BotaMAIN

Rrjeti i Blair-it në Lindjen e Mesme. “Mission impossible” i fundit në Gaza

Në qershor të vitit 2007, Tony Blair, brenda të njëjtës ditë, dha dorëheqjen si Kryeministër britanik dhe njoftoi se kishte pranuar emërimin si i dërguar i posaçëm për Lindjen e Mesme, në përfaqësim të të ashtuquajturit Kuartet, pra OKB-së, Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Rusisë. Një kalim që, dukshëm, e kishte përgatitur prej kohësh, por që shkaktoi shumë habi. Ishte ai, i vetmi kryetar qeverie perëndimor, që i shkoi pas George W. Bush-it, duke dërguar në vitin 2003 edhe trupat britanike për të pushtuar Irakun e Saddam Husseinit-një hakmarrje e kotë për sulmin terrorist ndaj Kullave Binjake të Nju Jorkut.

Një aventurë gjakderdhëse që njollosi trashëgiminë politike të Blair-it, një burrë shteti i cili në kufi të mijëvjeçarëve kishte shënuar “Cool Britannia”-n, firmosi paqen në Irlandën e Veriut, solli devoluimin për Skocinë, Uellsin dhe Ulsterin, futi pagën minimale dhe dhjetëra reforma të tjera.

Lufta në Irak, pra, nuk ishte aspak një kartë e mirë prezantimi për detyrën e re pranë Kombeve të Bashkuara. Një barrë tepër e rëndë, edhe për ndërgjegjen e tij. Ndoshta e zgjodhi detyrën e të dërguarit për Lindjen e Mesme edhe për të shlyer atë të shkuar.

Atij iu desh të përballej me një konflikt izraelito-palestinez të futur në fazë të re, pas dorëzimit të Gazës te palestinezët, gjë që ishte vendosur nga kryeministri izraelit Sharon në vitin 2005 dhe pas marrjes së pushtetit nga Hamasi në Rripin e Gazës. Kështu, Blair nuk mundi të bënte shumë. Kuarteti i vendeve dhe organizatave, te të cilat ai referohej, ishte pak më shumë se një skenografi prej kartoni.

Kishte hapësirë vetëm për të provuar nisma bashkëpunimi ekonomik, si projekti “Lugina e Paqes”, investime për Izraelin, Jordaninë dhe Autoritetin Palestinez. Emër sugjestionues, por pak substancë.

Shumë, përkundrazi, ishin polemikat që thoshin se ai qe tepër pranë qeverisë izraelite. Dha dorëheqjen pas tetë vitesh; detyra gjasat e ka zhgënjyer, por i ka sjellë gjithashtu kontakte e njohje në rajon.

Rrjeti i bashkëpunimeve të tij jo vetëm që nuk u shua, por madje u zgjerua nën ombrellën e Institute for Global Change. Ujdi fitimprurëse me vendet e Gjirit. Akuza se synonte kryesisht buxhete milionëshe dhe komisione “të arta”.

Për këtë arsye nuk habiti kur muajt e fundit emri i tij nisi të qarkullonte sërish në bisedimet amerikane për periudhën pas Hamasit në Gaza. Në pranverë, dhëndri i Trump-it dhe ndërmjetësi i tij me vendet arabe, Jared Kushner, ia besoi pikërisht Institutit të Blair-it një studim fizibiliteti për rindërtimin e Rripit. Në fund të gushtit, ish-Kryeministri ishte në Shtëpinë e Bardhë për një mbledhje me Trump-in dhe të dërguarit e tij për Lindjen e Mesme. Me shumë gjasë janë urbanistët, inxhinierët dhe arkitektët e tij pas projektit të “Gaza Riviera”.

Kur në rrjete sociale u shfaq videoja e shëmtuar që përqeshte tragjedinë e banorëve të Gazës, me Trump-in dhe Netanyahun që merrnin rreze në plazh, nga selia londineze e Blair-it u shpërnda një shënim i sikletshëm. U saktësua se projekti i tyre nuk parashikonte deportimin e banorëve. Nuk mjaftoi për të shuar polemikat që në vendlindje vazhdojnë ta pikturojnë Blair-in tashmë vetëm si “afarsit”. Vështirë, në fakt, të mendohet se, edhe në rast marrëveshjeje me Hamasin, propozimi i ri nuk do të përkonte me një pastrim etnik de facto.

Nëse Blair, me angazhimin e tij në Lindjen e Mesme, dëshiron të ndreqë dëmet e bëra në atë rajon të trazuar me zgjedhjet e tij të dikurshme qeverisëse, do t’i duhet të angazhohet personalisht shumë më tepër se sa me një projekt në letër. Tranzicioni për Gazën, ku ai shihet i përfshirë, paraqitet pothuaj si një “mission impossible”. Kush e di nëse do të ketë autoritetin dhe fuqinë e mjaftueshme, në “bordin e Gazës” ku, sidoqoftë, president do të jetë Donald Trump. / bota.al

Back to top button