Bota

Shansi i Obamës për paqe në Lindjen e Mesme

screen-shot-2016-09-19-at-08-50-41

Nga Karl Bildt

Stokholm – Viti i ardhshëm shënon 100-vjetorin e Deklaratës së Balfurit në Britani, që i hapi rrugën themelimit të shtetit Izraelit në vitin 1948, dhe konfliktit mes Izraelit dhe palestinezëve, si dhe botës më të gjerë arabe, i cili vazhdon edhe sot. Udhëheqësit botërorë që do të mblidhen në Nju Jork në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me siguri që nuk do të kenë kohë për të diskutuar këtë sfidë shumëvjeçare politike.

Por, pavarësisht nga të gjitha problemet e tjera të Lindjes së Mesme – dhe në dukje të mëdha – konflikti izraelito-palestinez është çështja kyçe që do të përcaktojë nëse e ardhmja e rajonit do të jetë apo jo paqja dhe prosperiteti. Konflikti – pavarësisht nëse zgjidhet apo jo – do të ndihmojë në përcaktimin e trashëgimisë së politikës së jashtme të presidentit amerikan Barak Obama.

Ndërsa mandati i dytë i Obamës po i afrohet fundit, ia vlen të kujtohet se kur erdhi në pushtet në vitin 2009, kërkoi afrimin me botën muslimane. Në fjalimin e tij historik në Kajro në qershor të atij viti, Obama e përshkroi gjendjen e palestinezëve si “të patolerueshme” dhe premtoi të ndiqte – “me gjithë durimin dhe përkushtimin që ia kërkon detyra “- një politikë të “dy shteteve, ku izraelitët dhe palestinezët të jetojnë secili në paqe dhe siguri”.

Që prej asaj kohe, Obama ka bërë shumë pak përparim mbi këtë çështje, ndonëse jo për shkak të mungesës së përpjekjeve. Gjatë mandatit të parë të Obamës, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu dhe republikanët në Kongresin Amerikan, u bashkuar kundër tij për të penguar çdo përpjekje kuptimplotë për arritjen e paqes. Dhe gjatë mandatit të tij të dytë, sekretari i tij i shtetit, Xhon Kerri, udhëhoqi një përpjekje heroike 9-mujore – që përfshiu pothuajse 100 takime dypalëshe me udhëheqësit izraelitë dhe palestinezë – dhe që mjerisht thjesht dështoi.

Netanjahu dhe presidenti palestinez Mahmud Abaz, kanë shprehur tani gatishmërinë për t’u takuar, në Moskë apo në ndonjë vend tjetër që ende mbetet për t’u përcaktuar. Por askush nuk pret që palët të shënojnë sëriozisht përparim të vërtetë drejt një zgjidhje me dy shtete. Një arsye është se Netanjahu po pret që Obama të largohet nga posti.

Prioritetet e tij aktuale janë garantimi i një marrëveshje të madhe të ndihmës ushtarake me SHBA në muajt e ardhshëm, dhe orkestrimin e një fushate te re të marrëdhënieve me publikun, e cila të justifikojë politikën aktuale të qeverisë së tij në lidhje me vendbanimet në territoret e pushtuara, të cilat bashkësia ndërkombëtare i ka dënuar si të paligjshme.

Për më tepër, autoriteti i Abaz është duke u zbehur, dhe nuk ka mandat që një lider palestinez të bëjë përpjekje serioze për paqe në klimën e sotme politike. Largimi nga detyra pa pasur progres mbi një çështje të cilës ai në mënyrë specifike premtoi t’i japë zgjidhje, do të jetë

një dështim madhor për Obamën. Fatmirësisht, ai ende ka kohë, dhe shumë nga presidentët e mëparshëm amerikanë, kanë vendosur preçedentin e diplomacisë së spikatur gjatë muajve të tyre të fundit në Shtëpinë e Bardhë.

Në fund të vitit 1988, Ronald Regan e njohu Organizatën për Çlirimin e Palestinës, dhe autorizoi Departamentin e Shtetit të fillojë dialogun “substancial” me udhëheqësit e OÇP-së. Në fund të vitit 2000, Bill Klinton publikoi parametrat e tij për një kornizë të ardhshme të paqes. Dhe, duke filluar me Konferencën e Anapolisit në fund të vitit 2007, Xhorxh W. Bush ndërmjetësoi një seri negociatash midis Abaz dhe kryeministrit izraelit Ehud Olmert.

Tani është rradha e Obamës, dhe ai duhet të nxisë miratimin e një rezolute në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që të përcaktojë parametrat e rinj për një marrëveshje të ardhshme të paqes, dhe zëvendësuar kësisoj Rezolutën 242 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila daton që nga Lufta Gjashtë Ditore e vitit 1967 mes Izraelit nga njëra anë dhe Egjiptit, Jordanisë dhe Sirisë në anën tjetër.

Komuniteti ndërkombëtar pranon se dhënia fund e konfliktit është në interesin e të gjithëve – Franca ka argumentuar për një kohë të gjatë nevojën e një rezolutë të re, dhe Rusia nuk ka asnjë motiv për ta kundërshtuar diçka të tillë. Obama duhet të fillojë duke nisur kontaktet me Rusinë, Bashkimin Evropian dhe Kombet e Bashkuara për të diskutuar mbi mënyrën se si duhet

të formulohet rezoluta.

Atij do t’i duhet mbështetje ndërkombëtare, për shkak se Netanjahu me siguri do të kundërshtojë çdo parametër të ri që do të dëmtontë vetë vizionin e tij dhe gjithnjë e më e dukshëm të një Izraeli të Madh, nga Mesdheu në lumin Jordan. Netanjahu do të ketë aleatët amerikanë që do ndërhyjnë për të. Kandidati republikan për president Donald Tramp as nuk përmend në platformën e tij mundësinë e një zgjidhje me dy shtete; ndërsa kandidatja demokrate, Hilari Klinton, ka siguruar organizatat amerikane pro Izraelit, se kundërshton çdo rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit që do të hidhte themelet e një marrëveshje të re në të ardhmen.

Megjithatë, një rezolutë e re mund të vijë në mënyrë ideale në nëntor, tamam pas zgjedhjeve amerikane, duke ia kursyer kostot politike presidentit të ardhshëm. Një administratë Klinton do të përfitonte duke patur diçka në tryezë mbi të cilin mund të punojë, dhe një administratë Tramp do të përfitonte nga pritshmëritë e ulëta, ndërsa do të kufizohej nga bërja e më shumë dëmeve që mund të kishte shkaktuar.

Vetë rezoluta do të duhet të jetë shumë më gjithëpërfshirëse, se sa përpjekjet e mëparshme nga ana e Këshillit të Sigurimit. Në fakt, Rezoluta 242 as nuk i përmend palestinezët apo një shtet të ardhshëm palestinez. Një model shumë më i mirë do të jetë Iniciativa e Arabe e Paqes nga ana e Lidhjes Arabe në vitin 2002, i cili mishëron një perspektivë më të gjerë rajonale, dhe që Obama ka thënë më herët se do t’i japë Izraelit “paqen me botën myslimane, nga Indonezia në Marok”.

Për më tepër, një rezolutë e re duhet të vendosë që bashkësia ndërkombëtare s’do të njohë asnjë ndryshim të kufijve të para vitit 1967, përfshirë edhe ato që prekin Jeruzalemin. Nuk ka dyshim, se një rezolutë tani nuk do të çojë në një paqe të menjëhershme, apo edhe tek bisedimet e paqes. Në fakt, ajo mund të ndajë më tej izraelitët dhe palestinezët në të ardhmen e afërt.

Por në qoftë se bota do që të shmangë një konfrontim të ardhshëm kataklizmik, ndërmjet një Izraeli të Madh në krijimin e sipër dhe një Palestine të mbështetur nga një aleancë më e madhe e vendeve arabe, kushtet për bisedime që çojnë në një zgjidhje të qëndrueshme mes dy shteteve duhet të krijohen që tani.

Obama është në gjendje të krijojë një kornizë për një zgjidhje të mundshme. Nëse ai e bën këtë, kjo do të tregojë se fjalimi i tij në Kajro nuk ka qenë i kotë, dhe mundet edhe të justifikojë çmimin Nobel për Paqe të marrë në fillim të presidencës së tij, kur ai u zotua se paqja midis Izraelit dhe Palestinës do të ishte një pjesë përcaktuese e trashëgimisë së tij.

www.bota.al / Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Obama’s Chance for Middle East Peace

Leave a Reply

Back to top button