“Haaretz”
Ngjarjet e Ditës së Jeruzalemit të hënën, u përshkallëzuan në mënyrë të panevojshme, deri në pikën që u qëlluan me raketa mbi Jeruzalem dhe Izraelin Jugor, ngjitur me Rripin e Gazës, ndërsa qindra palestinezë dhe policë u plagosën në përleshjet në Malin e Tempullit.
Ekziston një frikë e madhe se ky është hapi i parë drejt asaj, që për forcat izraelitë të sigurisë, IDF, mund të jetë një fushatë e gjerë goditëse kundër Gazës, e cila mund të zgjasë disa ditë, në mos më gjatë.
Shpërthimet e dhunës nuk fillojnë brenda një dite; dhe ato nuk janë fatkeqësi natyrore. Një zinxhir ngjarjesh, të cilat përfshijnë përplasjet në Sheik Jarrah, barrierat policor të ngritura në Portën e Damaskut, përplasjet në Malin e Tempullit dhe planet për Marshimin e Flamujve, nuk ishin gjë tjetër veçse provokime të planifikuara paraprakisht për të treguar më pas forcën.
Ata që qëndrojnë pas këtyre ngjarjeve, kanë ndërtuar me kujdes një rrugë që ka shkaktuar dhunë dhe që mund ta tërheqë Izraelin në një luftë. E gjitha kjo mund të ishte shmangur, por zyrtarët e inteligjencës, ushtria dhe policia, të cilët paralajmëruan se cilat do të ishin pasojat, u përballën me një qeveri të përkohshme, pa asnjë legjitimitet, në krye të së cilës qëndron një kryeministër që e ka humbur mandatin e tij, dhe që i sheh ngjarjet përmes prizmit nëse ato mund të jenë të dobishme për të, apo nëse mund të dëmtojnë kundërshtarët e tij politikë.
Ndaj nuk është aspak për t’u habitur që zëdhënësi i Netanjahut, MK Miki Zohar, i shpjegoi ngjarjet me “arabët” që përpiqen të testojnë “qeverinë e së majtës që do të formohet në Izrael”.
Burimi i hipotezës së Zoharit dihet shumë mirë. Vetëm në minutën e fundit dhe tepër vonë, Benjamin Netanjahu u bind që të zhvendoste itinerarin e planifikuar të paradës së flamurit, dhe vetëm kur ishte tashmë e qartë se si mund të përfitonte nga situata.
“Grupet terroriste në Gaza, e kaluan një vijë të kuqe në prag të Ditës së Jeruzalemit, dhe na sulmuan me raketa në periferi të Jeruzalemit. Izraeli do të kundërpërgjigjet me forcë të madhe”- ishte përgjigja krejtësisht e pritshme e Izraelit.
Eshtë e panevojshme të thuhet, se shumë vija të kuqe janë shkelur edhe në të kaluarën, duke përfshirë raketa të lëshuara mbi Jeruzalem, por kundërpërgjigjet e fuqishme izraelite kanë dështuar që të arrijnë ndonjë sukses të vërtetë.
Përkundrazi ishin marrëveshjet dhe mirëkuptimet e arritura me Hamasin përmes ndërmjetësuesve, ato që kanë prodhuar periudha paqeje dhe qetësie. Qytetarët e Izraelit nuk kanë nevojë për një test tjetër të kushtueshëm e të pakuptimtë, apo për një demonstrim tjetër të tregimit të muskujve me pasoja vdekjeprurëse.
Kur u pa se si po zhvilloheshin ngjarjet në Jeruzalem, siguria e izraelitëve që jetojnë ngjitur me Gazan, duhet të ishte në krye të vlerësimeve të vendimmarrësve. Një kryeministër i përkohshëm ka autoritetin dhe detyrimin të parandalojë kërcënimet ekzistenciale ndaj sigurisë së Izraelit.
Por ai nuk ka autoritetin që ta tërheqë Izraelin në një luftë, që është vetëm një garë nderi. Dhënia e dritës jeshile nga qeveria për IDF-në që të veprojë me forcë në Gaza, nuk do ta zgjidhë problemin e Jeruzalemit. Por përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund situatës së përshkallëzuar, mund të zbutin gjakrat.