
Që nga viti 1974 deri sot, vaksinat kanë shpëtuar 154 milionë jetë, pra 6 jetë çdo minutë.
Këtë e konfirmon një studim i publikuar në The Lancet dhe i kryer nga OBSH, i cili nënvizon se imunizimi mbetet mënyra më e mirë jo vetëm për t’u siguruar që fëmijët të mbërrijnë deri në ditëlindjen e parë, por edhe për t’u rritur e jetuar si të rritur të shëndetshëm.
Nga 14 vaksinat e analizuara (mes tyre ato kundër difterisë, fruthit, tetanozit, tuberkulozit, etheve të verdha, meningjitit dhe poliomielitit), vaksina kundër fruthit ka pasur ndikimin më të madh, duke shmangur gati 94 milionë vdekje dhe duke ulur vdekshmërinë globale të fëmijëve me 40%, ndërsa në Afrikë me më shumë se 50%.
MË TË GJALLË DHE MË TË SHËNDETSHËM.
“Falë vaksinave, lia është çrrënjosur dhe poliomieliti është pothuajse eliminuar”, deklaron Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i OBSH-së. Vaksinat kundër poliomielitit u kanë mundësuar mbi 20 milionë njerëzve që të vazhdojnë të ecin, duke mos mbetur të paralizuar.
Sipas studimit, për çdo jetë të shpëtuar prej vaksinimit, njerëzimi ka fituar mesatarisht 66 vite jetë të shëndetshme, pra 10.2 miliardë vite jetë të fituara përgjatë pesë dekadave. / bota.al





