Nga Clara Ferreira Marques
“Bloomberg”
Diktatorët e shkollës së vjetër, dallohen nga mbështetja e tyre tek terrori dhe censura e hapur. Ndërkohë autokratët e gjeneratës së re, arrestojnë më pak dhe gënjejnë më shumë. Ata krijojnë një fasadë të demokracisë, mbështeten tek manipulimi i informacionit dhe kompetenca në realizimin e projektit.
Këta udhëheqës autoritarë duan ende kontrollin e vendit, por synojnë ta arrijnë përmes dinakërisë së liderit të Singaporit Li Kuan Jeu, dhe jo nëpërmjet sjelljes brutale të Josif Stalinit. Në librin e tyre të ri “Diktatorët dinakë: Fytyra në ndryshim e tiranive të shekullit XXI”, Sergei Guriev dhe Daniel Treisman parashtrojnë tiparet e këtyre regjimeve autokratike të reja dhe pasojat e tyre. Në një intervistë me ta, unë bisedova mbi rreziqet dhe përfitimet, pse këto lloj diktaturash nuk zgjasin gjithmonë, dhe pse presidenti rus Vladimir Putin i është kthyer metodave brutale të së kaluarës.
Libri juaj e përshkruan Putinin si një nga diktatorët e “moderuar”, por regjimi i tij është ashpërsuar shumë vitet e fundit. Si e përshkruani atë sot, pas viteve të intensifikimit të goditjeve ndaj disidencës dhe pushtimit të Ukrainës?
Daniel Treisman, profesor i shkencave politike në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos:Rusia është aktualisht një diktaturë tradicionale e bazuar tek terrori. Që nga vitit 2018, ne kemi parë një rritje të madhe të represionit të hapur politik duke filluar, me kontrolle më të rrepta të policisë dhe frikësimin e opozitës.
Pas pushtimit të Ukrainës, Putin firmosi një ligj që e konsideron krim cilësimin si luftë të së ashtuquajturit “operacion special”. Nuk ka asnjë pretendim se regjimi nuk është represiv. Edhe retorika është bërë shumë e dhunshme, duke folur për “shtypjen si miza” të pjesëtarëve të opozitës ruse.
Pse ka ndodhur ky ndryshim?
Ne mendojmë se kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të modernizimit të vazhdueshëm social dhe ekonomik të shoqërisë ruse. Nga viti 2012 e tutje, ka pasur një rritje të madhe të depërtimit të internetit në Rusi, gjë që bën të mundur publikimin e videove denoncuese. Lideri i burgosur i opozitës Aleksei Navalni është njëkohësisht një përshpejtues dhe një simptomë e këtij ndryshimi. Elementi shtesë është ndryshimi i vlerave, rritja e kërkesave për lirinë e fjalës, për të drejtën për të demonstruar etj. Putin e vuri re këtë gjë, dhe nga viti 2019, pa se metodat e tij të vjetra nuk po funksiononin më.
Ndaj u dha më shumë kompetenca operative shërbimeve të sigurisë, e lejoi policinë të ushtrojë më shumë dhunë dhe të ndalojë një numër më të madh njerëzish. Kur përballen me presione për shkak të modernizimit të vazhdueshëm apo krizave ekonomike, diktatorë të tillë i rikthehen terrorit si mjeti i fundit, pasi mendojnë se nuk do të funksionojë asgjë tjetër.
Ne e shohim këtë me presidentin turk Erdogan pas tentativës për grusht shteti në vitin 2016, por edhe tek ndryshimi i pushtetit nga Çavez tek Maduro në Venezuelë. Për këta liderë, kjo qasje nuk është zgjidhje, pasi ajo e ngrin problemin, nuk e ndryshon gjendjen e shoqërisë apo forcat e rezistencës, dhe sjell një përkeqësim të madh të ekonomisë.
A mund të themi se kanë dështuar këto lloj diktaturash?
Sergei Guriev, profesor i ekonomisë në Universitetin Sciences Po në Paris: Ne e përfunduam së shkruari librin në majin e vitit 2021. Dhe që atëherë kishte shenja se regjimi i Putinit po shndërrohej në një diktaturë të bazuar tek terrori. Ne iu referuam të dhënave që tregonin se publiku rus po ndjente shtimin e praktikave represive.
Vitin e kaluar organizata e Navalnit u etiketua si “ekstremiste”. Ai u ndoq penalisht për qëndrimet e tij politike, dhe jo me akuzat e përvetësimit apo mashtrimit, si në të kaluarën. Ndërkaq pati një rritje të madhe të shtypjes së mediave të pavarura. Por ndryshimi i vërtetë ndodhi pas nisjes së luftës.
Nuk ndodhi më herët, sepse Putini donte të mbetej një diktator i moderuar. Ai mendonte se kjo luftë do të ishte si aneksimi i Krimesë në vitin 2014, pa shumë gjak, e shkurtër, fitimtare. Mediat e pavarura nuk i mbylli para vitit 2022, por më pas, që në ditët e para të luftës në Ukrainë, pasi e pa se sa i rrezikshëm ishte lejimi i tyre. Përvoja e këtij viti na mëson edhe se sa e kushtueshme është të jesh një diktator që sundon përmes frikës, sepse pavarësisht çmimeve më të larta të naftës, Rusia po përjeton aktualisht recesionin më të keq ekonomik në 30 vitet e fundit.
Në librin tuaj përmenden disa diktatura të tjera moderne, që po ia dalin më mirë…
Daniel Treisman:Këtë model qeverisje e shohim të vazhdojë në Singapor, edhe në Hungari me Viktor Orban. Edhe në Kazakistan, ndonëse presidenti aktual Kasim-Jomart Tokajev përdori forcën kundër një rebelimi të dhunshëm në janar, e shohim tani atë duke u përpjekur të vazhdojë diktaturën e moderuar të ish-udhëheqësit Nursulltan Nazarbajev.
Malajzia mbetet një shtet në kufirin mes diktaturës së moderuar dhe demokracisë. Dhe po shfaqen disa diktatura të reja të këtij lloji. Aleksandër Vuçiç në Serbi po shkon në atë drejtim, i akuzuar për manipulim të zgjedhjeve, dërgimin e inspektorëve të tatimeve tek mediat kritike, dhënien e reklamave shtetërore për mediat besnike, si dhe demonizimin e gazetarëve liberalë. Pra, ai mund ta konsolidojë pushtetin duke u bërë plotësisht një diktator i moderuar.
A ka ndikim jetëgjatësia? Për shembull a ka ndryshime në Rusi, pjesërisht për shkak të natyrës sklerotike të regjimit? Dhe nëse po, a shihni ndonjë leksion që na vjen nga diktaturat e tjera, të moderuara apo tradicionale që po ngrihen?
Treisman: Ka një tendencë që diktaturat të modelohen, por mendoj se kjo është e vështirë të ruhet për një kohë të gjatë. Ne shohim disa suksese, por sa më gjatë të qëndrosh në pushtet, aq më shumë ka të ngjarë të përballeni me presionet e modernizimit, të mobilizimit social, dhe aq më shumë ka të ngjarë të përballeni me një periudhë krize ekonomike. Këto presione mund të shkaktojnë rikthimin tek diktatura tradicionale.
Sergei Guriev: Ajo që njerëzit kanë në mendje, kur mendojnë se diktatorët po e humbin kontaktin me realitetin pas shumë vitesh pushtet, është debati i brendshëm, pra kur diktatorët izolohen shumë nga kritikat. Dhe kjo është ajo që ndodhi me Putinin. Ne mund të vërejmë këtë vit një ndryshim të regjimit edhe në Kinë.
Xi Jinping po i ndryshon rregullat e lojës, duke hequr kufizimet kushtetuese të mandatit të tij, dhe duke forcuar kontrollin në Hong Kong. Ky regjim post-Mao ka zgjatur për 4 dekada, por tani po bëhet më represiv. Sipas këndvështrimit tonë, Kina nuk ka qenë kurrë një diktaturë e moderuar, por ka pasur elemente të saj, dhe ato po zëvendësohen tani nga terrori.
Putin ishte një nga rastet tuaja kryesore studimore. Me largimin e tij nga diktatura e moderuar, kush e ka marrë stafetën?
Sergei Guriev: Është Hungaria. Orban ka arritur të mashtrojë disa politologë dhe t`i bëjë ata të besojnë se Hungaria është një demokraci. Disa ekspertë e quajnë atë një demokraci, pasi është pjesë e Bashkimit Evropian. Orban ia ka dalë ta luajë aq mirë këtë lojë, saqë pavarësisht nivelit të lartë të korrupsionit, ecurisë së dobët të ekonomisë, arrin të jetë ende popullor dhe të fitojë zgjedhje (të pandershme). Ai është shumë i zoti, dhe diktatori i fundit i moderuar.
Marrë me shkurtime nga Bloomberg