Bota

Rrëzimi i avionit rus në Siri, flet Putin: Reagimi i Moskës do të jetë i fortë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin pas takimit me kryeministrin hungarez Vikor Orban në Moskë zhvillimet lidhur me avionin e rrëzuar rus në Siri i ka quajtur “një zinxhir i rrethanave tragjike”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në vlerësimin e tij në lidhje me rrëzimin e avionit ushtarak rus në Siri, Putin tha se “Zhvillimin në fjalë duhet ta shqyrtojmë në mënyrë serioze. Rrëzimi i avionit rus në Siri duket si një zinxhir i rrethanave tragjike.

Reagimi i Moskës do të jetë në drejtimin e rritjes së sigurisë për njësitë ruse në Siri”.

Në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, ishte theksuar se avioni ushtarak rus i cili ishte zhdukur nga radarët dje në Siri, është rrëzuar gabimisht nga regjimi i Asadit për shkak të sulmeve ajrore të Izraelit.

Rusia akuzon Izraelin

Ministria ruse e Mbrojtjes deklaron se avioni ushtarak i Rusisë, i cili u zhduk nga radari në Siri, është rrëzuar nga regjimi i Bashar al Asadit për shkak të sulmeve të Izraelit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, Igor Konashenkov, në një deklaratë për gazetarë në Moskë tha se avioni ushtarak rus II-20 ku ndodheshin 15 ushtarë dhe i cili u zhduk nga radari mbi Detin Mesdhe, është rrëzuar nga sistemi i mbrojtjes ajrore të regjimit, S-200.

Duke vënë në dukje se avioni është rrëzuar për shkak të sulmit ajror të Izraelit, të kryer ndaj Sirisë, Konashenkov tha se “15 ushtarë rusë humbën jetën për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të Izraelit. Gjendja në fjalë nuk e reflekton frymën e partneritetit Rusi-Izrael”.

Konashenkov pretendoi se avionët luftarak F-16 të Izraelit kanë përdorur avionin II-20 të Rusisë si mburojë. Ai po ashtu bëri të ditur se koha e mjaftueshme për largimin e avionit rus nga rajoni nuk është mundësuar për shkak të lajmërimit të vonuar të Sirisë për sulmin në fjalë.

Agjencia e lajmeve e regjimit të Asadit, SANA, kishte bërë të ditur se është kryer një sulm me raketë nga një palë e panjohur ndaj Institutit të Industrisë Teknike në Latakia dhe se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë neutralizuar disa prej raketave.

Leave a Reply

Back to top button