Histori

“Sharli i Madh” në krye të shtetit

 
Çlirimi i Francës 12/12. Gjenerali De Gol pati aftësinë të imponohej si një figurë mbrojtëse e rezistencës në Francë. Kur mori drejtimin e qeverisë provizore të Republikës Franceze më 3 qershor 1944, atij i mbeti vetëm të kishte mbështetjen e popullit francez

Jean-Pierre Azéma

de gaulleNë vitin 1946, Sharl De Gol me thjeshtësinë tipike do t’i deklaronte ndihmësit të tij: “Unë gjithmonë kam menduar se një ditë do të jem në krye të Shtetit”. Por debatet mbi çlirimin kanë pëfshirë sidomos qëllimet e Partisë Komuniste franceze dhe nuk kanë përfillur etapat e marrjes së pushtetit golist.
Në qershor të vitit 1940, ky gjeneral brigade u rebelua dhe dëshironte të ishte jo shef i një legjioni të huaj, por i një France gjithmonë në luftë, aleate me Britaninë e Madhe.
Fillimisht i mbështetur nga Çërçilli, ai u pajis shumë shpejt me një bazë territoriale në Afrikën ekuatoriale franceze. Më 27 tetor dhe 14 nëntor 1940 “në emër  të popullit dhe të perandorisë franceze”, “në tokë franceze (në Brazavil), një “manifest” dhe një “deklaratë organike”, ai i bëri farncezët të mos i bindeshin “pseudo-qeverisë së Vichy-së”.
Duke përmendur legjimitetin e kombit gjithnjë në luftë, gjenerali mori përsipër “detyrën e shenjtë” të një pushteti provizor. Ai krijoi “Urdhërin e Çlirimit” dhe më pas botoi një Gazetë zyrtare të Francës së Lirë. Megjithë situatën në Francë, De Goli ishte largpamës.
Në këtë periudhë, forcat franceze të lira mezi numëronin 35000 luftëtarë. Dhe në se Franca e lirë krijonte rrjete, sidomos të informimit, lëvizjet e rezistencës lindin në mënyrë të pavaruar nga Londra.
Deri në vitin 1942 De Goli shihej më shumë si një person përçarës, se sa bashkues, madje ai akuzohej si një person që derdhte gjakun francez në Dakar të Senegalit dhe në Siri.
Në vitin 1942, me zbarkimin amerikan në Afrikën e veriut, Franca e lirë, madje tashmë e shndwrruar nw “Franca luftëtare” kishte rënë në trishtim. Uashingtoni, duke preferuar “autoritetet vendas” zgjodhi admiralin Darlan, dhe më pas gjeneralin neovishist Henri Giraud. Ruzvelti e bindi Çërçillin të mos i zinte besë De Golit, i cili bënte veçse me kokën e tij dhe nuk i besonte anglo-saksonëve.  
De Goli me mençuri braktisi apolitizmin e djathtë të fillimeve të Francës së Lirë dhe kërkoi pjesëmarrjen e lëvizjeve për t’u shfaqur si shef i një kombi  republikan dhe rezistent.
Pra, më 11 janar 1943, Remy, një agjent shumë aktiv i Francës së lirë, mbërriti në Falmouth, i shoqëruar nga Fernand Grenier, anëtar i komitetit qendror të Partisë Komuniste Franceze, atëherë në ilegalitet: ky i ofronte gjeneralit  mbështetjen e shokëve francezë, të nxitur nga Kominterni, që të gjente një kompromis me “borgjezinë patriote”. De Goli, i impresionuar nga beteja e bërë në Stalingrad do të shprehej: “Franca luftëtare mund të mbështetet në Partinë  komuniste franceze”.
Autoriteti i tij u forcua nga Jean Moulin dhe më 27 maj 1943, ai bashkoi  forcat rezistuese  në një këshill  – Këshilli i ardhëshëm kombëtar i rezistencës  (CNR) – me pushtetin konsultativ, por që ishte embrioni i përfaqësimit kombëtar. “De Goli i vogël”, siç e quante atë Giraud, mundi të kalonte në Algjer, pranoi zgjidhjen “e marrë dhe bastarde” të bashkëpresidencës me rivalin e tij, të një qeverie provizore.
Më 14 korrik 1943  ai do të pohonte: “Në qoftëse ende ekziston Bastija, unë besoj se ajo vetë, me dëshirë, do t’i hapte portat e saj. Sepse kur fillon lufta midis popullit dhe Bastijës, është gjithmonë “Bastija qw pwrfundon tw ketw tw drejtw”. Dhe bëri kujdes të saktësonte: “Por francezët duan që t’i rregullojnë punët e tyre nw mwnyrw tw rregullt”.
Pak e nga pak, Giraudi ishte mënjanuar, ndërkohë që po lindte një “Republikë e Algjerit” dhe më 3 nëntor 1943,  u mbajt Asambleja konsultative provizore. Më 4 prill të vitit 1944, dy ministra komunistë do të futeshin në qeverinë provizore.
De Goli, duke mos mundur të arrinte një barazi parimesh me aleatët, as madje të kufizonte fuqitë e tepruara që u ishin dhënë amerikanëve në Algjeri, nuk ngurroi të shpallte më 21 mars dhe më pas më  22 prill, urdhëresa që kishin të bënin me “ushtrimin e pushteteve civile dhe ushtarake në territorin metropolitan gjatë çlirimit të tij”.

Pasi caktoi delegatë ushtarakë rajonalë, të ngarkuar që të inkuadroheshin në rezistencën e armatosur, ai caktoi, në marrëveshje me rezistencën, personat që do të bëheshin menjëherë komisarë rajonalë dhe prefektë. Më në fund, më 3 qershor, ai u pranua si president i qeverisë provizore të Republikës franceze,  njëkohësisht dhe shef i ushtrisë. I mbetej atij të pranohej dhe nga populli francez.
Aleatët nuk hidhnin poshtë ndihmesën për një ushtri franceze të rikrijuar. Por Ruzvelti, duke i refuzuar çdo dukshmëri politiko-ushtarake De Golit, kufizoi në maksimum çdo pjesëmarrje franceze në Ditën e zbarkimit (D-Day). Për këtë ditë gjenerali njihte vetëm vijat e frontit.
Ajzenhauri e kuptoi  që  ato do të duhej të ndërhynin në këtë ditë  të paktën për t’i shfaqur bashkëkombësve të tij nevojën e sakrificave. I ftuar që të shkonte në Londër më 3 qershor, si “mik” i qeverisë së Madhërisë së Saj, de Gaulle aprovoi planin “Overlord”, por u përplas me aleatët e tij. Çërçilli, i mërzitur dhe duke parë De Golin që refuzonte të garantonte pasojat politike të operacionit, u shpreh me frazën e cila u bë e famshme: “Dijeni mirë! Sa herë që ne na duhet të zgjedhim midis Evropës dhe detit të hapur, ne do të jemi gjithmonë  për detin e hapur”. Dhe kur Ajzenhauri përmendi  shpalljen që ai u drejtohej popujve të Evropës, De Goli duke e vlerësuar këtë shpallje, se do ta bënte Francën një vend njëkohësisht të çliruar dhe të pushtuar, refuzoi të shprehej menjëherë pas tij. “Vaftë në djall!”, thirri amerikani; ndërsa Çërçilli do të sugjeronte që ta dërgonin atë në Algjeri, po qe nevoja, edhe “të lidhur”!
Fjalimi i De Golit, më golist se asnjëherë, u shpërnda vetëm tetë orë pas fjalimit të Ajzenhauerit. “Beteja e madhe ka nisur… . Sigurisht kjo është beteja e Francës, kjo është beteja e Francës… . Dielli i madhështisë tonë po rishfaqet”. Çërçilli do të “vajtonte” për këtë.
Ishte koha që kjo “betejë e Francës” duhej të fitohej. Më 14 qershor, në Bayeux, De Golin e pritën ftohtë. Ai u bëri thirrje njerëzve që si gjithmonë të angazhuar të merrnin pjesë në luftime (një gënjeshtër e madhe patriotike!). Por më datë 4 gusht në Isigny dhe më pas në  Renë atë e pritën më ngrohtë.
Ajzenhauri i shoqëruar nga një divizion amerikan do të marshonte në  Paris. De Goli, duke iu bashkuar gjeneralit Leclerk më datë 25 gusht 1944 do të marshonte në Parisin e çliruar, duke e kthyer këtë ditë një ditë absolutisht goliste.
Më vonë në kujtimet e tij ai do të shkruante: “Asgjë nuk mungon tani me përjashtim të Shtetit. Më takon mua që ta bëj atë”.
Në këmbë më parë do të shkonte në Prefekturën e policisë, një institucion i Shtetit, dhe më pas në Hotel de Ville, djepi i revolucioneve pariziane. Në fjalimin e tij ai do t’i drejtohej parizianëve: “Paris! Paris i revoltuar! Paris i copëtuar, Paris i martirizuar, por Paris i lirë! I çliruar nga  vetë ai, i çliruar me mbështetjen dhe pjesëmarrjen e të gjithë Francës… “.

Pushtetin e fituar mbetej që ta ushtronte, ndërkohë që natën Parisi ishte bombarduar. E rëndësishme, në sytë e tij, ishte që të afirmonte se Franca ishte bërë sërisht një fuqi luftarake. Qysh më 19 shtator, Forcat e brendshme franceze kaluan në ushtrinë e rregullt; qeveria provizore që ai udhëhiqte kishte autoritetin e vetëm të vepronte në mënyrë ligjore (duke marrë aprovimin e Ansamblesë konsultative). Rendi do të mbahej pa ndihmën e milicëve patriotikë parakomunistë.
De Goli e kapi shpejt  kërcënimin  e dhunës, një nga shenjat e së cilës ishin spastrimet jashtëgjyqësore. Stalini mbante vijën e një kompromisi me shefin e një “borgjezie patriote”, që nuk i bindej Anglo-Saksonëve. De Goli kishte frenuar inisiativat e komunistëve francezë të cilët predikonin lëvizje kryengritëse, duke shmangur një luftë civile. Dhe ai gjykoi me vend të lëvizte nëpër Francë, gjatë gjithë muajit të shtatorit, duke kontrolluar komisarët e Republikës dhe prefektët.
Sipas një sondazhi të IFOP i realizuar në tetor me parizianët, një shumicë e pastërt mbështeste de Golin, aprovonin shpërbërjen e milicëve patriotikë,  prononcoheshin për forcimin e ekzekutivit, si dhe 64% e tyre ishin për të drejtën e votimit të grave.
Dhe aleatët më në fund e njohën de jure qeverinë provizore të Republikës franceze. Pas poshtërimeve të vitit 1940, kompromiset e bashkëpunimit,  Franca rigjente vëndin e saj në oborrin e fuqive të mëdha, pa dyshim sepse  Çërçilli nuk kishte besim të gjindej kokë më kokë me Babain e vogël të popujve, nëse amerikanët braktisnin Evropën, por sepse ajo do të mbante vendin e saj në rendin e ri. Në fund të vitit 1944, “Sharli i  Madh” mendonte se e kishte merituar atdheun e tij. /LE MONDE/
Pergatiti S.METANI
BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button