Kush është dhe çfarë planesh ka Sebastian Kurz, që në moshën 30 vjeçare sapo ka arritur të rrëzojë qeverinë austriake dhe tani do të kandidojë duke u frymëzuar nga Macron dhe Rutte kundër populistëve
Austria hynë në rrugën e zgjedhjeve të parakohshme, pasi Ministri i Jashtëm i saj Sebastian Kurz ka zgjedhur që t’i japë fund Koalicionit të Madh me socialdemokratët si akt të parë pas zgjedhjes së tij në krye të Partisë Popullore Austriake. “Do të takoj Kancelarin Christian Kern dhe Presidentin Alexander Van der Bellen dhe do t’u bëj një sugjerim. Nga këndvështrimi im, hapi i parë duhet të jetë të arrihet në një vendim të përbashkët në favor të zgjedhjeve të parakohshme”, ka thënë Kurz, sapo ka marrë mbështetjen unanime të ÖVP-së për të marrë kryesimin e partisë pas dorëheqjes së Zëvendëskancelarit Reinhold Mitterlehner. Në të 30-at, pasi është bërë “fëmija – gjeni” i politikës austriake, Kurz ka ngut. Ngutet që të rilidhë fatet e partisë së tij konservatore, e lodhur nga vite koalicioni të madh me socialdemokratët e SPÖ-së. Ngutet për t’u bërë Kancelar që të futet në ajkën e politikës europiane, ku karriera e tij është ndjekur me ndjenja kontradiktore entuziazmi dhe mirëkuptimi.
Për të fituar zgjedhjet që duhet të mbahen në vjeshtë, Kurz ka ndërmend të frymëzohet nga dy yje të afirmimit europian: Emmanuel Macron dhe Mark Rutte.
Presidenti i ri francez është njeriu i rinovimit të politikës dhe i tejkalimit të frakturës tradicionale e djathtë – e majtë, të cilën Kurz po kërkon t’ia imponojë ÖVP-së së tij. Kryeministri hollandez është lideri i “populizmit të drejtë” me të cilin mund të mundet “populizmi i gabuar” që rrezikon të marrë pushtetin në Vjenë, duke luajtur kartën e retorikës dhe të politikës së ashpër ndaj islamit, identitetit dhe emigracionit. Basti i Kurz hap një periudhë të re pasigurie dhe jostabiliteti në zemër të Europës. Një afirmim i qartë i tij mund t’ia ndërpresë rrugën FPÖ-së, duke i shkaktuar një humbje të re populistëve antieuropianë pas zgjedhjeve në Hollandë, presidencialeve në Francë dhe rajonaleve në Gjermani. Por rezultati mund të jetë edhe ai i kundërt, me trashëgimtarët e Joerg Haider sërish në qeveri në Vjenë.
I lindur dhe i rritur në kryeqytet, Kurz ka pasur një karrierë të rrufeshme brenda shumë konservatores Parti Popullore Austriake. I zgjedhur në 2009 si President i forumit rinor të ÖVP-së, pasi ka braktisur universitetin për mungesë kohe, në 2011 ishte tashmë Sekretar Shteti për Integrimin i qeverisë së Koalicionit të Madh të drejtuar nga Kancelari I atëhershëm Werner Faymann: një post i krijuar kinse për atë djalosh ambicioz dhe ta palëkundur, që qysh atëhere gëzonte mbështetjen entuziaste e shtypit të markës tabloid. Dy vite e gjysmë më vonë, në dhjetor të 2013, Kurz është zgjedhur papritmas si Ministër i Jashtëm i ri për të “rinuar” pak qeverinë e ÖVP-së dhe tentuar për t’ju përgjigjur sfidës së FPÖ-së, në krye në të gjitha sondazhet pavarësisht rezultatit shumë të keq të dy muajve më parë. Dhe është si shef i diplomacisë austriake që Kurz u ka rënë në sy kancelarive europiane prej shpirtit të tij ngazëllyes, të folmes së qartë, prioritetit absolut të dhënë interesave të Austrisë, fjalëve shumë të ashpra lidhur me temat e ndjeshme për opinionin publik.
Në 2015, gjatë krizës së refugjatëve, ka qenë në vijën e parë e denoncimit të politikës së dyerve të hapura të Angela Merkel dhe në propozimin e rifutjes së kontrollit të kufijve. Në 2016, me denoncimin e represionit të Erdoganit pas grushtit të shtetit të dështuar dhe kërkesës për t’u dhënë fund negociatave për aderimin gjatë fushatës për referendumin lidhur me reformën kushtetuese, e ka bërë Turqinë kalin e tij të betejës në mbledhjet e Ministrave të Jashtëm europianë dhe në shtypin popullor austriak. Për vlerësuesit e tij, “Kurz përfaqëson të ardhmen e PPE-së”, siç shprehet një burim nga familja popullore europiane. Për denigruesit e tij “është një fotokopje e pastruar e populizmit ksenofob të së djathtës ekstreme”, siç shpjegon një burim nga familja socialiste.
Në thelb, midis Macron dhe Rutte, Kurz duket shumë më afër me Kryeministrin hollandez, që ka arritur të fitojë zgjedhjet politike e 15 marsit duke u thënë myslimanëve që nuk donin ta pranonin stilin e jetesës së Vendeve të Ulëta se mund të “ktheheshin në shtëpi”. Gjatë fushatës elektorale hollandeze, Rutte e kishte nënvizuar shumë herë diferencën midis “populizmit të gabuar” të së djathtës ekstreme të Geert Wilders dhe “populizmit të drejtë” që dëgjon preokupimet e popullit. Në të njëjtën mënyrë, në momentin ku duhet të përballojë sfidën e FPÖ-së, temat e preferuara të Kurz nuk janë Europa, reformat dhe tregëtia e lirë, por identiteti, emigracioni dhe Turqia. Në 2015 ka propozuar dhe mbështetur një ligj të ri mbi islamin për të ndaluar financimet nga jashtë për xhamitë e imamët dhe të adoptohej një version i dakordësuar i Kuranit për myslimanët e Austrisë (më pas vetëm masa e parë ka kaluar në Parlament). Në 2016 ka mbrojtur linjën e ashpër ndaj emigrantëve dhe tavanin maksimal për hyrjen e kërkuesve të azilit në Austri në shkejle të rregullave europiane dhe ndërkombëtare dhe. Shkurtin e 2017 ka thënë se Erdogani nuk ishte i “mirëpritur” në vend për të bërë fushatë lidhur me referendumin kushtetues. Në mars ka kërkuar të modifikohen normat europiane të Schengen për të tejkaluar “rregullat burokratike” dhe mundësuar “bërjen e kontrollit në kufijtë e mundshëm” në rast rritjeje të emigrantëve të paligjshëm. Sipas Kurz, “njerëzit kanë të drejtë të zemërohen nëse Bashkimi Europian është shumë i dobët për të mbrojtur kufijtë e tij, por i detyron të gjitha restorantet që t’i ndryshojnë menutë sipas linjave drejtuese lidhur me produktet alergjike”.
Lidhur me formën Kurz po bën një operacion krejtësisht macronian. Për t’u zgjedhur në krye të ÖVP-së ka pretenduar një modifikim të statutit dhe të emrit të partisë. Partia Popullore Austriake e re – Lista Kurz do të jetë një lëvizje e hapur ndaj shoqërisë civile dhe të zgjedhurve nga formacione të tjera politike konkurrente. Të gjitha vendimet do të kalojnë nga kryetari. Objektivi është që të shkohet përtej bazës rurale të ÖVP-së – 500000 anëtarë në një vend me më pak se 9 milion banorë – dhe të tërheqë votuesit e majtë, të ambientalistëve dhe sidomos të së djathtës ekstreme. ÖVP-ja e vjetër, e konsideruar partia e Kishës, siç e treguan presidencialet e vitit të kaluar, kur kandidadi konservator Andreas Khol është eliminuar bashkë me socialdemokratin Rudolf Hundstrofer nga ekologjisti Alexander Van der Belen dhe nga populisti Norbert Hofer, nuk pëlqehet më. Sipas Khol, Kurz është i vetmi që mund të shmangë “mbytjen” e anijes ÖVP. Sondazhet duket se e konfirmojnë.
Partia Popullore Austriake ka bërë një hop përpara në qëllimet e votës qysh kur Kurz ka njoftuar kandidaturën e tij në krye të ÖVP-së dhe vullnetin për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Sipas një sondazhi të Research Affairs/Österreich, popullorët duket të kenë kaluar nga vendi I tretë në të parin, me 35% kundrejt 21% të SPÖ-së. Sipas një sondazhi IFES, duhet të jenë baraz në 28% me socialdemokratët. Në të dyja rastet, populistët e FPÖ-së do të humbisnin terren, duke u ndalur në rreth 25%. Është analogjia tjetër me Macron: ide të freskëta dhe fytyrë fëmije, Kurz do të duhet të demonstrojë se një lider mainstream është në gjendje të mundë antiestablishmentin edhe në Austri.
Shumë pyesin nëse zgjedhja e Kurz për ta forcuar dorën lidhur me zgjedhjet e parakohshme nuk përbën ndonjë rrezik. Kancelari aktual Christian Kern ka paralajmëruar se zgjedhjet mund t’i hapin dyert FPO-së. “Pasojat do të ishin të konsiderueshme”, ka thënë Kern. Si socialdemokratët, ashtu edhe popullorët kanë pasur përvoja qeverisjeje në nivel rajonal me FPÖ-në pasi koalicioni midis ÖVP-së dhe FPÖ-së i epokës Haider që e bëri Bashkimin Europian ta sanksionojë Austrinë.
Kurz ka deklaruar se nuk ka ndërmend të bëhet “partneri i vogël” i antieuropeistëve dhe e shënjestron rregullisht Heinz – Christian Strache, liderin e FPÖ-së, ama ekziston dyshimi se, në rast fitoreje të ÖVP-së, është i gatshëm të bëhet aleat me të djathtën ekstreme boll që të çojë socialdemokratët në opozitë (kushti do të ishte përzënia e Strache nga ana e FPO-së). Për aspekte të tjera, me Kern që e ka çuar SPÖ-në shumë më djathtas lidhur me temat identitetit dhe integrimit, të dy partitë e Koalicionit të Madh rrezikojnë të bëjnë konkurrencë midis tyre, duke ua lënë të tjerëve (sidomos të Gjelbërve dhe liberalëve të NEOS-it) mbrojtjen e vlerave liberale e të hapjes ndaj botës. Veç të tjerash, një pjesë e SPÖ-së do të ishte e gatshme të bëhej aleate me FPÖ-në.
Hyrja në qeverinë e Vjenës e trashëgimtarëve të Joerg Haider është e panjohura që preokupon më shumë Brukselin dhe partnerët europianë të Austrisë. Pas një viti, pas ciklit të madh elektoral të 2017, pjesa më e madhe e kryeqyteteve të BE-së do të gjendet me një mandat të ri elektoral. Në Këshillin Europian do të kenë mundësinë që të rihapen kantierë të ndryshëm komunitarë (reforma e zonës euro, modifikimi i mundshëm i traktatit europian, rishikim i bilancit shumëvjeçar) pa u dashur të preokupohet për skadenca të reja elektorale. Pas sukseseve të Rutte e të Macron, sapo të rikonfirmohet Merkel për 4 vite të tjera, shpresa e shumë njerëzve është se axhenda europeiste positive do t’ia marrë krahun populizmit nacionalist të së majtës ekstreme e të djathtës ekstreme që e ka kërcënuar BE-në gjatë viteve të fundit, edhe pse në forma të ndryshme. Për Austrinë, me Kurz dhe Kern që shprehin vizione gjithnjë e më shumë sovraniste për të luftuar populizmin, frika është se në vend që të shikojë nga Parisi e Berlini, Vjena të nisë e të shikojë nga Budapesti e Varshava.
Përgatiti:
ARMIN TIRANA / bota.al