Histori

Shtëpia e Trotsky-t, 78 vjet pas vrasjes

Si i mërguar León Trotsky përshkroi shumë vende në kërkim të një strehimi, por në radarin e tij nuk ishte shfaqur kurrë Meksika. Ishte në vitin  1936 gjatë qëndrimit të tij në Norvegji kur një njoftim se duhej ta braktiste vendin e drejtoi drejt Amerikës. Trotsky një nga njerëzit kyç të Revolucionit Rus u dëbua nga Bashkimi Sovjetik në 1929 si një rival brenda hierarkisë së partisë.  Pavarsisht mërgimit të tij gëzonte një ndikim brenda dhe jashtë vendit të vet që për Stalinin dhe më pas për regjimin nazist të Adolfo Hitlerit u konsiderua një armik shumë i fuqishëm. Në Meksikë takohej me presidentin Lázaro Cárdenas del Río (1934-1940), i cili kishte simpati për idetë komuniste dhe që sipas historianëve kishte brenda kabinetit të tij ministra me lidhje të forta sovjetike. Trotsky ishte në Kostandinopojë pa e ditur ku të shkonte sepse Franca, Gjermania dhe Anglia ia kishin refuzuar kërkesën për azil, por në Meksikë brenda Sindikatës Unike të Ndërtimit u organizua një manifestim që vendi t’i jepte azil dhe t’i jepte revolucionarit garanci të nevojshme për të jetuar në qetësi.  Ikona e komunizmit gëzonte simpati dhe ndjekësit e tij caktuan muralistin Diego Rivera dhe Octavio Nicolás Fernández Vilchis, themeluesin e trockizmit në Meksikë që të kontaktonin me presidentin Cárdenas dhe t’i jepnin një vizë atij dhe bashkëshortes Natalia Sedova. Trotsky, bashkëshortja dhe nipi i tij, Estaban mbërritën në Tampico, shtetin e Tamaulipas në 9 janar 1937 ku u pritën nga Rivera dhe bashkëshortja e tij emblemë, Frida Kahlo.

I dhanë trenin presidencial për t’u transferuar në qytetin e Meksikos ku dhe do të vendosej fillimisht bashkë me çiftin e artistëve meksikanë (Frida dhe Diego) dhe më pas një një shtëpi emblemë, në të cilën ishte viktimë e një atentati të dështuar dhe më pas në të cilën iu mor jeta. Banesa e Riverave ndodhet në lagjen tradicionale të Coyoacán-it, në kryeqytetin meksikan e njohur ndryshe si “La Casa Azul”,  sepse ishte e pikturuar me bojëqielli. Në muret e saj fshihet një romancë mes Fridës dhe Trotsky-it që zgjati disa muaj dhe që më pas shënoi fundin e miqësisë me Diego Riverën. Rivera e mësoi për marrëdhënien një vit më vonë, kur gjithçka kishte mbaruar dhe në ditën që meksikanët festojnë ditën e të vdekurve i dha mikut të tij ukrahinas si dhuratë një kafkë prej sheqeri në të cilën shkruhej Stalin. Ky gjest provokoi ndarjen mes dy miqve edhe se pse Trockët braktisën Shtëpinë e Kaltër. Në 5 maj 1939 morën me qira një shtëpi, pak blloqe më tutje nga shtëpia e Riverave, po në zonën Coyoacán. Shtëpia ishte e rrethuar nga një anë me liqen dhe nga ana tjetër me një fushë të hapur. Për shkak të frikës dhe për sigurinë e çiftit dhe të nipit gjithmonë ruheshin nga 10 roje. 20 metra para se të mbërrije tek banesa kishte një ndalesë me njerëz të armatosur, të gjitha portat ishin rezistente dhe në brendësi të vilës kishte roje. Brenda ishte një lloj labirinti me disa hyrje dhe dalje dhe dhomat nuk kishin dyer.

Kjo masë sigurie e kishte një arsye, sepse në 1938 mori një letër nga shefi i spiunazhit sovjetik në Barcelonë, i cili kishte dezertuar dhe mërgoi në Kanada. I thoshte se po përgatiteshin për një operacion për ta vrarë. “Gjyshi u sinjalizua për gishtin e Stalinit”, – u shpreh për një gazetë nipi i tij, Esteban Volkov që tashmë është 92 vjeç. Trotsky mori lajmërimin e parë në maj të 1940 kur një grup i armatosur arriti deri tek shtëpia, qëlloi më shumë se 400 fishekë. Trotsky dhe bashkëshortja nuk patën lëndime, vetëm i nipi u plagos në këmbë. Pavarsisht se ky grup kishte një hartë të shtëpisë, nuk mundën të avanconin në brendësi sepse një nga dyert kishte një armë që aktivizohej automatikisht. Urdhri i Stalinit duhej përmbushur. Në 20 gusht 1940 Trotsky pësoi një atentat të dytë në të njëjtën shtëpi nga ana e një të ashtuquajturi ndjekës i tij. Spanjolli komunist, Ramón Mercader kishte mbërritur në Meksikë me një pasaportë false, filloi një romancë me një bashkëpunëtore të revolucionarit, çka i lejoi t’i qasej rrethit të tij më të afërt dhe të kishte akses të plotë të shtëpisë. Mbasditen e vrasjes Trotsky gjendej në zyrën e tij kur Mercader kërkoi ta takonte. Ndërsa revolucionari ndodhej i ulur iu afrua atij nga shpatullat dhe i nguli një kazmë në kokë. Trotsky arriti të dalë nga dhoma dhe t’i thoshte së shoqes emrin e agresorit të tij, më pas ra në komë dhe vdiq të nesërmen.

Banesa ku ndodhi ruhet ende sot dhe në vitin 1990 u hap për publikun si shtëpia muze e León Trotsky, ku gjendet hiri i revolucionarit dhe i së shoqes në një memorial të vendosur në pjesën e kopshtit ku ata ruanin lepujt. Shtëpia në rrugën “Churubusco” dallohet nga ngjyra e kuqe dhe flamujt komunistë nga jashtë. Pavarsisht rëndësisë së figurës që strehonte kjo shtëpi është e thjeshtë. Studioja, dhoma e gjumit e tij dhe e të nipit janë të lidhura dhe pa dyer, tek dollapi gjenden ende disa nga veshjet që i përkisnin çiftit. Edhe zyra ku pësoi sulmin gjendet po aty. Meksika është i vetmi vend në të gjithë botën që ka një hapsirë fizike për këtë figurë. Pas rënies së komunizmit dhe Murit të Berlinit as Rusia dhe as Ukrahina (vendi ku lindi) nuk e kanë rehabilituar figurën e revolucionarit, çka e bën këtë hapsirë akoma më të rëndësishme për nder të tij. Është një shtëpi që ruan vdekjen e tij, personazhet që e vizituan dhe idetë që u mbrujtën aty. Vrasësi i tij u arrestua dhe u burgos në burgun e Lecumberri-it, i njohur si pallati i zi, ku kishte një sërë privilegjesh si zgjimi në orën 10 të mëngjesit, priste femra dhe merrte ushqim special. Një oficer i kohës i shkruan një letër Natalia Sedova-s ku i ofronte të vriste vrasësin e Trotsky-t për të bërë drejtësi. Kërkonte 50 000 peso për të garantuar të ardhmen e familjes së tij. Mercader nuk u vra dhe vuajti dënimin prej 20 vitesh, më pas u kthye në Bashkimin Sovjetik ku u dekorua si një hero kombëtar, kaloi vitet e tij të fundit mes Moskës dhe Havanës ku vdiq në 1978. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button