Nuk ia kishte dalë Vladimir Putini në tre vite masakrash dhe agresioni të pamëshirshëm në Ukrainë. Donald Trumpit i mjaftuan 5 javë ultimatume dhe deklarata të forta, për të shkundur Evropën nga plogështia, duke e detyruar të ndryshojë rrënjësisht.
Goditjet e miqve janë më të dhimbshmet, por ndonjëherë mund të bëjnë edhe mrekulli, të paktën duke parë aktivizmin diplomatik dhe nxitimin vendimmarrës e propozues që prej disa ditësh po e vë në lëvizje Evropën, mbi valën e një dëshire të paprecedentë për ringritje dhe rilindje ekzistenciale.
Metamorfoza sapo ka nisur, në samitin e 27 vendeve të mbledhura dje në Bruksel, por shtysat revolucionare janë të pabesueshme.
Gjermania e kancelarit të ardhshëm Friedrich Merz ka prerë shkurt, me të njëjtin brutalitet si Trumpi, duke i dhënë fund atlantizmit historik të vendit dhe duke zgjedhur pavarësinë evropiane. Ai ka kaluar në veprim që para se të marrë zyrtarisht detyrën: duke shpallur modifikimin e kufirit të borxhit për të investuar 500 miliardë në rindërtimin e mbrojtjes dhe infrastrukturave gjermane.
Lëvizja euro-indipendentiste e Merzit i lejon atij të rikuperojë boshtin franko-gjerman, në përputhje të plotë me autonomizmin e bindur të Francës së Emmanuel Macronit, i cili, në një tjetër gjest pa precedentë, vë në shërbim të mbrojtjes evropiane parandalimin bërthamor francez, edhe pse gjithmonë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Parisit.
Ndërkohë, samiti i 27 vendeve pranon planin RiarmEurope prej 800 miliardë eurosh të Ursula von der Leyenit, ku 150 miliardë janë kredi të mbledhura me garancinë e buxhetit të BE-së, parashikon 350 miliardë të tjera nga fondet e kohezionit të pashpenzuara, synon burimet e Bankës Evropiane të Investimeve dhe Bashkimin e Tregut të Kapitalit për të mbajtur brenda BE-së 300 miliardët e kursimeve që çdo vit shkojnë në Shtetet e Bashkuara, duke lënë të hapura për të ardhmen opsionet për Mekanizmin Evropian të Stabilitetit dhe borxhin e përbashkët.
Evropa po përgatitet të dalë nga shinat komunitare për të ndjekur një integrim më fleksibël, të larmishëm dhe në hap me ritmin e kohëve.
Dhe kështu, një tjetër revolucion: mbrojtja evropiane, më shumë sesa një projekt me 27 vende, po ndërtohet mbi një koalicion të vullnetarëve mes vendeve të BE-së dhe NATO-s me aftësitë dhe kulturat ushtarake më të forta. Kjo përfshin Britaninë e Madhe, Norvegjinë dhe Kanadanë, si dhe sinergji të ngushta me Turqinë dhe vetë Ukrainën, të cilat, bashkë me Turqinë, mbajnë dy ushtritë dhe industrinë ushtarake më të fuqishme dhe operative në Evropë.
Një mini-NATO evropiane, e cila shpresohet të mbështetet nga garancitë amerikane. Sepse vrapimi i madh ka filluar për të siguruar edhe Kievin, domethënë vetë Evropën, dhe vullnetarët e saj e dinë se sot, e në një të ardhme të afërt, të vetëm mund të garantojnë shumë pak. / bota.al