HistoriMAIN

Shtatë mrekullitë e botës antike: Cilat ishin, dhe çfarë ndodhi me to?

Shtatë Mrekullitë e Botës së Lashtë, mund të vlerësohen secila si arritje mahnitëse arkitektonike, apo si mrekulli të imagjinatës dhe inxhinierisë njerëzore. Por së bashku, ato formojnë një guidë që sfidon kufizimet e kohës. Ato përbëhen nga një piramidë, një mauzoleum, një tempull, dy statuja, një far, dhe një kopsht gati mitik.

Po përse ekzistojnë vetëm Shtatë Mrekulli? Ato janë në fakt një bashkim i listave të ndryshme nga antikiteti. Versionet më të njohura, vijnë nga poeti i shekullit II-të Antipateri i  Sidonit, dhe matematikani Filo i Bizantit. Ndërkohë të tjerë janë Kalimakusi i Kirenës, dhe historiani i madh grek Herodoti.

Natyrisht, lista e tyre mbështetej tek vendet ku udhëtuan, por edhe nga opinioni i tyre personal. Kështu, ndërsa ne e njohim Farin e Aleksandrisë si një mrekulli, disa e lanë jashtë, duke favorizuar Portën Ishtar në Babiloni. Ndërkohë, thuhet se grekët zgjodhën numrin 7, pasi besonin se ai ka rëndësi shpirtërore, dhe përfaqësonte përsosmërinë.

  1. Piramida e Madhe e Gizës

Pyesni disa njerëz se cilat janë Shtatë Mrekullitë, dhe shumica do të përmendin të parën Piramidën e Madhe të Gizës. Arsyeja është e thjeshtë:ndërsa 6 të tjerat kanë humbur ndër shekuj, Piramida e Madhe e Gizës qëndron ende në këmbë në Egjiptin Verior.

E ndërtuar në vitin 2525 Para Krishtit si varri i faraonit të dinastisë së katërt Kufu, ajo është më e madhja nga tre piramidat e Gizës. Lartësia e saj origjinale prej 146.5 metrash, e bëri piramidën strukturën më të lartë të ndërtuar nga njeriu në botë, deri kur rekordin e theu Katedralja Linkoln në shekullin XIV.

Përgjatë shekujve shtresa e jashtme e piramidës është gërryer, duke e reduktuar me gati 8 metra lartësinë e saj. Vlerësimet e fundit, sugjerojnë se u deshën rreth 14 vjet për të transportuar dhe vendosur njëra mbi tjetrën 2.3 milionë blloqe guri. Sesi u ndërtuan piramidat, kjo mbetet ende objekt debati.

  1. Mauzoleumi në Halikarnasus

Gjatë jetës së tij, Mauzolusi i plotfuqishëm ndërtoi një kryeqytet të ri për veten dhe gruan e tij Artemisën në Halikarnasus (në bregdetin e sotëm perëndimor të Turqisë), duke mos kursyer asgjë për ta mbushur atë me statuja dhe tempuj të bukur mermeri.

S’ka dyshim se duke qenë guvernator i Perandorisë Persiane dhe sundimtar i Sarias, do të gëzonte një luks të ngjashëm dhe pasi vdiq në 353 Para Krishtit. Thuhet se Artemisa (që ishte njëkohësisht edhe motra e tij), u pikëllua q shumë nga vdekja e burrit të saj, saqë e përzjeu hirin e tij me ujë duke e pirë atë, para se të mbikëqyrte punimet për godinën ku do të strehohej varrin i tij luksoz.

E përbërë nga mermeri i bardhë, struktura monumentale ndodhej mbi një kodër me pamje nga kryeqyteti që ai kishte ndërtuar. Ajo u projektua nga arkitektët grekë Pitus dhe Satiros, dhe kombinonte stilet arkitekturore liciane, greke dhe egjiptiane. Mauzolemi kishte 3 nivele, më i ulëti ishte rreth 20 metra, ndërsa kulmi kishte një lartësi prej 41 metrash.

Ndërkohë, 4 nga artistët më të njohur të Greqisë krijuan skulptura dhe objekte te tjera dekorative përreth varrit. Një pjesë e tij, mund të jetë shkatërruar nga tërmetet në kohërat mesjetare, ndërsa një pjesë ekziston edhe sot e kësaj dite. Prej mbretit Mauzolus, kemi edhe fjalën ‘mauzoleum’.

  1. Statuja e Zeusit

Olimpia, ishte një vend i shenjtë në Greqinë e lashtë, dhe vendi i Lojërave të para Olimpike. Dhe cila ishte mënyra më e mirë për të respektuar Perëndinë kryesore të Grekëve të Lashtë, sesa të ndërtohej për të një statujë gjigante? Kjo është ajo që bëri skulptori Fidia, kur realizoi kryeveprën e tij në tempullin e Zeusit në Olimpia në vitin 435 Para Krishtit.

Zeusi paraqitej i ulur mbi një fron të bërë nga druri i kedrit dhe i zbukuruar me ar, fildish dhe gurë të çmuar. Zoti i stuhive, mbante në dorën e djathtë statujën e Nikesë, Perëndeshës së Fitores, dhe një skeptër me një shqiponjë të ngritur në dorën e tij të majtë.

Ai u zbukurua vazhdimisht me ar dhe fildish, çka do të thotë se priftërinjtë e tempullit duhej ta vajosnin rregullisht statujën, për ta mbrojtur atë nga moti i nxehtë dhe me lagështirë i Greqisë Perëndimore. Statuja ishte gati 12 metra e lartë, dhe mezi e merrte tempulli.

Për 8 shekuj, njerëzit do të shkonin në Olimpia vetëm për të parë statujën. Ajo i mbijetoi perandorit Romak, Kaligula, që dëshironte ta çonte në Romë, në mënyrë që koka e saj të zëvendësohej me imazhin e fytyrës së tij. Por më pas, statuja e Zeusit humbi. Kjo mund të ketë ndodhur me shkatërrimin e tempullit në vitin 426 Pas Krishtit, ose mund të jetë shkatërruar rrugës për në Kostandinopojë.

  1. Kopshtet e Varura të Babilonisë

Përshkrime të hollësishme ekzistojnë në shumë tekste antike, greke dhe romake, por asnjë mrekulli tjetër nuk është më misterioze se sa Kopshtet e varura të Babilonisë. Tek e fundit, të gjitha dëshmitë janë të dorës së dytë, dhe nuk ka ende prova përfundimtare se ato kanë ekzistuar vërtet.

Nëse do të ishin të vërteta, do të përfaqësonin një mrekulli inxhienerike të jashtëzakonshme, pasi mbajtja e një kopshti të harlisur në shkretëtirat e asaj që sot është Iraku, nuk do të kishte qenë aspak e lehtë. Një nga teoritë është se Kopshtet e Varura u krijuan nga mbreti babilonas Nabukodonosori II në vitin 600 Para Krishtit, për gruan e tij, që ishte mësuar me shumë gjelbërim në atdheut të saj, Media (Irani i sotëm).

Kopshtet mund të kenë qenë me disa nga tarracat, që supozohet se arrinin një lartësi prej rreth 23 metrash. Ato të jepnin përshtypjen e një mali me lule, bimë dhe barishte që rriteshin nga zemra e Babilonisë. Bimësia ekzotike ujitej nga një sistem i sofistikuar pompash dhe tubacionesh, që e sillte ujin nga lumi Eufrat.

Ndërkohë është supozuar se Kopshtet e Varura kanë ekzistuar, por jo në Babiloni. Dr.Stefani Dallej nga Universiteti i Oksfordit, pretendon se kopshtet u ndërtuan nga mbretit asirian Senasherib për pallatin e tij në Nineve, 480 km më në veri dhe pranë lumit Tigër.

  1. Fari i Aleksandrisë

Anijet që lundronin në portin e Aleksandrisë, rrezikonin shumë për shkak të ujërave të cekëta dhe shkëmbinjve nënujorë. Zgjidhja ishte ndërtimi i një Fari nga arkitektit grek Sostratusi nga Knidusi. Punimet zgjatën më shumë se një dekadë, dhe përfunduan gjatë mbretërimit të Ptolemeuy II në vitet 280-70 Para Krishtit.

Mendohet se Fati kishte një lartësi prej 140 metrash, duke e bërë atë strukturën e dytë më të lartë të ndërtuar nga njeriu në Antikitetit, pas Piramidës së Madhe të Gizës. Kulla ishte e ndarë në një bazë katrore, një seksion të ndërmjetëm 8-këndor, dhe me një seksion të sipërm cilindrik.

Thuhej se ai zjarri i ndezur në të, mund të shihej deri 50 km larg. Ashtu si disa nga Shtatë Mrekullitë e tjera, edhe Fari ra viktimë e tërmeteve. Ai i mbijetoi disa tërmeteve të mëdha, por jo pa dëme serioze që çuan në braktisjen e saj.

Rrënojat e fundit u shembën në shekullin XV-të. Arkeologët francezë, zbuluan disa gurë të mëdhenj në ujërat përreth Farit në vitin 1994, dhe pretenduan se ato ishin pjesë e strukturës antike. Ndërkohë në vitin 2015, autoritetet egjiptiane njoftuan synimin e tyre për të rindërtuar Farin e Aleksandrisë.

  1. Tempulli i Artemisës

Në fakt ky tempull u ndërtua dhe u rindërtua disa herë në Efes, në Turqinë e sotme. Monumenti u shkatërrua nga një përmbytje në shekullin VII Para Krishtit, nga një zjarrvënës i quajtur Herostratus në vitin 356 Para Krishtit, që në këtë mënyrë shpresonte të arrinte famën me çdo kusht, si dhe nga një sulm i gotëve të Gjermanisë Lindore në shekullin III. Shkatërrimi përfundimtar ndodhi në vitin 401 Pas Krishtit. Shumë pak relike të tempullit ndodhen sot në Muzeun Britanik. Në versionin e tij më mbresëlënës, tempulli prej mermeri të bardhë kishte përmasa 110 me 55 metra, teksa në gjithë gjatësinë e tij ishte i zbukuruar nga gdhendje, statuja dhe 127 kolona. Brenda ndodhej një statujë e Perëndeshës Artemisa, një vend pelegrinazhi për vizitorët e shumtë në Efes, që linin dhurata të ndryshme në këmbët e saj.

  1. Gjigandi i Rodit

I ndërtuar në vitin 282 Para Krishtit, Kolosi i Rodosit ekzistoi për më pak se 60 vjet, por kjo nuk e zbehu famën e tij. Statuja kushtuar Perëndisë së Diellit, Helios, mori 12 vjet kohë për t’u realizuar nga skulptori Kares nga Lindosi, për të festuar një triumf ushtarak pas një rrethimi 1-vjeçar.

Thuhet se banorët e Rodosit, përdorën objektet e lëna pas nga armiqtë gjatë një beteje, për

të ndihmuar në përballimin e shpenzimeve për Kolosin. Ata shkrinë armët e braktisura për të marrë bronzin, ndërsa përdorën si skelë një kullë rrethimi. Me pamje nga porti, Helios ishte rreth 32 metra i lartë, dhe në duar mbante ndoshta një pishtar ose një shtizë.

Pavarësisht emrit, Kolosi nuk ishte aq i fortë sa t’i bënte ballë një tërmeti të fortë në vitin 226 Para Krishtit, kur statuja u shemb, dhe u copëtua. Banorët e Rodosit e refuzuan ofertën e Ptolemeut për ta rindërtuar atë, pasi një orakull u tha se ata e kishin ofenduar Heliosin. Kështu, pjesët e copëtuara të monumentit, qëndruan aty përtokë për mbi 800 vjet duke tërhequr ende vizitorë. Kur forcat armike e shitën më në fund Kolosin për skrap në shekullin VII, u deshën mbi 900 deve për të zhvendosur të gjitha pjesët. / History Extra – Bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close