Bota

Rusia planifikon një bazë detare në Abkhazi

Rusia planifikon një bazë detare në bregun e Detit të Zi, të rajonit separatist të Abkhazisë, sipas udhëheqësit të rajonit, i cili i bëri deklaratat një ditë pas takimit me presidentin Vladimir Putin.

Aslan Bzhania, presidenti i vetëshpallur i rajonit separatist të mbështetur nga Rusia, tha se ishte firmosur një marrëveshje për një bazë të përhershme detare në rajonin Ochamchira.

“Ne kemi firmosur një marrëveshje dhe në të ardhmen e afërt do të ketë një bazë të përhershme të marinës ruse në Ochamchira”, tha Bzhania për Izvestiya.

“E gjithë kjo synon rritjen e nivelit të aftësisë mbrojtëse të Rusisë dhe Abkhazisë dhe ky lloj ndërveprimi do të vazhdojë”, tha ai. “Ka edhe gjëra për të cilat nuk mund të flas.”

Rusia njohu Abkhazinë dhe një rajon tjetër separatist, Osetinë e Jugut, si shtete të pavarura në vitin 2008 pasi trupat ruse zmbrapsën një përpjekje gjeorgjiane për të rimarrë Osetinë e Jugut në një luftë pesë-ditore e cila përfundoi më 12 gusht 2008.

Wall Street Journal raportoi se Rusia kishte tërhequr pjesën më të madhe të flotës së saj të Detit të Zi nga baza e saj kryesore në Krimenë e aneksuar për shkak të sulmeve të Ukrainës. / bota.al

Back to top button