Bota

Si po i imponohet Moska Uashingtonit

Screen Shot 2015-10-01 at 08.45.50

Nga Alexander Golts

“Moscow Times”

Ne jemi dëshmitarë të lindjes së strategjisë së re diplomatike të Rusisë – domethënë, nëse Moska nuk mund të ofrojë asgjë konstruktive në dialogun ndërkombëtar, ajo duhet të krijojë probleme të reja, në mënyrë që të mbetet e rëndësishme.

Ishte prej fillimit e qartë se Presidenti Vladimir Putin, s’mund të ofronte asgjë pozitive, që do të shërbente si bazë e negociatave me presidentin amerikan. Sikurse opinioni publik e mësoi nga intervista e Putinit në një televizionin amerikan, Moska nuk mund të heqë dorë nga mbështetjen e saj për regjimin e presidentit sirian Bashar Al-Asad, apo separatistët pro-rusë në rajonin lindor ukrainas të Donbasit.

Për më tepër, iniciativa e Putinit për të formuar një koalicion ndërkombëtar për të luftuar Shtetin Islamik, mbetet një gjest bosh. Përkundrazi, Rusia papritmas dërgoi avionë luftarakë në Siri. Dhe, ndërsa këta të fundit qartazi s’mund të ndryshojnë balancën në luftën kundër Shtetit Islamik, por mund të krijojnë një problem për presidentin amerikan Barak Obama.

Nëse avionët amerikane dhe rusë kryejnë njëkohësisht misione luftarake në të njëjtën hapësirë ajrore, mund të ndodhë me gjasë ndonjë i incident i rrezikshëm dhe i padëshirueshëm. Në një skenar edhe më të keq, Uashingtoni mund të urdhërojë një sulm ndaj forcave të Asadit, dhe trupat ruse mund të marrin udhëzime për t’i mbrojtur këto të fundit.

Prandaj, Obama ra dakord pa dëshirë të takohet me Putinin, pavarësisht refuzimeve të  mëhershme. Megjithatë, grindja pasuese midis Rusisë dhe SHBA-ve, ku Obama kërkoi të braktisë i pari takimin, lë pak shpresa për ndërtimin e një raporti normal. Nuk ka dyshim se Moska do të krijojë më shumë “nxitje negative” në të ardhmen e afërt, për të detyruar Uashingtonin t’i japë asaj vëmendjen që dëshiron.

Sipas të gjitha gjasave, Moska do të ngrejë së shpejti çështje taktike – domethënë, jo-strategjike – të armëve të saj bërthamore në Evropë, si nxitja negative e ardhshme. Vetëm disa ditë para se Putini të nisej për në Nju Jork, Ministria e Jashtme ruse kujtoi papritmas se gjatë 5 viteve të fundit SHBA-ja ka zbatuar në mënyrë të fshehtë një program, për të modernizuar më shumë se 200 bomba bërthamore të stacionuara në Evropë. Dhe, ndonëse duhen dhe 5 vjet të tjera para përfundimit të programit, Moska zgjodhi pikërisht këtë moment për të dhënë alarmin.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova njoftoi se SHBA po shkel Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT), për përshtatjen e bombës B61-12 në përdorim nga avionët   “Tornado”, e të përdorur aktualisht nga aleatët e saj europianë. Zëdhënësi i Putinit, Dimitri Peshkov iu bashkua menjëherë korit duke thënë:Kjo mund të çojë në shkelje të balancës strategjike në Evropë, dhe sigurisht që kjo do të nxitë Rusinë të kundërlëvizë dhe marrë dhe kundërmasat e saj, për të rivendosur ekuilibrin dhe barazinë”.

Burime të paidentifikuara, me lidhje të ngushta me Ministrinë e Mbrojtjes, nxituan të informojnë gazetarët se kjo nënkupton vendosjen e sistemit të raketave taktike “Iskander” në rajonin e Kaliningradit, dhe rivendosjen e rekateve sulmuese Tu-22M3 me rreze të gjatë, më afër kufijve perëndimorë të Rusisë.

Ndërkohë Putini ka mobilizuar edhe artilerinë e rëndë.

Në përgjigje të pyetjes rreth pranisë ushtarake ruse në Ukrainë, ai i tha gazetarit amerikan Charlie Rose:”Le të mos harrojmë se amerikanë kanë armë taktike bërthamore në Evropë. A do të thotë kjo se SHBA-ja e ka pushtuar Gjermaninë, apo se Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndalar kurrë pushtimin pas Luftës së Dytë Botërore, dhe vetëm sa ka i kanë transformuar trupat e saj pushtuese në forcat e NATO-s? Dhe nëse ne mbajmë trupat tona në territorin tonë kufitar me disa shtete, a mund të cilësohet kjo një krim?”

Sinqerisht, këto pretendime nuk pijnë ujë. Bombat atomike amerikane janë të stacionuara në Evropë prej dekadash, dhe në bazë të një marrëveshje të veçantë midis Uashingtonit dhe aleatëve të saj evropianë, dhe ushtria amerikane ka kontrollin e plotë mbi to në kohë paqeje. Në gjithë këto vite, nuk ka shkrepur në mendjen e një zyrtari të vetëm në Moskë ideja, se ato bomba kanë shkelur traktatin e mospërhapjes së armëve

Nëse, nga ana tjetër, Moska mund të gjejë disa faktorë të rinj në fushën e lojës, ajo mund të argumentojë se bombat amerikane, po e shkelin ekuilibrin strategjik në Evropë. Ky ishte qëllimi i diplomacisë së epokës sovjetike, gjatë debatit mbi raketat me rreze të mesme dhe të shkurtër veprimi.

Logjika ishte e thjeshtë:raketat jo-strategjike amerikane mund të arrijnë Moskën dhe Shën Petersburgun, ndërsa raketat ruse të së njëjtës kategori, s’mund të arrijnë dot në SHBA. Megjithatë, kjo nuk merr parasysh faktin që sipas shumicës së ekspertëve, Rusia ka epërsi të konsiderueshme në armët bërthamore taktike.

Kështu, çdo llogaritje e bilancit të vërtetë të pushtetit, duhet të marrë parasysh faktin se armët ruse mund të godasin çdo objektiv, në territorin e aleatëve evropianë të Uashingtonit. Kjo është pikërisht ajo që i jep kuptim simbolik, vendosjen së bombave të SHBA-sa në kontinent:Ato dëshmojnë gatishmërinë e Uashingtonit, për të parandaluar agresionin bërthamor kundër anëtarëve evropianë të NATO-s.

Vlen të përmendet në këtë aspekt, se Uashingtoni është vetëofruar për vite me rradhë për të filluar bisedimet me Moskën, mbi armët bërthamore jo-strategjike. Megjithatë, Kremlini në mënyrë të qartë nuk ka dashur të zhvillojë bisedime të tilla, duke këmbëngulur se një parakusht për negociatat është largimi i armëve amerikane nga Evropa.

Kërcënimet e Rusisë, nuk janë më pak të palogjikshme. Gjatë 8- 9 viteve të shkuara, Moska ka kërcënuar me vendosjen e raketave pranë Evropës, sa herë kishte konflikte me Uashingtonin. Si rrjedhojë e kësaj, vendosja e këtyre raketave – thjesht pasojë e modernizimit të rregullt – është parë në mënyrë të pashmangshme si një akt konfrontimi.

Nuk ia vlen as të përsëritet këtu, se me çfarë absurditeti disa deputetë të Dumës, ndjejnë shqetësim mbi bombat amerikane. Në qoftë se Kremlini nuk guxon të tërhiqet nga traktati “New START” ose nga Traktati i Forcave Bërthamore me rreze të Mesme (INF),  ai rrezikon të shpërthejë një garë të re armatimesh, si ajo që çoi në rrëzimin e Bashkimit Sovjetik. Kështu, ndërsa Kremlini duhet ende të gjejë realisht “nxitje të reja negative”, përbën një shqetësimit të thellë fakti që Moska po përqëndrohet vetëm tek kjo qasje.

Shënim: Alexander Golts është zv/redaktor i gazetës në internet “Yezhednevny Zhurnal”.

www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button