Për të kuptuar njëri-tjetrin nuk është e nevojshme të flasim:në shumë situata mund të jenë të mjaftueshme pantomimat dhe gjestet. Megjithatë, e jona është e vetmja specie që ka shpikur gjuhën. Shkencëtarët kanë pyetur prej kohësh mbi arsyen.
Në fakt, ekzistojnë teori të ndryshme se kur u shfaq gjuha, se çfarë ndryshimesh mjedisore dhe anatomike ishin të nevojshme para fillimit të të folurit, dhe nëse shpikja e të folurit është për shkak të një mekanizmi konjitiv specifik apo i huazuar nga aftësi të tjera.
Por vetëm studimet e fundit po arrijnë të rindërtojnë fazat e atij që është ndoshta hapi më i rëndësishëm në historinë tonë evolucionare. Një gjë është e sigurt. Që të zhvillohet një gjuhë janë të nevojshme 2 kushte:biologjike (duhet të jetë e mundur të flitet) dhe sociale (duhet të jetë e dobishme për ta bërë këtë gjë).
Një shimpanze nuk mëson të flasë edhe nëse rritet nga njerëzit. Por as fëmija i njeriut nuk mëson nëse në vitet e para të jetës nuk bie në kontakt me një gjuhë. Për rrjedhojë, evolucioni biologjik dhe social i specieve njerëzore janë thelbësore për gjuhën. Dhe kjo do të thotë se, edhe në të kaluarën, ato duhet të kenë shkuar domosdoshmërisht krah për krah.
“Sot besohet se ky transformim e ka origjinën nga gjestet, të cilat së bashku me vokalizimet bënë të mundur krijimin e pantomimave të para që më në fund evoluan tek gjuha e folur”- thotë Francesco Ferretti, profesor i Filozofisë së Gjuhës në Universitetin Roma Tre, dhe autor i disa studimeve mbi këtë temë.
Sigurisht, gjestet janë të ndërlidhura ngushtë me fjalët, pasi edhe njerëzit që janë të verbër që nga lindja i përdorin ato në mënyrë instinktive, duke u folur të verbërve të tjerë edhe duke e ditur mirë se nuk mund t’i shohin.
Një element tjetër:tek njerëzit mëngjerashë, zonat gjuhësore ndodhen në hemisferën e kundërt (djathtas dhe jo majtas). Kjo i ka nxitur shumë studiues të besojnë se rritja e aftësive manuale, ka çuar gjithashtu në specializimin e zonave të trurit përgjegjëse për gjuhën.
Ndërsa njeriu mësoi të përdorte mirë dorën e tij dominuese, filloi që të përpunojë një gjuhë në hemisferën e trurit që e urdhëron atë dorë (në fakt hemisfera e majtë, dërgon impulse motorike në gjysmën e djathtë të trupit).
Pra mund të ketë ndodhur kështu:në fillim paraardhësit tanë komunikuan me shprehje të fytyrës dhe vokalizime të përforcuara nga gjestet, ndërsa duart nisën të bëhen të afta në copëtimin e gurëve. Dhe meqenëse, duke e shoqëruar të njëjtin tingull me një gjest tjetër, fitohen kuptime të ndryshme, fjalori i parë rudimentar mund të ketë lindur pikërisht në këtë mënyrë.
Pastaj me kalimin e kohës dhe përsosjen e fjalës, gjestet nisën ta humbnin rëndësinë e tyre. Studiuesi Marcus Perlman i Universitetit të Birmingemit në Britaninë e Madhe, donte të verifikonte nëse vetëm vokalizimet mund të evoluojnë në mënyrë që të shprehin konceptet dhe t’ua komunikojnë ato të tjerëve.
Ai shpiku një lloj “lojë mimike” vokale,në të cilën garuesit duhej të shpiknin tinguj të aftë për të komunikuar objekte (p.sh një thikë). Pra veprime, por edhe koncepte të tilla si “një” ose “shumë”. Ishte e habitshme që disa ia dolën:vokalizimet bëheshin për të dëgjuar grupe individësh të marrë rastësisht, dhe shpeshherë ato kuptoheshin edhe nga njerëz të kulturave të ndryshme dhe që flisnin gjuhë të tjera.
Dhe nëse individët që shpikën tingujt u urdhëruan të ndërveprojnë me njëri-tjetrin, brenda një kohe të shkurtër vokalizimet u rafinuan derisa krijuan disa fjalë rudimentare. Këto rezultate, u konfirmuan edhe nga simulimet kompjuterike të krijuara nga studiuesi belg Bart de Boer.
Ato demonstruan se mjafton të ketë një grup njerëzish të aftë të lëshojnë tinguj dhe që dëshirojnë të komunikojnë me njëri-tjetrin, dhe brenda një kohe të shkurtër (disa breza) anëtarët e grupit mësojnë të përdorin pa mëdyshje, fillimisht zanoret dhe më pas bashkëtingëlloret bashkë me zanoret, deri në lindjen e fjalëve reale.
“Njerëzit e parë filluan ta shpjegojnë veten me gjeste. Për shembull për të mësuar dikë të gërvishtë një gur për ta mprehur atë apo për të gatuar ushqim. Në atë moment truri nisi të bëhej gjithnjë e më i specializuar, pasi individët më të aftë për të imituar kishin më shumë shanse për t’u riprodhuar.
Por vetëm më vonë do të niste të dominonte fjala. I gjithë ky proces mund të ketë nisur rreth 2 milionë vjet më parë, dhe do ketë përfunduar pak para se paraardhësit tanë të drejtpërdrejtë të largoheshin nga Afrika, ose rreth 300.000 vjet më parë”- thotë Morten Christiansen, psiko-linguist në Universitetin Kornell në SHBA.
Studiuesit besojnë se kur speciet tona u ndanë në të gjitha grupet etnike që ekzistojnë sot, njeriu fliste tashmë në një mënyrë shumë të ngjashme me tonën sot. Përndryshe, gjuhët aktuale nuk do të kishin aq shumë karakteristika të përbashkëta në strukturën e tyre.
Më pas me kalimin e kohës, fjalët më të përdorura u standardizuan dhe u thjeshtuan në mënyrë që të ishte e lehtë për t’u përdorur nga të gjithë. Sipas teorive më të fundit, një proto-gjuhë e përbërë nga tinguj dhe pantomime të thjeshta, është folur ndoshta 1 milion vjet më parë.
Ndërsa ndërtimi i një gramatike, që do të bënte të mundur të kuptonin të tjerët se kush bëri çfarë dhe kur, me kë, vlerësohet të jetë zhvilluar shumë më vonë, rreth 500 mijë vjet më parë. Së fundi, gjuhëtarët besojnë se fjalët e para që nuk tregojnë objekte, mund të kenë qenë terma të përdorur zakonisht si dje, atje, jo dhe ndoshta.
Marrë me shkurtime