Bota

REPORTAZH / Një udhëtim mes frikërave dhe shpresave të Brexit

Screen Shot 2016-05-11 at 20.50.48Francesco Guerrera*

“Britania Madhe është pjesë e Europës, por nuk është në Europë”. Sofizmi i Churchillit është fraza ideale për të ilustruar tensionin kulturor, ekonomik dhe historik mes Mbretërisë së Bashkuar dhe pjesës tjetër të bllokut kontinental. Dashuri, urrejtje, racionalitet apo pasione të brendshme, dëshirë për Europën apo izolim i shkëlqyer. Në 23 qershor do të mësojmë se cila pjesë e dikotomisë do të fitojë. Referendumi i kërkuar nga Cameroni për të vënë paqe në partinë konservatore po “shqyen” një vend, i cili zakonisht është shumë i qetë.

Dhe debati mbi “Brexit” po shkakton shumë frikë në Bruksel, Paris dhe Berlin, ku druhen se shtete të tjerë do të vënë në diskutim projektin e Bashkimit Europian.

Ndjenjat e forta të gjeneruara nga Europa nuk janë gjë e re në një Britani të Madhe, e cila është ende nostalgjike për të kaluarën e saj perandorake (dhe imperialiste) dhe që mbetet e pasigurtë mbi përkatësinë e saj gjeografike dhe kulturore në Europë.

Po ju jap shembuj personalë. Kur shkova në Universitet në Londër, më la shumë përshtypje fakti që konsiderohesha një student “overseas”, nga “përtej detit”, pra 35 kilometrat e Kanalit. Dhe mu desh kohë për të kuptuar se “Kontinenti” për të cilin flisnin miqtë e mi anglezë ihte Europa.

Megjithatë, zakonisht psikodramat europiane dhe britanike i jetojnë privatisht, ose të paktën në Parlamentin e Uestminster apo në sallat e partisë konservatore. Vendimi-kamikaz i Cameronit ka vënë këtë siklet social-kulturor përpara rrezeve X, duke e shndërruar në një çështje ndërkombëtare për të cilën Obama, zonja Merkel dhe madje edhe Michael Caine, duhet ta thonë të tyren. (Dy të parët janë pro Europës, i treti është pro Brexit).

Popullsia gjendet në mes, e detyruar të zgjedhë mes pjesëmarrjes në një Europë që nuk e ndjen të vetën dhe braktisjes së një Bashkimi Europian, që ka ndihmuar kontinentin të shmangë tmerret e të kaluarës.

Cameroni e ka thënë pikërisht këtë javë, ditën përpara përvjetorit të Blicit nazist, që rrafshoi Londrën në Luftën e Dytë Botërore. “A jemi të sigurtë se paqja dhe stabiliteti në Europë do të jenë gjithmonë të garantuara?”

Boris Johnsoni, isih kryebashkiaku i Londrës që është udhëheqës i fushatës pro Brexit dhe dëshiron të zëvendësojë Cameronin, ka thënë të kundërtën: është Europa që krijon tensione dhe moskuptime mes vendeve.

Me debate të tillë është e qartë se vendi është në fije të perit. E thonë sondazhet – më i fundit i Financial Times i ka dhënë 46% atyre që duan të qëndrojnë, dhe 43% atyre që duhet të qëndrojnë jashtë. Të shumtë janë të pavendosurit. E thonë hendeqet breznore – të rinjtë duan të qëndrojnë, të moshuarit duan të largohen – dhe ata rajonalë – juglindja e Londrës dhe Skocia janë kundër Brexit, ndërkohë që veriu i Anglisë dhe Perëndimi i Uellsit duan të ndahen nga Europa.

Dilemë Hamletiane

Por dilema, Hamletiane natyrisht, është e dukshme kur flitet për njerëzit e zakonshëm. Kohët e fudnit kam qenë në Tunbridge Uells, rreth një orë larg Londrës. Atje takova Olly Stevens, një djalë i pashëm dhe gazmor që ka lënë karrierën në Londër, për të hapur një kafene me temë çiklistike, me një dyqan biçikletash në katine  sipërm.

Për Ollyn, që importon biçikleta nga Italia, Gjermania dhe Belgjika, tregu i përbashkët europian është një dorë e shenjtë dhe Brexit do të ishte një hedhje në humnerë. “Eshtë si të lësh bashkëshorten për një tjetër grua, pa e njohur më parë gruan tjetër”, thotë.

Të tjerë sipërmarrës, si Uinston Boardman, mezi presin që të kryejnë tradhëti politike. Boardman, i cili është pronar i Micromix Plant Health, një kompani plehu kimik tre orë larg nga Londra, e urren BE-në, rregullat e saj dhe idenë që Britania e Madhe duhet të kërkojë lejën e Brukselit për shumë gjëra.

“BE është një burokraci pbeze, me korrupsion terminal, bazuar mbi një monedhë të përbashkët që duhet ta hedhim në banjë”, më ka thënë me theksin e tij verior, tek tymos cigaret njëra pas tjetrës. “Nuk jemi mjaftueshëm ‘europianë’ për të na diktuar ligjin nga Parisi apo Berlini”.

Boardman ka nxjerrë në dritë një prej problemeve kyçe: më shumë se gjysmë shekulli nga fjalët e Churchillit, Britania e Madhe nuk e ka vendosur ende, nëse është “në” Europë.

Perandoria e Madhe

Për shumë vende të tjera europiane, historia moderne përpara BE-së është një njëpasnjëshmëri diktaturash, banjosh gjaku, aventurash koloniale dhe dy luftërash botërore. Por Britania e Madhe ka një “histori” alternative, të paktën në teori: një perandori e madhe, që mbetet në kujtesën kolektive përmes institucioneve të Komonuelthit.

“Për shekuj të tërë kemi jetuar në një ‘izolim të shkëlqyer’, të mbrojtur prej marinës sonë dhe perandorisë”, ka shkruajtur historiani Vernon Bogdanor. “Tani izolim nuk ka më, por diçka ka mbetur në psikikën e britanikëve, të cilët nuk dëshirojnë lidhje shumë të ngushta me Europën”.

Kam reflektuar mbi këto fjalë dje në mëngjes ndërkohë që ndodhesha në Londër, fillimisht në Stacionin e Vaterlosë, emër që u bë i famshëm për shkak të fitores së madhe kundër Napoleonit, më pas në SHeshin Trafalgar, i cili u kujton anglezëve dhe turistëve triumfin e admiralit Nelson, mbi forcat franceze dhe spanjolle. Britania e Madhe është antagoniste e Europës edhe në topografi. Janë pasoja të pandërgjegjshme që mbështesin idenë mbartëse, e përsëritur shpesh herë nga udhëheqësit pro Brexit, se “Europa ka më shumë nevojë për ne, se sa ne për Europën”.

Nga pikëpamja ekonomike, kjo nuk është e vërtetë. Mbretëria e Bashkuar shet 44% të eksporteve të saj në vendet e BE dhe vetëm 17% në SHBA. Dhe një dalje nga BE mund të shkaktojë një tronditje ekonomike të konsiderueshme.

Stërlina në rrezik

Banka e Anglisë, për shembull, është shumë e shqetësuar nga një rënie e mundshme e stërlinës në rast të një Brexit, dhe tashmë ka bërë të ditur se do të rriste menjëherë normat e interesit në 24 qershor, për të ndalur një rënie të monedhës. Dhe City e bankierëve dhe investitorëve shpreson, lutet dhe paguan për të shmangur një ndarje me BE-në, e cila do të vinte në rrezik rolin e Londrës si kryeqytet botëror i financës.

Miku im Roland Rudd, një njeri i rëndësishëm në bursën e Londrës dhe mbajtësi i financave të kampit pro qëndrimit, flet pë rnjë strategji me tre shtylla: “Ekonomia, siguria dhe roli i Mbretërisë së Bashkuar si udhëheqëse në gjeopolitikën globale. Referendumi është një moment historik dhe votimi për Brexit do të ishte një katastrofë”.

Euroskeptikët i përqeshin këto ide, si “Projekti frikë”, për të bindur njerëzit që të qëndrojnë në këmishën e forcës së BE-së.

Por edhe njerëzit e Boris Johnsonit përdorin armën e frikës. Në rastin e tyre është frika e imigrimit. Tabloidët e mëdhenj, Daily Star, Daily Mail dhe Daily Express vazhdojnë të flasin për “valë imigrantësh”, që do të derdheshin në shkëmbinjtë e bardhë të Doverit, nëse Mbrëtëria e Bashkuar do të qëndronte në Europë. Plani është i qartë: krijimi i një klime frike nga i huaji, për të bërë publikun të mendojë se është më mirë që gjithësekush të qëndrojë në shtëpinë e vet. Edhe këtu, realiteti ndryshon nga retorika, duke qenë se Britania e Madhe nuk është pjesë e marrëveshjes së Schengenit dhe kështu që i ruan kontrollet në të gjithë kufijtë.

Por në këtë pikë, 43 ditë nga votimi, britanikët, të famshëm për rezistencën ndaj emocioneve, duket se këtë herë duan të vendosin me zemër dhe jo me mendje. Nuk është as hera e parë, as e fundit, që Kontinenti i Vjetër sheh nga Britania e Madhe me frymën pezull.

* Kryeredaktor i Politico Europe në Londër

Në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button