Bota

SHBA 2016 / Eshtë Hillary kandidatja e demokratëve. Për të bindur Sandersin, “zbret në fushë” edhe Obama

Screen Shot 2016-06-07 at 07.20.10Hillary Clinton është zyrtarisht kandidatja e demokratëve për Shtëpinë e Bardhë. Eshtë një moment historik: Gruaja e parë që bëhet kandidate për presidente, që nga lindja e demokracisë amerikane. Dhe Barack Obama ka folur personalisht për Bernie Sandersin: është koha që të hiqesh mënjanë, në interes të demokratëve dhe të gjithë vendit. Lajmi i fitores është dhënë nga Associated Press në orën 22.20 me orën e Uashingtonit, dhe më pas është konfirmuar gjysmë ore më vonë nga CNN. Numërimi i fundit i delegatëve, pasi janë përfshirë zgjedhjet primare të fundjavës në Portoriko dhe Ishujt Virxhin, me shtimin edhe të superdelegatëve, jep këtë verdikt: Hillary ka kaluar pragun e shumicës absolute, 2383 delegatë, e domosdoshme që konventa e demokratëve në korrik në Filadelfia, ta kurorëzojë si kandidate për Shtëpinë e Bardhë, raporton bota.al.

Por deri në momentet e fundit, festa e madhe e Hillarysë ka qenë e shqetësuar prej Bernie Sandersit. Senatori i Vermontit, që vetëquhet socialist dhe nuk ka qenë asnjëherë anëtar në Partinë Demokratike, ka një marrëdhënie të vështirë me shokët “e rinj” të udhëtimit. Akuzat e tij kundër Hillary Clintonit e vendosin atë pothuaj në të njëjtin rrafsh me Trumpin: më së fundi, polemika mbi fondet e huaja që kanë shkuar për fondacionin filantrop të Clintonit, u bëjnë jehonë akuzave të Trumpit për “crooked Hillary” (e pandershme). Sandersi ka përsëritur prej muajsh, që edhe sistemi i primareve është i trukuar, kundër tij. E ka sidomos me superdelegatët, ata që nuk zgjidhen nga baza e zgjedhësve, por janë parlamentarë dhe guvernatorë, që do të thotë pjesë e establishmentit. Në realitet, avantazhi i Hillary është i paarritshëm, edhe po të zbresësh superdelegatët. Ajo e mund Sandersin në të gjithë frontet, duke përfshirë edhe numrin absolut të votave të bazës, pa delegatët. www.bota.al

Sanderi ka rezistuar deri në fund. Sot do të votohet në një tjetër Super të Martë, e fundit kjo, me një shtet të madh si Kalifornia që jep më shumë se 500 delegatë; një tjetër basen i rëndësishëm votash është Nju Xhersi. Besohej se kjo e martë do të ishte vendimtare për t’i dhënë Hillarysë 2383 delegatët që i duhen. Në realitet ka ndodhur më herët, si konfirmohet edhe nga numërimi përfundimtar i Associated Press. Prandaj ka ndodhur edhe “zbritja në terren” e presidentit, i cili është udhëheqësi i vërtetë i partisë praktikisht. Të dielën, Obama ka patur një bisedë të gjatë telefonike me Sandersin, zbulon Shtëpia e Bardhë: gjysmë ore “presion moral” ndaj Senatorit 74-vjeçar të Vermontit. Për Obamën është thelbësore t’i jepet fund ndarjes, të bëhet bashkimi i partisë, për të përqëndruar të gjitha energjitë në sfidën përfundimtare kundër Trumpit, e cila po rezulton shumë më me risk nga sa parashikohej. Brenda javës Obama mund të shpallë mbështetjen e tij për Clintonin. Mes të dyve ekziston një pakt, që nga koha kur Obama e mundi në primare, por më pas e emëroi Sekretare Shteti në administratën e tij.

Obama e kërkon sa më shpejtë bashkimin e partisë, për të rifituar edhe votat e të rinjve që kanë shkuar për Sandersin gjatë primareve dhe që do të jenë thelbësore në nëntor kundër Trumpit. Për presidentin në detyrë, sfida bëhet personale. Trumpi e sulmoi në vitin 2012 duke shfrytëzuar legjendën false të lindjes së tij në Kenia, e cila e bënte të pazgjedhshëm. Dhe në këto zgjedhje, Obama luan edhe për trashëgiminë historike: fitorja e Trumpit do të ishte edhe një verdikt negativ mbi presidencën e tij. / La Repubblica – Në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button