Shlomo Ben-Ami
Bashkimi Europian është një arritje e spikatur e shtetndërtimit modern. Duke u ngritur mbi vlera të përbashkëta, ai krijoi një hapësirë për paqe, progres dhe liri, që kapërceu armiqësitë mes kombeve, të krijuara prej dekadash, në mos shekujsh me konflikte. Por ndarja që po shfaqet mes anëtarëve Perëndimorë dhe Lindorë të BE-së, bashkë me një rilindje të nacionalizmit në të gjithë kontinentin, po i vendos ato vlera – e si pasojë edhe të ardhmen e integrimit europian – në testin më të vështirë deri sot.
Në Europën Lindore, demokracia po bëhet gjithnjë e më joliberale. Udhën e prin Hungaria, e drejtuar nga Kryeministri Viktor Orban, i cili ka vënë në zbatim vizionin e tij të shpallur të një “shteti joliberal”, gjatë gjashtë viteve të fundit. Tani po e ndjek pas Polonia, me partinë e djathtë Ligj dhe Drejtësi të Jaroslav Kaczinskit, që është vënë në lëvizje me veprime për të kontrolluar transmetimet publike, shërbimin civil, si dhe Gjykatën Kushtetuese. Tashmë, BE ka nisur një investigim zyrtar në lidhje me shkelje të mundshme të standarteve të zbatimit të ligjit.
Lëvizja drejt autoritarizmit në Europën Lindore është shoqëruar me një refuzim të drejtpërdrejtë të kuotave të vendosura nga BE për imigrantët, qëllimi i të cilave është lehtësimi i krizës së refugjatëve me të cilën përvallet sot BE-ja. Ndërkohë, vetëm vitin që kaloi, Gjermania regjistroi rreth një milionë strehimkërkues.
Kjo ndarje pasqyron një divergjencë themelore në përgjigjen e dy palëve ndaj historisë. Qëndrimi i Gjermanisë në cështje si migrimi dhe të drejtat civile vjen e përmblidhet në një refuzim të drejtpërdrejtë të veprimeve të saj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndonëse, sic është shprehur historiani Timothy Snyder, bashkëpunëtorët në “tokat e përgjakura” mes Berlinit dhe Moskës shpesh herë mbështesnin krimet e nazistëve, këtyre u shoqërive u mungon kompleksi i fajit, që gjermanët e kanë.
Një arsye për këtë është se europiano-lindorët nuk ndajnë trashëgiminë e kolonializmit. Krijesa e perandorisë – domethënë migrimi – është si pasojë, një problem që duhet të zgjidhet nga ata që e krijuan: fuqitë e vjetra koloniale të Europës. Vendet e Europës Lindore – të pasigurtë, të ardhur rishtaz, në progresin e brishtë ekonomik që ofron Bashkimi Europian – nuk ndiejnë që kanë ndonjë detyrim në këtë drejtim.
Por Europës Lindore nuk i mungon thjeshtë vullneti për të mirëpritur imigrantët; ajo është kundër me forcë, në përputhje me maksimën e Vladislav Gomulkas, se “vendet janë ngritur përgjatë vijave kombëtare, jo atyre shumëkombëshe”. Edhe ky qëndrim, buron të paktën pjesërisht prej Luftës së Dytë, pasi fillimisht Holokausti dhe më pas spastrimet etnike të pasluftës të më shumë se 30 milionë njerëzve, duke përfshirë pothuaj gjithë gjermanëve në rajon, përforcuan një qëndrim armiqësor ndaj shumëkombësisë. Në të vërtetë, shtetet shumëkombëshe si Cekosllovakia dhe Jugosllavia u shpërbënë, pa diktaturat që t’i mbanin të bashkuara.
Kujtimet historike nuk shuhen kollaj. Polakët dhe të tjerët që ranë nën sundimin sovjetik pas vitit 1945 nuk mund t’ia falin Europës Perëndimore, që i sakrifikoi për Stalinin në Jaltë. Ata as nuk e shohin clirimin nga totalitarizmi, si një arritje europiano perëndimore. Mirënjohja e europiano lindorëve qëndron gjetkë. Nobelisti hungarez, Imre Kertesz foli për shumëkënd në rajon, kur pranoi një paaftësi për të shkundur nga vetja joshjen emocionale ndaj Shteteve të Bashkuara, të cilat e cliruan atë nga Bukenvaldi dhe më pas ndihmuan në clirimin e Hungarisë prej komunizmit sovjetik.
Në Europën Lindore, rishfaqja e autoritarizmit – i cili mbizotëronte në rajon që përpara epokës komuniste – nxitet edhe më shumë prej frikës së të gjendurit mes dy armiqve tradicionalë, Gjermanisë dhe Rusisë, ku të dy ende shihen me drojë. Për Partinë Ligj dhe Drejtësi dhe të djathtën polake, themelet e Polonisë së re nuk janë në luftën e lëvizjes paqësore Solidariteti për liri në vitet 1980, që rroku imagjinatën e perëndimit; rrënjët e saj qëndrojnë në luftën heroike të polakëve kundër bolshevikëve aziatikë dhe hordhive gjermane gjatë Luftës së Dytë. Sic e ka thënë vetë ministri i jashtëm polak, Vitold Vaszczykovski, “Europa e ciklistëve dhe vegjetarianëve”, me kulturën e saj naive të korrektesës politike dhe liberalizmit, paraqet një rrezik, jo një model.
Kur Komisioneri gjerman për Ekonominë Digjitale dhe Shoqërinë, Gynter Oetinger kërcënoi në fillim se do të vendosë qeverinë polake nën mbikëqyrje, për vënien prej saj nën kontroll të medias dhe Gjykatës Kushtetuese, ministri polak i drejtësisë e krahasoi këtë me pushtimin nazist. Dhe Kaczynski këmbënguli të ruajë drejtimin aktual, ndërkohë që injoroi kërcënimet, “sidomos nga gjermanët”.
Kjo gjë paraqet një ndryshim shumë të madh në krahasim me shtatë vitet e fundit, gjatë të cilëve Polonia u shfaq si fëmija shembullor i zgjerimit të BE në lindje. Nëse Polonia udhëheq një bosht të shteteve anëtarë kokëfortë, kapaciteti i BE për të mbrojtur të drejtat civile brenda kufijve të vet, aq më pak në vendet e tjerë, si Rusia, do të bjerë shumë. Dhe duke parë mungesën e instrumentave detyrues për të ndalur vendet anëtarë që të shkojnë drejt autoritarizmit, shmangia e një rezultati të tillë nuk do të jetë e lehtë.
Europa është një kontinent i ngopur me histori, dhe me frikën e përsëritjes së saj. Por, nëse ashtu si ka thënë dhe Mark Tueini, historia më shumë bën rimë se sa përsërit vetveten, atëherë kujtimi i të kaluarës duhet që ta udhëheqë Europën Lindore, dhe jo ta marrë peng atë. E kaluara është paralajmërim, jo destinacion. PROJECT SYNDICATE – BOTA.AL
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Eastern Europe’s Authoritarian Return