Analiza

Rishikimi i madh i rendit botëror, çfarë pritet të ndodhë pas Luftës së Ukrainës

Nga Joschka Fischer

“Project Syndicate

A e dinte presidenti rus Vladimir Putin se çfarë po bënte kur urdhëroi një pushtim të plotë të Ukrainës 24 shkurtin e vitit të kaluar? Ai vendim ishte një pikë kthese për Evropën. Sepse për herë të parë në 8 dekada, në kontinent kishte shpërthyer një luftë e madhe tokësore, duke shkatërruar iluzionet e paqes aq të dashura për evropianët.

Me sa po shihet Putin nuk mund ta konceptojë Rusinë si asgjë tjetër veçse një fuqi botërore të armatosur, të frikshme dhe autoritare. Por arritja e këtij statusi kërkon hegjemoninë ruse në Evropën Lindore, pra një ringjallje të trashëgimisë perandorake të Rusisë cariste dhe Bashkimit Sovjetik.

Për këtë arsye i duhej Ukraina Putinit. Por ky i fundit e nënvlerësoi shumë vullnetin e ukrainasve për të luftuar por edhe vdekur për lirinë dhe pavarësinë e tyre. Kjo gjë së bashku me mbështetjen e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, e ka penguar atë të arrijë qëllimin e tij.

Tre ditë pas pushtimit, kancelari gjerman Olaf Scholz e kapi shumë mirë këtë moment në një fjalim që mbajti në parlamentin gjerman. “Ne po jetojmë një pikë kthese në histori. Kjo do të thotë se bota nesër nuk do të jetë më e njëjta si deri dje”- tha ai.

Në fakt lufta në Ukrainë do të ndikojë shumë më tepër sesa e kuptuan vjet shumica e njerëzve, përfshirë zotin Scholz. Natyrisht, luftimet kanë të bëjnë para së gjithash me mbijetesën e popullit ukrainas dhe të ardhmen e atdheut të tyre. Por në lojë është edhe e ardhmja e rendit ndërkombëtar.

A do të triumfojë dhuna mbi ligjin, apo mund të rikthehemi tek një paqe e qëndrueshme të bazuar tek ligjet dhe traktatet? Dhe cilat do të jenë pasojat gjeopolitike më të gjera? Pushtimi rus u Ukrainës përfaqëson rishikimin e parë të madh të rendit global në shekullin XXI.

Kina dhe Rusia kanë hyrë aktualisht në një aleancë më të thellë (edhe pse jo të zyrtarizuar) për të sfiduar Shtetet e Bashkuara dhe dominimin e Perëndimit. Kjo luftë – që përbën një ringjallje të politikës së fuqive të Luftës së Ftohtë  – është e ngulitur në dy transformime të mëdha globale: dixhitalizimin e të gjitha sferave të jetës moderne dhe tek kriza përfundimtare e shoqërisë industriale me lëndë djegëse fosile.

Për më tepër, lufta e Rusisë ka zbuluar një panoramë gjithnjë e më komplekse ndërkombëtare. Ekonomitë e rëndësishme në zhvillim – si Brazili, India dhe Afrika e Jugut – kanë refuzuar të mbajnë një qëndrim të qartë. Po kështu ka ndodhur edhe me shumicën e shteteve të Gjirit.

Të gjithë po sillen në mënyrë rigoroze sipas interesave të tyre kombëtare. Kur vlerësojnë konfliktin e ri midis fuqive të mëdha, ata shohin jo vetëm avantazhe ekonomike (blerje të energjisë me ulje çmimi nga Rusia që gjendet në sanksione), por edhe mundësi për të përmirësuar pozicionin e tyre gjeopolitik dhe diplomatik.

Nuk ka asnjë dyshim se i ashtuquajturi Jug Global, do të luajë një rol të madh në luftën për dominim në shekullin XXI. Kjo është tashmë e dukshme pas 13 muajsh luftë në Ukrainë. Për fat të keq, shumë prej këtyre vendeve dhe rajoneve e kujtojnë ende me hidhërim trajtimin që iu bë nga Perëndimi – dhe veçanërisht fuqia e tij udhëheqëse, SHBA në të kaluarën e afërt. Ndaj nuk mund të llogaritet pjesëmarrja e tyre me përballjen me Kinën. Ky anim duhet që të fitohet gradualisht. Në çdo rast, përtej atyre që preken drejtpërdrejt nga luftimet, Evropa do të jetë rajoni më i ndryshuar nga agresioni rus. Lufta po zhvillohet në lagjen e saj të afërt, dhe ajo njisi nga një regjim autoritar që mishëron vlera krejtësisht të kundërta me të sajat.

Me shkatërrimin e iluzionit të paqes, tani detyra e Evropës është të kapërcejë ndarjet e brendshme dhe të zgjidhë sa më shpejt që të jetë e mundur problemin e mbrojtjes me aftësitë e saj. Për këtë arsye ajo duhet të shndërrohet në një fuqi gjeopolitike të aftë për vetëmbrojtje dhe parandalim, duke përfshirë atë bërthamore.

Kjo gjë nuk do të jetë e lehtë dhe rruga është e mbushur me rreziqe. Kini parasysh disa nga skenarët më të këqij. Çfarë do të bëjë Evropa nëse një tjetër president izolacionist si Trumpzgjidhet në Shtëpinë e Bardhë vitin e ardhshëm, pasuar nga ngjitja në presidencën franceze të udhëheqëses nacionaliste të krahut të djathtë Marine Le Pen?

Ky rezultat është një mundësi e veçantë. Në kushtet kur Rusia është e paaftë ta mposhtë Ukrainën në fushën e betejës, lufta do të duhet të përfundojë përmes negociatave të vështira. Dhe cilido qoftë rezultati i tyre, Evropa do të jetojë në një botë tjetër, ashtu siç e parashikoi Scholz.

Ajo do të duhet të përshtatet me ekzistencën e një kërcënimi të përhershëm nga Lindja, pavarësisht nëse në krye të Rusisë do të jetë Putin apo pasardhësi i tij. Edhe pse BE-ja do të ketë fituar më shumë stabilitet të brendshëm, karakteri i saj bazë do të ketë ndryshuar. Siguria do të jetë një shqetësim qendror për të ardhmen e parashikueshme.

Ndaj BE-ja duhet të nisë të mendojë për veten si një fuqi gjeopolitike, dhe si një komunitet mbrojtës që punon ngushtësisht me NATO-n. Identiteti i saj nuk do të përcaktohet më kryesisht nga komuniteti i tij ekonomik, tregu i përbashkët apo bashkimi doganor.

Blloku e ka pranuar tashmë Ukrainën si një kandidate për anëtarësim në të ardhmen, dhe ky vendim u nxit gati tërësisht nga konsideratat gjeopolitike (siç ka ndodhur më parë me Turqinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor). Aktualisht është duke ndodhur një rishikim i madh i rendit botëror.

Nëse kjo luftë zhvillohet sipas politikës tradicionale të fuqive të mëdha, të gjithë do të jenë më keq. Por nëse duam të krijojmë një rend global të duhur për sfidat e mëdha ekonomike, të sigurisë dhe klimës që na ka vënë përpara ky shekull atëherë duhet të mbizotërojë bashkëpunimi.

Shënim:Joschka Fischer, Ministër i Jashtëm dhe zëvendëskancelar i Gjermanisë në vitet 1998-2005.

Back to top button