Agjencitë e inteligjencës amerikane thonë se mund të mos jenë kurrë në gjendje të identifikojnë origjinën e Covid-19, por ata kanë arritur në përfundimin se ai nuk është krijuar si një armë biologjike.
Në një vlerësim të përditësuar se ku e pati fillimin virusi, Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të SHBA tha se një transmetim nga kafsha te njeriu dhe një rrjedhje laboratorike ishin të dyja hipoteza të besueshme për mënyrën se si u përhap.
Por nuk kishte informacion të mjaftueshëm për të arritur në një përfundim final.
Kina e ka kritikuar raportin.
Gjetjet u publikuan në një raport të deklasifikuar, i cili është një përditësim i një vëzhgimi 90-ditor që administrata e Presidentit Joe Biden publikoi në gusht.
Ai thotë se komuniteti i inteligjencës mbetet i ndarë për origjinën më të mundshme të virusit. Katër agjenci vlerësuan me “besim të vogël” se kishte origjinën nga një kafshë e infektuar ose një virus i lidhur.
Por një agjenci tha se kishte “besim të moderuar” se infeksioni i parë njerëzor ka shumë të ngjarë të ishte rezultat i një aksidenti laboratorik, ndoshta duke përfshirë eksperimentimin ose trajtimin e kafshëve nga Instituti i Virologjisë në Vuhan.
Raporti thotë gjithashtu se zyrtarët kinezë nuk ishin në dijeni të ekzistencës së virusit përpara shpërthimit fillestar të Covid-19 në qytetin e Vuhanit, në fund të vitit 2019. Por ai thotë se Kina po vazhdonte të pengonte hetimin global dhe të rezistonte ndaj ndarjes së informacionit. / bota.al