Forcat e gatishmërisë së lartë të NATO-s kanë nisur stërvitjen e parë në tokën polake, si pjesë e masave të sigurisë të shtuara në vendet e Europës lindore, pas paralajmërimit të presidentit rus, Vladimir Putin se do të përforcojë me 40 predha shtesë arsenalin e armatimeve bërthamore brenda këti viti.
Mbi 2100 trupa të këmbësorisë nga nëntë shtete të NATO-s, mes tyre gjermane, norvegjeze, belge dhe amerikane, do të stërviten në Poloni deri në 19 qershor, ndërsa sekretari i përgjithshëm, Jens Stoltenberg, tha se këto lëvizje ishin të domosdoshme përballë kërcënimit të shteteve anëtare nga Rusia.
Por në një takim me homologun finlandez, Sauli Ninisto, Putin tha se është NATO që po i afrohet kufijve të Rusisë dhe çdo sulm do të marrë përgjigjen e duhur.
“Nëse dikush kërcënon territoret tona atëherë duhet t’i drejtojmë forcat e armatosura, kapacitetet tona modern mbrojtëse, sepse nuk kemi çfarë bëjmë tjetër”.
Tensionet mes Perëndimit dhe Rusisë janë në pikën më të lartë që prej fundit të Luftës së Ftohtë, për shkak të krizës në Ukrainë, ku Perëndimi akuzon Putin se mbështet separatistët dhe ka pushtuar padrejtësisht gadishullin e Krimesë, një pikë strategjike ushtarake dhe ekonomike në Detin e Zi.
Sekretari amerikan i shtetit, Xhon Kerri, tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë dashur kurrë që marrëdhëniet me Rusinë të riktheheshin si në kohën e ish-Bashkimit Sovjetik, por kjo varej kryesisht nga Putin dhe politikat e tij.
“Nëse presidenti Putin zgjedh të bëjë lojë të dyfishtë dhe të lejojë separatistët të sulmojnë edhe më tepër, atëherë është e qartë e madhe që na del përpara” .
Vetëm në 24 orët e fundit, dy ushtarë ukrainas kanë mbetur të vrarë dhe pesë të tjerë të plagosur, ndërsa armëpushimi i Minskut vazhdon të shkelet nga palët dhe luftimet bëhen edhe më të ashpra, me Kievin dhe separatistët në lindje që akuzojnë vazhdimisht njëri-tjetrin.