Me kaq shumë skandale në Uashington, Impeachment-i ka nisur që të diskutohet në Kongres
“Impeachment” është procesi, me anë të të cilit një organ legjislativ, ngre formalisht akuza kundër një zyrtari të lartë të qeverisë. Impeachment-i nuk nënkupton domosdoshmërisht largimin nga detyra; është vetëm një deklarim formal i akuzave, i ngjashëm me aktakuzën në të drejtën penale, dhe kështu është vetëm hapi i parë drejt largimit nga detyra.
A është përdorur ndaj ndonjë Presidenti?
Vetëm dy presidentë janë vënë ndonjëherë nën akuzë nga Kongresi, dhe të dy u shfajësuan nga Senati. Andrei Johnson ishte në shënjestër në vitin 1868 për shkak të një lufte për pushtet. mbi politikat për Jugun pas Luftës Civile; Bill Clintoni, në vitin 1998, për marëdhënien e tij me Monica Levinskyn. Richard Nixon u përball me impeachment-in, por u largua vetë. Impeachment po dëgjohet gjithnjë e më shumë, pas emërimit të një këshilltari të posaçëm për të hetuar bashkëpunimin e mundshëm, midis fushatës së Presidentit Trump dhe Rusisë, dhe ekipi ligjor i Trumpit ka filluar të kërkojë se si ta mbrojë Presidentin, nëse ndaj tij ngrihen akuza. Shanset që Trump të përballet me impeachment-in para përfundimit të mandatit të tij të parë janë rritur në 60 përqind, sipas kompanisë së basteve Paddy Pouer dhe të paktën 26 demokratë dhe dy republikanë e kanë përmendur fjalën Impeachment. Por procesi i ngritjes së akuzës është i gjatë, i komplikuar dhe shumë i ndikuar nga konsideratat partiake. Nëse ndodh, thotë Bill McCollum, një ish-anëtar republikan i Kongresit që votoi për të ngritur akuza ndaj Clintonit, “nuk do të ndodhë brenda natës”.
Ku e ka origjinën?
Procesi e ka fillesën në Anglinë e shekullit të 14-të, ku u përdor për të ndjekur penalisht zotërinjtë dhe këshilltarët mbretërorë, që ishin jashtë fushëveprimit të gjykatave. Hartuesit e Kushtetutës së SHBA, duke pasur parasysh mundësinë e tiranisë, e kanë huazuar këtë koncept për dokumentin themelues amerikan, si një mënyrë paqësore për heqjen e presidentëve që bëjnë shkelje, si dhe zëvendëspresidentëve, sekretarëve të kabinetit qeveritar, gjykatësve federalë dhe gjykatësve të Gjykatës së Lartë. Ka pasur debat të fuqishëm mbi atë nëse duhet dhënë pushteti për ngritur akuza ndaj Gjykatën së Lartë, por në fund, Kushtetuta i dha Kongresit “kompetencën për Impeachment” dhe Senatit “kompetencën për të gjykuar gjithë Impeachment-ët” – domethënë, të vendosë nëse do të dënojë ose lirojë nga akuzat.
Cilat janë shkeljet ku përdoret?
“Tradhëtia, Rryshfeti, ose Krime e Kundravajtje të tjera të Mëdha”, sipas Kushtetutës. Por përkufizimi i “krimit e kundërvajtjeve të mëdha” mbetet shumë i debatuar. Disa studiues të kushtetës besojnë se termi duhet të zbatohet vetëm për shkelje të ligjeve të shkruara; të tjerë argumentojnë se vlen për çdo abuzim me pushtetin, apo sjellje që e dëmton presidencën.
Në praktikë, interpretimi është pothuajse tërësisht politik. Clintoni u akuzua për dëshmi të rreme dhe pengim të drejtësisë, sepse ai gënjeu nën betim në një dëshmi para një jurie të madhe dhe në një deklarim, nëse ai kishte një lidhje me Levinskyn. Gjatë procedurave të Impeachment-it, artikujt e shtypit zbuluan se disa udhëheqës republikanë ishin fajtorë për tradhëti bashkëshortore, por ata argumentuan – pa sukses – se ishte gënjeshtra, jo tradhëtia, që kish më shumë rëndësi. Në fakt, në vitin 1970, Gerald Ford, që në atë kohë ishte udhëheqës i pakicës në Kongres, thoshte se “një vepër e palejueshme është çdo gjë që shumica e Kongresit e konsideron si të tillë, në një moment të caktuar në histori”.
Si funksionon procesi?
Së pari, Kongresi duhet të votojë me një shumicë të madhe për të filluar procedurat e impeachment-it. Çdo anëtar i Kongresit mund të parashtrojë një rezolutë për ta bërë këtë, siç mund të jetë një komision, një peticion, një prokuror special ose një president. Nëse një shumicë e thjeshtë miraton një ose më shumë nene të impeachmen t-it, presidenti zyrtarisht është i pezulluar – një proces ky i ngjashëm me aktakuzën. Më pas, Senati bën gjykimin.
Si vazhdon gjykimi?
Kongresi cakton disa përfaqësues, të njohur si “menaxherët”, për të shërbyer si prokurorë dhe për të argumentuar dënimin. Presidenti zgjedh avokatët që shërbejnë si ekip mbrojtës. Senatorët shërbejnë si juria, e kryesuar nga gjykatësi kryesor i Gjykatës së Lartë, ndonëse senatorët përcaktojnë gjithashtu disa rregulla procedurale, të tilla si nëse do të dëgjojnë drejtpërdrejt dëshmitë e dëshmitarëve. “Impeachment është një krijesë në vetvete,” thotë ish-republikani Bob Barr, një nga menaxherët e Kongresit gjatë gjykimit të Clintonit. “Juria në një çështje penale nuk përcakton rregullat për një rast, dhe nuk mund të vendosë se cilat dëshmi dëshiron të dëgjojë dhe cilat jo”. Nuk ka gjithashtu asnjë standard të përcaktuar të provës; Steka për dënimin është sipas dëshirës së cilitdo senator. Nëse më shumë se dy të tretat e senatorëve e konsiderojnë fajtor, presidenti largohet nga posti – dhe zv / presidenti merr vendin e tij.
A mund të ndodhë me Trumpin?
Hetimet e vazhdueshme nga këshilltari i posaçëm Robert Mueller sigurisht e ngrejnë këtë mundësi. Al Green, demokrat nga Teksasi thotë se ai tashmë ka filluar hartimin e neneve për impeachment-in, duke argumentuar se Trump është fajtor për pengimin e drejtësisë, i akuzuar për presion ndaj drejtorit të atëhershëm të FBI-së, James Comey, për shkak të hetimit të tij mbi bashkëpunimin e mundshëm midis ekipit Trump dhe Kremlinit, dhe më pas shkarkimin e Comeyt, me shpresën e përfundimit të atij hetimi. Clinton dhe Nixon ishin të dy në shënjestër, për pengim të drejtësisë. Por ndryshe nga Trump, ata u përballën me një kongres armiqësor të kontrolluar nga partia opozitare. Që republikanët të kthehen kundër presidentit të tyre dhe të ofrojnë votat për ta fajësuar atë, duhet që mbështetja në sondazhe për Trumpin të ketë mbërritur në atë pikë, që ai të përfaqësonte një gur në qafën e gjithë partisë. “Nëntëdhjetë e nëntë për qind e lojës,” thotë ish-zyrtari i Departamentit të Drejtësisë Bruce Fein, “varet nga ajo se sa popullor është presidenti”. / The Week – Bota.al