Bota

Rikthehet Varoufakis: Gjermanët duan të dëbojnë Greqinë nga Euro

2017 ishte viti i katastrofës së qendrës së majtë në Evropë: për socialistët holandezë (që humbën tre të katërtat e votuesve), për ata francezë, që u poshtëruan në zgjedhje pasi kishin qeverisur për 4 vjet dhe tani për Martin Schulz do të ketë vetëm 153 vende në Bundestagun gjerman, niveli më i ulët historik për SPD-në, nga periudha e pasluftës deri sot. Në librin e tij “Hapësira e Tretë, përtej Establishmentit dhe Populizmit”, ish ministri grek i financave Janis Varoufakis analizon të këqijat që në demokracitë në Evropë dhe përshkruan një numër mjetesh të mundshme, në një propozim të ri politik, DiEM25, që ka marrë emrin e lëvizjes pan-evropiane të cilën ai vetë e themeloi në vitin 2016 dhe që është mbështetur, ndër të tjerë, nga Noam Chomsky, Juliane Assange dhe Brian Eno.

Profesor Varoufakis, në librin tuaj, pothuajse në mënyrë profetike, flisni për “një institucion të falimentuar”. Në pritje të zgjedhjeve italiane të vitit 2018, si mendoni që do të rikonfigurohet në afat të shkurtër, korniza institucionale evropiane, me një Merkel më të dobët në Gjermani?

Nuk do të ndryshojë asgjë. Skenari më i mundshëm dhe më pak “i përgjakshëm” për kancelaren gjermane është një koalicion “Xhamajk” me liberalët e FDP dhe të Gjelbërit. Por gjithësesi nuk do të ndryshojë asgjë në Evropë. Vetëm mendoni për atë që Merkel premtoi para zgjedhjeve: nuk do të ketë pengesë për ndarjen e humbjeve bankare; nuk do të ketë rishikime në traktatet e BE-së, përveç politikave ndërqeveritare që janë tërësisht të parëndësishme. Në fund, politikat e kursimit do të shkojnë në favor të një Grexit. Brukseli lavdëron sistemin e shkëmbimit fiks, ku disiplina është çelësi dhe ata që nuk mund ta respektojnë atë, duhet të dëbohen. Kjo ka qenë gjithmonë (dhe do të vazhdojë të jetë) perspektiva e establishmentit gjerman.

Në Francë, në zgjedhjet e fundit, është zbatuar koncepti i elasticitetit politik, që ju e keni përmendur në mënyrë të përsëritur: aftësia për t’u përshtatur në një situatë me rrezik të dukshëm për demokracinë, në këtë rast kërcënimi i Frontit National. Çfarë mendimi keni krijuar për Macron?

Ai ka një personalitet të fortë. Është i mençur. Ata që e kritikojnë duhet të vihen në në pozicionin e tij: situata aktuale në Francë është e papërshtatshme. Ai e kuptoi që politika gjermane në afat të gjatë është katastrofike për Bashkimin Evropian, dhe mendon se kjo luftë e përjetshme për konkurrencë është pikërisht ajo që nuk kemi nevojë në këtë kohë: është një lojë me shumën zero. Përveç thjeshtimit të Loi du travail (Ligji i Punës), i cili është tashmë kaq i diskutueshëm, hapat e ardhshëm të Macron do të jenë ulja e kontributeve dhe një hapësirë më e madhe për kontraktimin e kompanive, për të rritur produktivitetin. Një fillim i mirë për një njeri që vjen nga financa.

Një ndikim, ai financiar, i cili rritet gjithnjë e më shumë pavarësisht se kanë kaluar tetë vjet, që nga rënia e Lehman Brothers. Çfarë do të shkaktojë në Shtetet e Bashkuara dhe si pasojë në Evropë, një sprapsje e Trump në lidhje me Ligjin “Dodd-Frank”, i cili kishte mbrojtur financat amerikane?

Reforma e financës e kryer nga Obama, në përpjekje për të frenuar, të paktën pjesërisht, krizën globale, ka qenë tërësisht e parëndësishme dhe megjithatë ka vënë kufizime në Uoll Strit. Unë besoj se ecja përpara me Dodd Frank do të jetë e rëndësishme simbolikisht, dhe do të jetë një mbikëqyrëje e mirë e elitës financiare globale. Fatkeqësisht administrata e Trump po mbështet në mënyrë aktive botën bankare, Goldman Sachs dhe JP Morgan janë vetëm maja e ajsbergut dhe kjo është politikisht e dëmshme.

Në Marrëveshjen e Re evropiane, që e quani një “revolucion të bonsensit”, lartësoni politikën nga poshtë, përshembull “Barcelona en Comú” nga Ada Colau. Si mund të ndërfuten lëvizje indipendentiste, si ato katalanase apo skoceze në një kontekst gjithnjë e më shumë eurocentrik?

Unë mendoj shumë mirë. Nacionalistët francezë janë anti-evropianë, anti-emigrantë. Skocezët, nga ana tjetër, janë evropianë, pranojnë refugjatë dhe emigrantë, si katalanasit. Mua personalisht nuk më interesojnë implikimet e brendshme politike: Unë ëndërroj një Evropë pa kufij. Dhe nëse Skocia, pas shekujsh nënvarësie nga qeveria e Londrës, apo Katalonja nga qeveria e Spanjës, dëshirojnë pavarësinë, unë i respektoj. Unë nuk kam asgjë kundër lëvizjeve për pavarësi.

Në kontekstin e tanishëm socio-politik, a do të kishte një qasje tjetër nga shtetet që në verën e vitit 2015 i kthyen shpinën projektit tuaj brenda Syrizës?

Unë nuk fajësoj asnjërin në Evropë, përveç se ne në Syriza, për humbjen e vitit 2015. Kur u zgjodhëm, askush nuk do të kishte menduar që Matteo Renzi do të na vinte në ndihmë. Ne kurrë nuk do të kishim menduar kështu për Hollande. Të vetmit njerëz që mund të na nxirrnin nga Troika ishim ne. Duhet të ishim më koherentë, nuk duhej të firmosnim një memorandum të imponuar nga lart, para se të na jepnin një strukturë. Dhe nëse kjo do të thotë të largohesh nga Bashkimi Europian, pse jo? Nëse do të ishim besnikë dhe koherentë ndaj vetvetes, pa iu nënshtruar politikave shtrënguese të Merkelit dhe Draghit, sot, ndoshta, e gjithë demokracia evropiane do të ishte më mirë. / Business Insider – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button