Vlerësime të përafërta sugjerojnë se Moska ka shpenzuar së paku 87 milionë dollarë për sulmet ajrore dhe me raketa në Siri, që i ka nisur më 30 shtator.
Me këtë investim relativisht modest, Kremlini e ka bërë veten një lojtar në konfliktin sirian, i cili nuk mund të shpërfillet. Ai po i ndihmon presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, i cili po përpiqet të mbetet në pushtet.
Sulmet u kanë mundësuar forcave qeveritare të Sirisë të bëjnë avancime të mëdha kundrejt rebelëve në provincat Idlib dhe Hama. Sulmet po ashtu i kanë mundësuar Moskës të ripërtërijë pretendimet se është supërfuqi.
“Këto sulme kanë qenë veprimi i fundit për të pretenduar statusin e fuqisë së madhe. Tani, Rusia ka përfunduar me kopjimin e të gjitha atributeve që kanë fuqitë e mëdha, si Shtetet e Bashkuara”, thotë Igor Sutyagin, ndjekës i studimeve ruse në Institutin Mbretëror të Shërbimeve në Londër.
Ai thotë se fushata ajrore, e mbi të gjitha përdorimi i raketave, tregon se Moska mund të kryejë sulme nga distanca kundër caqeve që zgjedh, pa rrezikuar trupat e veta.
Rusia po ashtu ka treguar se është e gatshme të veprojë pa pritur leje nga komuniteti ndërkombëtar dhe me gjithë kritikat e Perëndimit, Turqisë dhe vendeve arabe.
Por, sa kushton fushata ajrore e Moskës, është vështirë të llogaritet me saktësi të plotë. Një arsye është se ushtria ruse është shumë e fshehtë në lidhje me shpenzimet e saj.
Por, Sutyagin, i cili ndjek nga afër ushtrinë ruse, llogarit se sulmet ajrore nga avionë të zakonshëm ushtarakë kushtojnë së paku 2.5 milionë dollarë në ditë.
Kjo shifër mbulon përdorimin e 24 avionëve në ditë dhe koston e rreth 2,000 trupave të specializuara ruse.
Analisti Sutyagin thotë se ky është një vlerësim “konservator”, sepse shuma e shpenzimeve ditore mund të jetë 1 milion deri në 4 milionë dollarë më e lartë, varësisht nga sasia e municioneve precize që përdoren.
Zyrtarët rusë thonë se kostoja e fushatës në Siri është lehtë e përballueshme për Moskën, e cila e konsideron atë si një operacion ushtarak në shkallë të vogël.
Por, sidoqoftë, fushata i vë një barrë shtesë buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes, në kohën kur është i rënduar nga ndërhyrja e Rusisë në lindje të Ukrainës dhe nga stërvitjet e shumta ushtarake.
Forcat e armatosura ruse kanë kryer rreth 4,000 stërvitje ushtarake në nëntë muajt e parë të këtij viti – 500 më shumë se në vitin 2014.
Stërvitjet më të mëdha janë zhvilluar muajin e kaluar në qendër të Rusisë dhe kanë përfshirë afro 100,000 trupa nga secila degë e forcave të armatosura, plus trupa nga ish-shtetet e tjera sovjetike.
Ushtrimet kanë simuluar operacione luftarake, të cilat po ashtu kanë përfshirë anije detare dhe rreth 170 aeroplanë ushtarakë.
Shpenzimet e stërvitjeve janë mbajtur sekret nga ushtria ruse, ashtu si edhe shpenzimet e ndërhyrjes në lindje të Ukrainës.
Zyrtarët perëndimorë kanë akuzuar Moskën se dërgon trupa, armë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore në Ukrainë, për të mbështetur rebelët separatistë kundër Kievit.
Analisti Sutyagin thotë se buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes po shpenzohet këtë vit më shpejt sesa që është planifikuar, si rezultat i prioriteteve të shumta.
“Në tetë muajt e parë të këtij viti, ushtria ka shpenzuar 82 përqind të buxhetit të saj”, thotë Sutyagin.
Kjo lë të kuptohet se ushtria mund të tejkalojë buxhetin e saj, duke detyruar qeverinë të gërmojë në rezervat kombëtare për të mbuluar shpenzimet.
Të gjitha këto në një kohë kur ekonomia ruse është duke u rimëkëmbur nga çmimet e ulëta të naftës dhe sanksionet e Perëndimit, për shkak të përzierjes së saj në Ukrainë.
Analistët ushtarakë rusë thonë se për aq kohë sa fushata në Siri mbetet në nivelin aktual, Moska do të jetë në gjendje ta përballojë atë pa vështirësi. Por, nëse përshkallëzohet, mund të përbëjë zgjedhje të vështira buxhetore.
“Buxheti ushtarak mund ta mbështesë këtë operacion për aq kohë sa ka limite modeste. Ne mund të mbështesim një forcë ajrore në tokën siriane, por natyrisht jo një operacion tokësor në shkallë të gjerë”, thotë Aleksandr Goltz, ekspert i pavarur ushtarak në Moskë.
Zyrtarët rusë kanë thënë se nuk do të dërgojnë trupa tokësore në Siri dhe se fushata ajrore do të zgjasë vetëm disa muaj.
Por, nëse Rusia zhytet më thellë në konfliktin sirian, përfitimet e saj politike mund të mos jenë aq të volitshme.
Bashkimi Sovjetik ka qenë një superfuqi kur ka dërguar trupa në Afganistan më 1979, për të mbështetur qeverinë e atjeshme.
Megjithatë, më 1989, trupat sovjetike janë tërhequr pas një konflikti që ka kushtuar miliarda dollarë dhe ka ndihmuar në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik më 1991.
REL