Bota

Sarko është kthyer

screen-shot-2016-09-08-at-14-35-01“Pas katër vjetësh, Sarko është kthyer”, shkruan Sylvie Kauffman në një editorial për Nju Jork Tajms. Në fakt, askush në Francë nuk kishte besuar ndonjëherë se ky burrë, i cili që në viti 2003 deklaronte se mendonte gjithë kohës për të kandiduar për president, do të mund të jetonte pa adrenalinën e politikës.

Kauffman kujton në editorialin e saj një episod, gjatë një konference shtypi të Sarkozisë, kur ky i fundit po shpallte qëllimin për të rikandiduar për postin e presidentit të Francës, në 8 mars 2012. I pyetur nëse do të hiqte dorë nga politika nëse humbiste, Sarkozi u përgjigj vendosmërisht: “Po”. Gazetari u zu në befasi. “Do të heqësh dorë nga politika?”, përsëriti pyetjen ai. “Mund të më pyesësh edhe për herë të tretë”, ia preu presidenti. “Po të them: Po!”

Ndërkohë, një libër është botuar javën e kaluar. Titulli është domethënës: “Gjithçka për Francën”. Ai ishte si një pedanë për kandidimin e dytë në muajin prill të 2017-ës. I shkruajtur në shtëpinë në Rivierë, pronë e bashkëshortes së tij, Carla Bruni, me kaq nxitim saqë edhe gabimet ortografike janë injoruar, në libër argumentohet se Nikolas Sarkozisë i duhej të rikthehej, për një arsye të thjeshtë: Franca ka nevojë për të, ashtu si dikur Franca kishte nevojë për Charles de Gaullen.

Nuk është e kollajtë të kandidosh përsëri, kur je larguar nga detyra prej një shumice të qartë votuesish. Nuk është kollajtë as të kthehesh kur ka një shumicë opinionesh negative kundër teje.

Por një gjë që nuk i mungon Nikola Sarkozisë, është ambicia politike. Sado jopopullor të jetë, ai do të bëjë të pamundurën që të rikthehet. Problemi këtë herë nuk është presidenti në detyrë, por zgjedhjet brenda partisë. Sepse Sarkozi nuk është më kampioni i të djathtës, por sfidanti: në këtë garë brenda partisë, ai që kryeson është ish ministri i tij i Jashtëm, Alain Juppé.

“Po përse Franca duhet ta dojë Sarkozinë në 2017-ën, kur nuk e deshi në 2012-ën?”, vijon komenti i Kaufmfan. Dhe po aty për aty, në editorialin e Nju Jork Tajms, ajo përgjigjet: “Sepse, ashtu si e ka shkruajtur dhe vetë Sarkozi në libër, ky nuk është më i njëjti vend. Situata e krijuar prej sulmeve të fundit terroriste kërkon një njeri të fortë dhe me përvojë në krye. “Ndjeva që kisha forcën të udhëhiqja këtë betejë në një moment kaq të trazuar të historisë sonë”, shkruan vetë Sarkozi në libër. Sarko po shpreson se kjo frymë e rigjetur patriotike, do të fshijë të gjithë kujtimet që ai la pas – egon obsesive, arrogncën, dhe shpirtin e tij luftarak.

A do ia dalë mbanë? Sarko është i bindur që zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të luftohen në të djathtë dhe jo në qendër. Çështja Nr. 1 e kësaj fushate, mendon ai, nuk do të jetë ekonomia, të cilën nuk pati kurajë ta reformonte kur ishte në detyrë, por Franca, lufta dhe Islami: “It’s the identity, studpid!” /www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button