Nga Anne Applebaum
Duke kthyer kokën pas në vitet ’50 të shekullit të kaluar, kur institucionet ishin ende të reja dhe të dobëta, unë jam e sigurtë se shumë njerëz kishin frikë se Aleanca Perëndimore nuk do mund ta merrte kurrë veten. Ndoshta gjatë viteve ‘70, në epokën e Brigadave të Kuqe dhe Luftës në Vietnam, pati shumë më tepër njerëz të frikësuar se Perëndimi nuk do të mbijetonte.
Por në jetën time në moshë madhore, unë nuk mund të kujtoj një moment kaq dramatik sa ky i sotmi:Tani për tani, ne jemi vetëm dy apo tre zgjedhje të keqija larg fundit të NATO-s, fundit të Bashkimit Evropian, dhe ndoshta fundit të rendit liberal botëror sikurse e njohim sot. Në Shtetet e Bashkuara, ne jemi duke u ballafaquar me mundësinë reale që Partia Republikane të kandidojë për president Donald Trampin, që do të thotë se ne duhet të marrim seriozisht mundësinë e një presidenti Tramp.
Fushata e Hilari Klintonit mund të shpërthejë për çdo numër arsyesh, tejet të qarta për t’i ripërmendur këtu; zgjedhjet janë diçka gazmore, dhe elektoratet të ndryshueshme. Kjo do të thotë që janarin e ardhshëm ne mund të kemi në Shtëpinë e Bardhë, një njeri i cili është krejtësisht i painteresuar për ato që Presidentët Obama, Bush, Klinton, Regan dhe Xhonson, Nikson dhe Truman – të gjithë do t’i quanin “vlerat tona të përbashkëta”.
Tramp merr në mbrojtje torturën, dëbimin në masë, diskriminim fetar. Ai mburret se “nuk do të kujdeset aq shumë”, nëse Ukraina pranohet apo jo në NATO; nuk ka asnjë interes tek NATO dhe garancitë e saj të sigurisë. Mbi Evropën, ai ka shkruar se “konfliktet e tyre nuk vlejnë asnjë jete amerikani dhe se tërheqja nga Evropa do t’i kursejë këtij vendi miliona dollarë në vit”.
Në çdo rast, ai preferon shoqërinë e diktatorëve, se sa atë të demokratëve të tjerë. “Ju mund të arrini marrëveshje me ata njerëz”- ka thënë ai për Rusinë. “Unë do të kem një marrëdhënie të shkëlqyer me Vladimir Putinin”. Tramp është jo vetëm i ç’interesuar mbi aleancat e Amerikës, por ai nuk do të jetë në gjendje për t’i mbështetur ato.
Në praktikë, sektorët e ushtrisë dhe ekonomisë nuk kërkojnë aftësitë e një e një manjati me pasuri të dyshimta që bën “bën marrëveshje”, por atë për zhvillimin e negociatave të mërzitshme, kompromiseve të pakënaqshme, dhe ndonjëherë sakrificën e ndonjërës nga preferencat kombëtare, për të mirën më të madhe.
Në një epokë kur debati mbi politikën e jashtme është zhdukur fare në shumicën e vendeve perëndimore, duke u zëvendësuar nga emisionet e argëtimit politik, të gjitha këto gjëra janë shumë më të vështira për t’iu shpjeguar dhe justifikuar para një publiku që nuk është shumë i interesuar. Dhe amerikanët nuk janë të vetmit që i cilësojnë aleancat e tyre si një barrë e
rëndë.
Pas një viti Franca mban gjithashtu zgjedhjet presidenciale. Njëri nga favoritët, Marin Lë Pen e Frontit Kombëtar, ka premtuar se do të largojë vendin si nga NATO ashtu edhe BE, do të shtetëzojë kompanitë franceze, dhe kufizojë investitimet e huaja. Ngjashëm me Tramp, edhe ajo parashikon një marrëdhënie të veçantë me Rusinë, bankat e të cilës po e financojnë fushatën e saj zgjedhore. Miqtë francezë më kanë siguruar, se nëse Lë Pen e kalon raundin e parë, qendra e majtë dhe ajo e djathtë do të bashkojnë forcat kundër saj në raundin e dytë, ashtu siç bënë dy dekada më parë ndaj babait të saj.
Por zgjedhjet janë gjëra qesharake, dhe elektoratet të ndryshueshme. Çfarë ndodh nëse kundërshtari i Lë Pen, bie papritmas viktimë e një skandali? Çfarë ndodh nëse një tjetër sulm i Shteti Islamik trondit Parisin? Deri në kohën kur kjo të ndodhë, Britania mund të jetë në gjysmë të rrugës për të dalë nga unioni. Në qershor, britanikët votojnë në një referendum për t’u larguar nga BE-ja. Tani për tani, nuk është ende e qartë sesi do të shprehet shumica – dhe në qoftë se mbizotëron vota e “daljes”, atëherë, siç e kam shkruar më herët, të gjitha bastet do të jenë të kota.
Referendume të ngjashme mund të zhvillohen në vendet e tjera të BE-së. Kryeministri hungarez Viktor Orban, flet nganjëherë për braktisjen e Perëndimit në favor të një aleancë strategjike me Stambollin apo Moskën. Nuk është e vështirë të imagjinohet një Britani e shkëputur nga Evropa, që distancohet edhe nga aleanca transatlantike.
Nëse trazirat ekonomike që mund të pasojnë një dalje britanike nga BE-ja do të jenë mjaft të rënda, ndoshta publiku britanik do të votojë kundër qeverisë konservatore në favor të Partisë Laburiste, udhëheqja e të cilit tashmë është radikalisht anti-amerikane. Gjithkush e shpërfill Xheremi Korbinin, liderin laburist të ekstremit të majtë, por ata gjithashtu e shpërfillin edhe Trampin.
Korbin është e vetmja alternativë e besueshme, nëse publiku do ndryshim. Zgjedhjet janë diçka qesharake, dhe elektoratet janë të ndryshueshme. Po pastaj? Pa Francën, tregu i përbashkët i Evropës do të pushojë së ekzistuari. Pa Britaninë, është e vështirë që NATO të vazhdojë të ekzistojë edhe për një kohë të gjatë. Por jo të gjithë do të jenë të keqardhur.
Ashtu siç e bën të qartë retorika tërheqëse e Trampit, kostot e aleancave (miliona dollarë në vit) janë më të lehta për t’u parë se sa përfitimet afatgjata. Uniteti perëndimor, frenimi bërthamor, dhe ushtritë në gatishmëri, na dhanë më shumë se gjysmë shekulli stabiliteti politik. Hapësira e përbashkët ekonomike, ka ndihmuar në sjelljen e prosperitetit dhe lirisë në Evropë dhe Amerikën e Veriut. Por këto janë gjëra që ne të gjithë i marrim si të mirëqena, deri kur ato të jenë zhdukur.
Shënim: Anne Applebaum është fituese e çmimit Pulitzer. Libri i saj më i fundit është “Perdja e Hekurt: Shtypja e Evropës Lindore, 1944-1956”.
“Slate” – Në shqip nga bota.al