Më 16 gusht 1896, 3 eksplorues, 2 indianë dhe 1 kalifornian, zbuluan një sasi të konsiderueshme ari në dy lumenjtë kanadezë, Jukon dhe Klondajk. Lajmi u përhap me shpejtësi në zonat përreth, por nuk arriti në Shtetet e Bashkuara deri në korrikun e vitit 1897, kur minatorët e parë të arit u kthyen në San Françisko dhe Siatëll, pasi u bënë të pasur me arin që kishin gjetur.
Kështu filluan “Ethet e Arit”, periudha e një gare të çmendur për para “të kollajshme”, që nxiti mbi 100.000 njerëz të provonin fatin e tyre në Veriun e Madh. Në fundin e shekullit XIX-të, në Klondajk u gjetën mbi 400.000 kilogram ar. Në mesin e kërkuesve, kryesisht ish-profesionistë të lirë dhe nëpunës, kishte edhe personalitete, si për shembull ish-kryebashkiaku i Siatëllit, i “infektuar” edhe ai nga “ethet e arit”.
Problemi i racizmit
Për shkak të racizmit të madh që ekzistonte në atë kohë ndaj indianëve të Amerikës, gazetat e kohës ia atribuan zbulimin kalifornianit Xhorxh Karmak, i vetmi i bardhë i grupit të parë të kërkuesve në zonë. Por sot historianët bien dakord që t’ia atribuojnë zbulimin Skokum Xhim Mejsën, nga populli Tagish që banonte në Jukon.
Mbipopullim dhe krime
Douzën Siti, qyteti simbolik i “etheve të arit” i vendosur në brigjet e lumit Jukon, ishte një fshat i qetë para ardhjes së mijëra kërkuesve. Në vitin 1898 ai kishte 40.000 banorë dhe sallone të shumta ku ndodhte gjithçka.
Ardhja e kaq shumë njerëzve favorizoi gjithashtu edhe krimin, të cilin qeveria u përpoq ta frenonte duke dërguar Mounties, policët kanadeze që lëviznin hipur mbi kuaj. Në vitin 1899, me shterimin e rezervave të metalit të çmuar, popullsia e qytetit ra në 8.000 banorë. Në vitin 2016, Douzën kishte vetëm 1.375 banorë.
Kërkuesit më të famshëm
Ndër kërkuesit më të famshëm mund të përmendim shkrimtarin e njohur Xhek London, që bazuar në përvojën e Jukon shkroi romanet “Thirrja e pyllit” (1904) dhe “Zana e bardhë” (1906). Aventura e London nisi në korrik 1897, së bashku me kunatin e tij, por nuk ishte shumë frytdhënëse. I keq-ushqyer si shumë kërkues të tjerë, ai u sëmur rëndë nga sëmundja e skorbutit, por ia doli të mbijetojë. Në vitin 1898 u kthye në shtëpi me një qese të vogël me pluhur ari, nga shitja e të cilit fitoi vetëm disa dollarë.
Shumëkujt iu duk diçka e lehtë!
Megjithëse mijëra njerëz që u dyndën në Jukon u tërhoqën nga ëndrra e parave të kollajshme, kërkimi i arit nuk ishte diçka e lehtë. Ligji i detyronte kërkuesit të mbanin me vete furnizime ushqimore për 1 vit, dhe për t’i transportuar ato duheshin 20 ose 30 udhëtime.
Përgjatë Shtegut Çilkot, një nga rrugët kryesore të hyrjes në fushat e arit të Jukon, shumë kërkues vdiqën nga hipotermia, u mbytën nga ortekët e dëborës dhe nëse mbijetuan, u detyruan të ngjiteshin në shpate të pjerrëta me pesha të mëdha mbi supet e tyre.
Në fund të 3 viteve të kërkimit për ar, vetëm disa qindra njerëz u pasuruan vërtet. Shumë të tjerë e rikthyen në shtëpitë e tyre me xhepat bosh, por me kokën plot aventura për t’ua treguar të afërmve. / Focus – Bota.al