Bota

SEKRETI i Izraelit dhe bomba atomike në Luftën e Gjashtë ditëve

Izraeli mendonte të përdorte bombën atomike gjatë Luftës së Gjashtë Ditëve, në qershor të vitit 1967. Do ta kishte hedhur në gadishullin e Sinait, si një paralajmërim kundër Egjiptit dhe forcave arabe, armike të shtetit hebre. Zbulimi vjen tani, pesëdhjetë vjet pas këtyre ngjarjeve, në një artikull të botuar në Nju Jork Tajms. Por kjo nuk është hera e parë që hidhet një argument i tillë. Plani u zbulua për gazetën amerikane nga studiuesi Avner Cohen, i cili ka kryer kërkime të gjera mbi këtë temë, duke intervistuar ushtarakë në pension. Si për shembull Itzhak Yaakov, i cili vdiq në vitin 2013 në moshën 87 vjeç, dhe që, mes viteve 1999 dhe 2000, la dëshminë e tij të regjistruar në kasetë, bashkë me detajet për operacionin sekret, me emrin e koduar “Sansone”, emri i heroit biblik me forcë shumë të madhe.

Plani parashikonte që bomba të hidhej në majë të një mali në Sinai, 12 milje larg nga baza ushtarake e Abu Ageila, në një pikë kyçe, ku, më 5 qershor 1967, Ariel Sharon urdhëroi trupat izraelite në një betejë kundër egjiptianëve. “Si mund të ndalet një armik? Duke e trembur”, i tha Yaakov Cohenit. Ai shtoi: “Ishim vërtetë shumë pranë”.

Nëse “opsioni Samson”, që, sipas Yaakov, quhej kështu në zhargonin ushtarak, do të ishte përdorur, ai do të kishte sjellë shpërthimin e parë bërthamor të përdorur për qëllime ushtarake, pas sulmeve amerikane në Hiroshima dhe Nagasaki, njëzet e dy vjet më herët. Por plani nuk u vu asnjëherë në zbatim, sepse fitorja e shpejtë e Izraelit dhe shkatërrimi i të gjithë forcave ajrore të Egjiptit të Nasserit, e bënë të padobishme këtë gjë. “Është sekreti i fundit i luftës së vitit 1967”, tha Cohen për Nju Jork Tajms.

Izraeli nuk e ka konfirmuar dhe as e ka mohuar të ketë patur armë bërthamore. Një zëdhënës i ambasadës izraelite në Uashington tha se qeveria izraelite nuk do të komentojë mbi rolin e Yaakovit. Fakti është se, në vitin 2001, Yaakov u arrestua me akuzën e zbulimit të informacioneve, për një gazetar izraelit me qëllim që të dëmtonte sigurinë e shtetit. Ai u shfajësua nga akuza kryesore, por për pjesën tjetër të jetës vazhdoi me miqtë e tij, si dhe oficerë ushtarakë në pension, për të mbështetur tezën e tij. Studiuesi Cohen pretendon të ketë nxjerrë më në fund në dritë të vërtetën… / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button