Sport

Shqiptarët, kur u djeg flamurin, të hidhen në fyt. Ne italianët thjeshtë shkojmë blejmë një tjetër

Screen Shot 2015-10-16 at 1.19.54 PM

Intervista për La Repubblica e trainerit italian që çoi Shqipërinë në Europian. “Në Itali kërkojnë vetëm emra të mëdhenj, por nuk janë të gjithë Guardiola. Një komb i tërë na mbështet, do ju habisim sërish”

Një sukses që shkon përtej sportit. Fitorja 3-0 ndaj Armeni i lejoi Shqipërisë të sigurojë biletën për në fazën finale të europianit në Francë. Nuk kishte ndodhur asnjëherë për kombëtaren e Tiranës, që deri tani kishte siguruar vetëm kualifikime në nivelet e ekipeve të të rinjve: Under 18 (1982) dhe Under 16 (1994). Autori i arritjes një trainer italian: Gianni De Biasi, 59 vjeç, trainer nga dhjetori 2011, që përtej Adriatikut e shohin si hero.

De Biasi, për ju janë ditë të paharrueshme.

2015-a ka qenë magjik. Në fillim nënshtetësia shqiptare, më pas honoris causa dhe dje nderimi më i lartë, i ngjashëm me Urdhërin Kalorësiak tek ne në Itali. Na pritën Kryeministri dhe presidenti i Republikës. Emrat tanë do të shkruhen në një pllakatë në stadiumin e ri të Tiranës. Kështu kupton që ke prapa teje një popull të tërë.

Eshtë një fitore që vlen për të gjithë Shqipërinë?

Eshtë një shembull për të rinjtë që mund të mësojnë të luftojnë me guxim, pa e ulur kokën. Shqipëria ka dalë nga disa dekada izolim absolut. Pjesëmarrja në fazën finale të një Europiani futbolli është një formë hapjeje shumë e rëndësishme. Kryeministri Rama tha se klasa politike duhet të mësojë të bëjë atë që bëri skuadra e futbollit.

Cilat pamje do ju mbesin në zemër pas festimeve?

Në rrugë, shumë njerëz më përshëndesin duke vendosur dorën e djathtë në zemër dhe duke thënë: Respekt. Më quajnë “profesor”. Kjo gjë më prek shumë poor dhe më karikon.

Ju kish ndodhur më parë një gjë e tillë?

Pak më parë i dërgova një mesazh Urbano Cairos, ish presidenti im tek Torino. I thashë se më dukej sikur po jetoja sërish klimën e ngjitjes në Serinë A në vitin 2006, në play-offin kundër Montovës. Por atje kisha prapa meje vetëm popullin e Toroinos. Këtu është një popull i tërë, që mbi të gjitha është i shpërndarë nga pak kudo, për shkak të emigrimit në masë. Ne luajmë gjithmonë në shtëpi, kudo ku shkojmë.

A do të jetë një shtytje më shumë në Europian?

Kalimi i grupit do të ishte një arritje e jashtëzakonshme. Por të presim shortin. Të mos bëjmë fluturime fantazie. Sigurisht, në Francë nuk do të shkojmë për pushime.

Mbi cfarë ju është dashur të punoni në këta vite?

Futbollistët shqiptarë kanë prirjen që të relaksohen, pasi kanë arritur një objektiv të ndërmjetëm. Kështu rrezikojnë të mos arrijnë objektivin përfundimtar. Por kanë përkushtimin dhe ndjesinë e atdheut: nëse djeg një flamur shqiptar, të hidhen përsipër. Nëse na ndodh në Itali, ne thjeshtë blejmë një tjetër.

Ndeshjet me Serbinë kanë qenë shumë të tensionuara.

Por në ndeshjen e kthimit në Shqipëri, gjithcka shkoi shumë mirë. Mëkat që humbëm. Ishte ndeshja e ndeshjeve. Por ishte themelore që të shmangeshin trazirat. Ishim nën vëzhgimin e UEFA-s. Kemi demonstruar që publiku shqiptar nuk mban mërira dhe është i denjë për të hyrë në Europë.

Keni kritikuar ata që qeshnin me kombëtaren, dhe që tani festojnë.

Në debutimin tim si trainer, kundër Gjeorgjisë në vitin 2012, për të motivuar skuadrën u dërgova nga një letër futbollistëve. Kisha shkruajtur që, nëse do të më ndiqnin duke besuar në forcën e ëndrrave, do të arrinim kualifikimin. Ishte një marrëzi ta thoje, me POrtugalinë, Serbinë dhe Danimarkën në grup. Kur letra u bë publike, shihja gjysmë buzëqeshje në debatet televizivë. Kam një kujtesë prej elefanti, nuk harroj.

Një revansh ndaj atyre që nuk kanë besuar tek ju në Itali?

I vetmi peng që kam është Udineze. Nuk kisha trainuar kurrë kaq pranë shtëpisë, vetëm 80 kilometra, e megjithatë kurrë nuk jam ndjerë kaq pak i k uptuar. Në Itali, skuadrat e mëdha zgjedhin atë që ka një emër, pavarësisht nga aftësia. Por nuk janë të gjithë Guardiola. Napoli ka bërë një zgjedhje inteligjente me Sarrin, një artizan i vërtetë i futbollit.

Sa shqiptar ndiheni?

Nuk e kam mësuar gjuhën, sepse është shumë e ndërlikuar. Alfabeti ka 36 gërma, është një përzierje e shqipes, turqishtes dhe serbishtes. Ndihem shqiptar në atë masë që bën të ndihem pjesë e një mjedisi dhe të jap më të mirën. Nëse nuk përjetoj emocionet e duhur, nuk arrij rezultate.

Si do të festoni?

Ende nuk jam ndalur një sekondë. Sot kam një tjetër angazhim: një kurs komunikimi në Trieste. Nuk dua ta humbas. Do të shkoj me time shoqe, edhe pse jam shumë i lodhur. I lodhur, por i lumtur.

La Repubblica – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button