Bota

Sarko nuk ka “mbaruar”. Mund të jetë “kingmaker”

Nicolas Sarkozy, ish-presidenti francez, është duke manovruar për t’u kthyer në pushtet, si bosi në prapakuintë, i Emmanuel Macronit, kandidati i pavarur që është favorit për të fituar zgjedhjet presidenciale franceze muajin e ardhshëm. Sarkozy, 62 vjeç, i cili humbi presidencën përballë socialistit François Hollande pesë vjet më parë, i sheh të zeruara shanset e François Fillon, kandidati presidencial i partisë së tij konservatore, dhe ka vendosur në vend të kësaj objektivat e tij në një fitore të partisë në zgjedhjet parlamentare të qershorit, thonë kolegët e tij. Rezultati i atyre zgjedhjeve do të diktojë, nëse presidenti i ri do t’i ketë mjetet për të drejtuar vendin.

Fillon, i cili mposhti Sarkozynë në garën brenda republikanëve vjeshtën e kaluar, ka rënë në vendin e tretë në sondazhe, pak javë para raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale më 23 prill, pasi u akuzua për pagesa të paligjshme për gruan dhe fëmijët e tij, në listën e pagave parlamentare. Ditën e shtunë, në kampin e Fillon u zemëruan nga një lëvdatë që i bëri Macronit, Christian Estrosi, presidenti konservator i rajonit Provence-Alpes-Côte d’Azur dhe një aleat i ngushtë i Sarkozysë. “Kjo nuk ishte një ide e mirë, tre javë para zgjedhjeve tashmë të komplikuara, teksa shumë votues janë të çorientuar”,  tha Éric Voerth, një republikan që po bën fushatë për Fillonin.

Takimi i Estrosit me Macronin, u pa si një sinjal nga Sarkozy se ai ishte i hapur për një aleancë. Macroni, një ish-ministër në administratën e Hollande, nuk mund të qeverisë pa një shumicë funksionuese në Kuvendin Kombëtar 577-vendësh. Një favorit i fuqishëm për të mundur Marine Le Pen, kandidaten e ekstremit të djathtë, në raundin e dytë në maj, rishtari politik ka në plan të paraqesë kandidatë për në parlament, në të gjitha zonat, në emër të lëvizjes së tij personale, “En Marche”. Gjysma e tyre nuk do të kenë përvojë parlamentare dhe gjysma do të jenë femra, ka premtuar ai.

Macron pretendon se kjo do i japë të paktën një shumicë relative. “Nëse ata zgjedhin projektin tonë, nuk ka dyshim që francezët do të na ndjekin dhe do të na ofrojnë mjetet për ta zbatuar”, tha ai javën e kaluar. Megjithatë, një president Macron pak gjasa ka që të fitojë më shumë se një dyzinë vendesh, dhe me shumë gjasë do të varet nga një koalicion, duke përfshirë qendrën e majtë dhe qendrën e djathtë, thonë analistët.

Franca nuk është gjendur në një situatë të tillë potencialisht të paqëndrueshme, qysh prej viteve 1950. Fronti Nacional i Marine Le Pen me shumë gjasë do e rrisë praninë parlamentare, duke zënë më shumë se 30 vende.

Nëse fiton Le Pen, aftësia e saj për të qeverisur me mbështetje parlamentare do të jetë më e vështirë se sa e Macronit, pasi ajo nuk do të kishte aleatë.

Një sondazh i BVA tregon se gara po shtrëngohet. Macron dhe Le Pen humbën secili nga një pikë, e tani kanë respektivisht 25 dhe 24 %. Ndërsa Fillon fitoi dy pikë, aktualisht me 19 %. /The Times – bota.al

Leave a Reply

Back to top button