përshtatur prej kristianëve të hershëm pas kryqëzimit të Jezusit, në kontrast me adhurimin pagan të perandorëve romakë. Por shfaqja e kësaj fraze tek dorëshkrimet tregon se termi ishte tashmë në përdorim kur Jezusi predikonte ungjillin e tij.

Kushdo që ka fshehur dorëshkrimet për të mos i gjetur romakët ka bërë një punë të mrekullueshme. Tekstet në Kumran mbetën të pazbuluar për pothuajse dy mijëvjeçarë. Disa udhëtarë europianë në shekullin 19 ekzaminuan atë që e mendonin se ishte një fortesë e lashtë pa ndonjë interes të veçantë. Më pas, aty rreth vitit 1947, një dhi humbi një një shpellë, një bari beduin hodhi një gur dhe zhurma e përplasjes me një poçe e bëri atë të investigojë më tej. Doli që aty me të parin e afro 15 mijë fragmenteve të afro 850 dorëshkrimeve të fshehura në shpellat e shumta që ndodheshin në grumbullin e shkëmbinjve mbi Detin e Vdekur.

Lufta arabo-izraelite e vitit 1948 pengoi një ekzaminim nga afër të rrënojave në Kumran. Por, pas një paqeje të brishtë që u vendos më vonë, murgu dominikan Roland de Vaux nisi gërmimet në këtë vend dhe në shpellat përreth, në vitin 1951. Gjetjet e dhomave plot hapësira, banjove të ritualëve dhe mbetjeve të kopshteve i befasuan studiuesit dhe publikun. Ai zbuloi gjithashtu shumë shtamba cilindrike, qindra pjata qeramike si dhe tre shishe boje brenda apo pranë një dhome, që sipas konkluzionit të tij dikur kish patur tryeza të larta që përdoreshin nga shkruesit.

Pak përpara se Vaux të niste punën e tij, një studiues polak i quajtur Jozef Milik përfundoi një përkthim të një dorëshkrimi, “Rregulli i Komunitetit”, i cili parashtron një seri rregullash strikte që të kujtojnë ato që ndiqeshin nga një sekt hebrenjsh të përmendur në vitin 77 nga historiani romak, Plakushi Plin. Ai i quante pjesëtarët e sektit Esenë, dhe shkruante se ata jetonin përgjatë bregut të Detit të Vdekur “pa gra dhe duke hequr dorë krejtësisht nga dashuria, pa para, duke patur për shoqëri vetëm palmat”. Bashkëkohësi i Plinit, historiani Flav Jozefi i përmend gjithashtu esenët në rrëfimin e tij mbi Luftën e Hebrenjve: “Ndërkohë që këta njerëz i quajnë kënaqësitë si mëkate, ata e konsiderojnë vetëkontrollin dhe moszhtyjen në pasione si virtyt”. Bazuar në këto referenca, de Vaux konkludoi se Kumrani ishte një komunitet Esenësh, i plotësuar me një sallë ngrënieje dhe një sallë shkrimi – terma mesjetarë për vendet ku murgjit darkonin dhe kopjonin dorëshkrimet.

Ndonëse vdiq në vitin 1971 pa e përfunduar një raport të plotë, panorama e përshkruar nga de Vaux për Kumranin si një komunitet fetar është pranuar gjerësisht mes kolegëve të tij akademikë. (Shumica e materialeve të tij mbi Kumranin mbetet e kyçur në koleksionet privatë në Jeruzalem dhe Paris, dhe shumica e studiuesve nuk mund t’i kenë). Megjithatë, deri në vitin 1980, të dhëna të reja të nxjerra nga vende të tjerë nisën të hedhin dyshime mbi teorinë e tij. “Pikëpamjet e vjetra janë nxjerrë jashtë loje prej zbulimeve të reja”, thotë Golb.

Për shembull, ne tani e dijmë se Kumrani nuk ka qenë vendi i shkretë që është sot. Dy mijëvjeçarë më parë, ka patur një tregti që lulëzonte në rajon; vendbanime të shumtë kishin mbushur bregun, ndërkojë që anije të shumta përshkonin detet. Burimet dhe përrejtë nga kodrat e pjerrëta ishin shfrytëzuar me kujdes për të siguruar ujë të pjshëm dhe për bujqësinë, ndërkohë që palmat dhe bimët e kohës prodhonin rrëshirë të vlefshme që përdorej për parfumë. Dhe ndërkohë që detit me kripëzim shumë të lartë i mungonte peshku, ai ofronte kripë dhe serë, substanca që përdorej në kohërat e lashta për varka dhe tulla. Kumrani nuk ishte aspak një komunitet i vetmuar dhe i largët jokonformistësh fetarë, por një pasuri me të vërtetë e çmuar – një ditë larg me gomar nga Jeruzalemi, dy orë larg në këmbë nga Xheriko dhe njëri prej vendbarnimeve të shumë përgjatë bregdetit.

Dhe një vështrim më nga afër i gjetjeve mbi Kumranin të bëra nga Vaux ngre pikëpyetje mbi panoramën e tij për një komunitet që nuk honepste lukset dhe as paratë. Ai zbuloi më shumë se 1200 monedha – afro gjysma e të cilave ishin argjend – si dhe prova të kolonave të latuara prej guri, enëve të qelqit, rruazava të qelqit si dhe mallrave të tjerë të shitshëm. Disa prej tyre me shumë gjasa vijnë prej pushtimit të vonë romak, por çifti i arkeologëve belgë Robert Donkil dhe Polinë Donklin-Vut besojnë se pjesa më e madhe e pasurisë së grumbulluar tregon nëse Kumrani ka qenë një pronë – ndoshta në pronësi të një patriku të pasur nga Jeruzalemi – që prodhonte parfumë. Kjo kullë e madhe e fortifikuar, thonë ata, ishte një zonë e veçantë me vila gjatë një epoke të mbushur me konflikte në Jude. Dhe ata vërejnë se Xheriko dhe Ein Gedi (një vendbanim rreth 20 milje në jug të Kumranit) njiheshin në të gjithë botën romake si prodhues të rrëshirës së balsamit që përdorej si një bazë parfumi. Një një shpellë pranë Kumranit, kërkuesit izraelitë gjetën në vitin 1988 një shishe të vogël rrumbullake që, sipas analizave laboratorike, përmbante mbetje rrëshire. De Vaux deklaroi se shishe të ngjashme ishin gjetur edhe në shishet e bojës në Kumran. Por ato mund të kenë qenë edhe shishka parfumi.

Ka edhe shumë teori të tjera. Disa mendojnë se Kumrani ka qenë një qendër tregtare modeste. Arkeologu britanik Dejvid Stejsi beson se ka qenë një fabrikë lëkurësh dhe që shtambat e gjetura nga de Vaux kanë qenë për grumbullimin e urinës, e domosdoshme për pastrimin e lëkurës. Ai argumenton se vendndodhja e Kumranit ishte ideale për një fabrikë lëkurësh – mes tregjeve potencialë si Xheriko dhe Ein Gedi.

Nga ana e tij, Peleg beson se Kumrani ka kaluar nëpër disa faza të caktuara. Teksa nxehtësia e mëngjesit vjen e rritet, ai më udhëheq drejt një kodrine të pjerrët mbi vendin që po flasim, aty ku një kanal i latuar në gur sillte ujë në vendbanim. Që nga pozicioni ynë i lartë, ai më tregon themelet e një kulle shumë të madhe që dikur ofronte një pamje shumë të mirë të detit në lindje, drejt Jordanisë së sotme. “Kumrani ka qenë një postë ushtarake në vitin 100 para Krishtit”, më thotë. “Ne jemi një ditë larg Jeruzalemit dhe ai fortifikonte bregun verilindor të Dedit të Vdekur”. Të tjera fortesa nga kjo epokë janë të shpërndara përgjatë shkrepave përreth detit. Kjo ishte një periudhë kur nabateanët – rivalët lindorë të Romës – kërcënonin Judenë. Por Peleg thotë se sapo romakët e pushtuan rajonin, në vitin 63 para Krishtit, nuk kish më nevojë për baza të tilla. Ai beson se ushtarë të Judesë të mbetur pa punë dhe familje vendase mund të kenë shndërruar kampet ushtarakë për qëllime civile, duke ndërtuar një kanal modest që derdhej në pishina katërkëndore, me qëllimin për të përftuar argjilën e nevojshme për enët. “Jo çdo pishinë me gjurë është një banjë ritualesh”, thotë ai. Ai beson se ish ushtarët ndërtuan tetë furra për të prodhuar artikuj qeramike për tregjet e Ein Gedi dhe Xherikos, dhe ndoshta prodhuan edhe parfumë – deri kur romakët e rrafshuan këtë vend gjatë kryengritjes së hebrenjve.

Por ky këndvështrim i Peeg ka patur shumë pak mbështetës. “Janë më shumë interpretime se sa të dhëna”, thotë Jodi Magnes, arkeologe në Universitetin e Karolinës së Veriut që ndan mendimin e de Vaux se ky vendbanim ka qenë një komunitet fetar. Ajo thotë se disa arkeologë – duke refuzuar të pranojnë provat se banorët e Kumranit i fshehën dorëshkrimet – janë të prirur të kapërcejnë në konkluzione përderisa kërkimi i tyre mbështetet vetëm në mbetjet fizike jo shumë të qartë në vend.

Edhe juridiksioni mbi Kumranin është një burim debati. Vendbanimi ndodhet në Bregun Perëndimor, aty ku palestinezët dhe disa arkeologë izraelitë thonë se gërmimet e Peleg janë të paligjshëm sipas ligjeve ndërkombëtare.

Por debateti pak rëndësi kane për mijëra vizitorët që dynden në Tokën e Shenjtë. Për ta, Kumrani mbetet një vend ku ndodhi një mrekulli e kohëve moderne – zbulimi i jashtëzakonshëm i teksteve të shenjtë, që u shpëtuan nga shkatërrimi për të ndriçuar mendjet e brezave të ardhshëm për fjalën e Perëndisë. Teksa hipi në Jeep-in e Peleg për udhëtimin e shkurtër drejt Jeruzalemit, turma të tjera turistësh nisin e zbresin nga autobusët.

Leave a Reply

Back to top button