HistoriMAIN

Shpirtra të lirë

Indianët e Amerikës kishin një shoqëri barazitare, jetonin në harmoni me natyrën dhe pa para

Jetonin në një hapësirë shumë të madhe toke, e egër dhe bujare. Liqene dhe pyje të mëdha, lugina të gjelbëra dhe hapësira shkretëtire, vargmale dhe brigje detesh e lumenj. Të organizuar në shumë tribu, lëkurëkuqtë ishin pak në krahasim me atë territor të paanë, që sot e quajmë ëilderness, apo natyra e egër: ishin afro 10 milionë. Pak por të lumtur, para se të vinte kontakti me njeriun e bardhë. Por në një mënyrë krejt të ndryshme nga e jona.

Të pasur? Jo, faleminderit

Sa për të filluar, kultura e trye nuk njihte xhelozinë apo zilinë, sepse nuk ishte e lidhur në asnjë mënyrë me dëshirën për të zotëruar pushtet. Indianët e Amerikës kishin një ekonomi që i mbante, e bazuar në gjuetinë, peshkimin, bujqësinë: mendimi pikësëpari për komunitetin ishte jetik. “Gëzonte më shumë nderime kush i jepte tribusë së vet, jo kush zotëronte më shumë”, shpjegon etnologu Imer Chieregatti. Askush nuk gjykohej me parametrin e pasurisë, edhe sepse paraja as nuk njihej, as kush zotëronte toka: për territoret ekzistonin mbrojtësit, që kshin rol krejt tjetër. Dhe nëse ndokush varfërohej aq shumë sa të mos kishte as edhe një kalë, një çadër apo një mbulesë, këto i dhuroheshin: që në vegjëli, një lëkurëkuq mësonte të ndante dhe të bashkëjetonte.

“Ekologjistë”

Kush gënjente apo dënonte një tjetër, dëbohej nga fisi. Ndershmëria, sinqeriteti dhe miqësia ishin vlera themelore të shoqërisë së indianëve. Por përmbysja e vërtetë e perspektivës kish të bënte me sjelljen ndaj botës.

Kathe Reichs e shpjegon këtë në librin “A e dini se pemët flasin? Mençuria e Indianëve yë Amerikës”: “Ndërsa për ne njeriu është “zoti i krijimit”, i autorizuar për të nënshtruar natyrën dhe për ta zbutur atë, Indiani ndihet si pjesë e Tokës. Për të, i gjithë krijimi jeton, qoftë tokë, ujë, gur, bimë, kafshë apo njeri”. Dhe duhet respektuar.

Lumturia e indianëve ishte e lidhur me harmoninë me gjithçka përreth tyre. Ata nuk mund ta ndienin shpirtin e tyre të ndarë nga Natyra dhe miqtë. Jo më kot një thënie e indianëve Dakota thoshte: “Çdo qenie e gjallë është e afërmja ime”. Dhe kjo është arsyeja pse indianët nuk mund të kuptonin as masakrën e bizonëve, të kryer nga pushtuesit e bardhë për të shitur lëkurat, gjuhët e tyre ose thjesht për dëfrim. Nga ato kafshë kaq të rëndësishme për mbijetesën e tyre, ata vrisnin mjaftueshëm sa për të ushqyer anëtarët e fisit. E njëjta gjë ishte e vërtetë për kafshët e tjera të egra.

Të gjithë të barabartë

Për të garantuar rendin dhe qetësinë brenda kampeve, nuk kishte nevojë për policë ose të burgosur: kontrolli shoqëror dhe ndjenja e përkatësisë ishin të mjaftueshme. Të gjithë në komunitetin e tyre kishin një detyrë dhe dëgjoheshin. Pastaj kur duhej të merreshin vendimet, të gjithë mund të merrnin pjesë dhe të ndërhynin. “Çdo takim mbahej në një rreth, sepse rrethi nuk përjashton askënd dhe të gjithë shikojnë njëri-tjetrin: askush nuk mund të flasë pas shpine”, vazhdon Imer Chieregatti. “Për të moderuar diskutimin përdorej shkopi i fjalës, i cili kalonte dorë më dorë: mund të flisje vetëm kur e merrje dhe kishe të drejtë të mos ndërpriteshe”. Për çështje më të përgjithshme, këshilli i klanit dërgonte përfaqësuesit e vet në këshillin e fisit.

Prandaj, udhëheqësit e klanit ishin zëdhënës dhe nëse nuk raportonin saktë vendimet e dakordësuara nga poshtë, ata shkarkoheshin. Për këtë qëllim, ekzistonte një këshill i përbërë nga gra të moshuara, i cili gjithashtu kishte fuqinë të shkarkonte një kryetar fisi, nëse ai bënte gabime të rënda. Me pak fjalë, ishte një shoqëri e njerëzve të lirë, shumë të barabartë, që jetonte një demokraci të thjeshtë, por të plotë, të drejtpërdrejtë, të shpejtë.

Të moshuar dhe të rinj

“Për ne Sioux nuk ka asnjë ndërprerje midis brezave, siç ndodh me ju. Ne besojmë se është e drejtë të udhëzojmë të rinjtë tanë në mënyrë që ata të mund të zënë vendin tonë; kjo është mënyra që na mëson natyra. Ndoshta është kjo gatishmëri për të ndarë fuqinë tonë me të rinjtë, kjo është arsyeja pse, me ne, të moshuarit janë të dashur dhe të respektuar dhe dialogu midis një brezi dhe tjetrit zhvillohet lehtë”. Kështu thotë një kryetar i madh i fiseve Sioux.

Të moshuarit në shoqërinë indiane respektoheshin shumë për mençurinë që lidhej me moshën e tyre: sa më shumë që jetonje, aq më shumë dije. Por të rinjtë e egër ose “të parespektueshëm” nuk poshtëroheshin kurrë: gjithçka ishte pjesë e kornizës së menduar mirë, e marrëdhënieve dhe respektit. Edukimi i fëmijëve ishte gjithashtu i ndryshëm. Ata kurrë nuk rriheshin, ata edukoheshin kryesisht me një shembull të mirë dhe liheshin të lirë për të eksploruar botën dhe për të pasur përvojat e tyre. Kontrolli i bashkëmoshatarëve ishte i mjaftueshëm për të parandaluar teprimet.

Luftëra pak të përgjakura

Fiset ndaheshin në klane, grupe njerëzish me aftësi të veçanta dhe detyra specifike. Aty ishin klani i ujit, zjarrit, luftëtarëve dhe njerëzit që u përkisnin atyre adoptonin specie të veçanta kafshësh. Tek fiset Sioux, klani i ariut mbronte fisin: kjo kafshë zgjidhej sepse ariu është më i ashpër në mbrojtjen e këlyshëve të vet. Dhe lidhja klanore ishte më e fortë se ajo fisnore. Kur ndodhte të luftohej midis fiseve të ndryshme, nëse anëtarët e të njëjtit klan e njihnin njëri-tjetrin, ata pushonin së luftuari, zbritnin dhe përqafoheshin. Sigurisht, jeta e indianëve nuk ishte gjithmonë e qetë. Fiset luftonin, por luftërat e brendshme nuk kishin për qëllim asgjësimin ose zotërimin e një territori. Shpesh ajo kufizohej në bastisjet e natës për të vjedhur mallra (misër, mish të thatë, kuaj). Nëse do të zhvillohej beteja, mekanizmat shoqërorë viheshin në lëvizje për të përmbajtur agresionin dhe humbjet. Pra, ishte e preferueshme të lëndohej kundërshtari sesa të vritej. Ose të prekej me një armë simbolike, siç është një shkop. / Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close