Nga Matthew Karnitschnig
“Politico.eu”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arritur të pamundurën në politikën amerikane: konsensusin midis demokratëve dhe republikanëve. Për fatin e keq të Kurtit (dhe të vendit të tij), të dyja kampet në SHBA bien dakord se udhëheqës aktual i Kosovës është një politikan kokëfortë dhe nganjëherë i pamatur, i cili i ka minuar përpjekjet e përbashkëta SHBA-BE për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme për paqen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Uashingtoni ka fajësuar hapur autoritetet e Kosovës për shpërthimin e akteve të dhunës midis saj dhe komuniteteve me shumicë serbe në veri të vendit, dhe është përpjekur – deri tani pa sukses – ta frenojë atë nëpërmjet kritikave publike.
Konflikti, që ka të bëjë me statusin e ardhshëm të zonave serbe në veri të Kosovës dhe kërkesën e Prishtinës që Beogradi të njohë përfundimisht sovranitetin e saj, ka dalë edhe më tej jashtë kontrollit ditët e fundit, teksa Serbia ka arrestuar 3 roje kufitare kosovare, ndërsa qeveria e Kosovës është kundërpërgjigjur duke bllokuar kalimin në pikat doganore për kamionët serbë.
Kritikët e akuzojnë Kurtin se e ka prodhuar vetë krizën duke dërguar njësi policore paraushtarake në komunitetet serbe dhe duke përdorur forcën në fund të majit për të vendosur atje kryekomunarët shqiptarë që u zgjodhën në prill në një proces të bojkotuar nga serbët.
“Ne kemi disa probleme shumë thelbësore dhe nuk e dimë nëse mund të mbështetemi tek ai si partner”- deklaroi për “Zërin e Amerikës” Christopher Hill, ambasadori i SHBA-së në Serbi. Ndërkohë më herët Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, shkroi në Twitter: “Ne dënojmë fuqishëm veprimet e qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po rrisin destabilitetin”.
Richard Grenell, që ka mbajtur disa poste të larta në lidhje me politikën e jashtme gjatë administratës Trump, përfshirë atë si i dërguar i posaçëm për negociatat e paqes midis Serbisë dhe Kosovës, tha javën e kaluar se me veprimet e tij kohët e fundit, Kurti i ka treguar “gishtin e mesit” Joe Biden dhe evropianëve. Ndërsa Grenell ka qenë prej kohësh kritik ndaj Kurtit, një nacionalist i krahut të majtë, pikëpamjet e të cilit nuk janë përputhur asnjëherë me ato të zyrtarëve të Trump, kritika publike nga ana e administratës Biden ishte i jashtëzakonshme për disa arsye.
Së pari, Kosova ka qenë një projekt i preferuar i liderëve demokratë që kur ish-presidenti Bill Clinton udhëhoqi fushatën e suksesshme ushtarake të NATO-s në vitin 1999 kundër udhëheqësit autoritar jugosllav Slobodan Milosevic, që urrdhëroi dëbimin e miliona njerëzve nga shtëpitë në spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova.
Shumë demokratë e shohin Kosovën si një shembull të rrallë të suksesit në ndërtimin e një shteti të ri. Së dyti, zoti Hill është një legjendë e diplomacisë në Ballkan. Ai ka shërbyer në rajon për dekada, më e rëndësishmja është një nga arkitektët e Marrëveshjes së Dejtonit, që i dha fund luftës në Bosnje në vitin 1995.
Nëse është dikush që e kupton shkallën e ndikimit dashakq të Serbisë në të gjithë rajonin me kalimin e viteve, ai është pikërisht Hill. Megjithatë, diplomati veteran shprehet i bindur se në këtë rast Beogradi nuk ishte fajtor për përshkallëzimin e tensioneve të fundit.
Presidenti serb Aleksandar Vucic dhe qeveria e tij “janë partnerë të mirë në këtë proces”, deklaroi Hill. Ndërkohë edhe BE-ja, që ka nxitur bisedimet për “normalizimin” e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, dhe i sheh si një parakusht për secilin vend për t’u bashkuar me bllokun, e ka humbur durimin me Kurtin.
Javën e kaluar Brukseli njoftoi pezullimin e vizitave të nivelit të lartë në Kosovë si dhe “bashkëpunimin financiar”. Deri më tani, Kurti ka treguar pak gatishmëri për t’u tërhequr nga pozicioni i tij, duke këmbëngulur se fajtor për situatën është refuzimi i palëkundur i Vucic për të njohur sovranitetin e Kosovës dhe për t’u pajtuar me realitetet e së kaluarës së Serbisë gjatë kohës së luftës.
Kurti thotë se po vepron bazuar në parimet dhe jo i nxitur nga inati. “Ajo që ne shohim nga Perëndimi demokratik është një qëndrim i caktuar tolerant ndaj Serbisët. Prandaj edhe kemi arrtur në këtë situatë. Unë mendoj se është e rëndësishme që si BE po ashtu edhe SHBA t’i thonë zotit Vucic të tërhiqet nga kjo qasje”,- tha Kurti në një intervistë dhënë pak ditë më parë për “Politico”.
Po ashtu, Kurti e akuzoi Vucic për nxitje të trazirave në Kosovën e Veriut duke mbështetur një “milici fashiste”, e cila sipas tij qëndron pas sulmeve të fundit ndaj gazetarëve shqiptarë dhe paqeruajtësve ndërkombëtarë.
Por shumë pak njerëz do të pohonin se Vucic, një lider autoritar me një histori të gjatë të antagonizimit të Perëndimit dhe që flirton paralelisht me Rusinë dhe Kinën, është një engjëll. Disa perëndimorë e kanë kritikuar Uashingtonin për mbajtjen e anës së Vuçiç, teksa po forcohen protestat masive në Serbi kundër sundimit të tij gjithnjë e më autoritar.
Megjithatë, Serbia mbetet strumbullari i rajonit, dhe SHBA dhe BE duan të sigurohen që ajo të mos zhvendoset më tej në sferën e ndikimit të Rusisë. Shumica e analistëve perëndimorë dyshojnë gjithashtu në perspektivat e rezistencës ndaj Vucic në Serbi, duke pasur parasysh
se sa i përhapur është bërë pushteti i tij.
Rëndësia e Beogradit për Perërdimin u theksua sërish në prill, kur një dokument i Pentagonit zbuloi se Serbia kishte rënë dakord të furnizonte me armë Ukrainën, diçka që Serbia e kundërshton të paktën publikisht. Edhe pse ajo i është bashkuar rezolutës së OKB-së që dënon Rusinë për pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës, pozicioni i saj zyrtar është të qëndrojë neutrale në raport me këtë konflikt.
Ndërkohë Vucic nuk ka qenë asnjëherë neutral kur bëhet fjalë për serbët në veri të Kosovës, një komunitet prej rreth 50.000 banorësh të shpërndarë në katër komuna. Ndërsa po përpiqet të shaujë lëvizjen e protestës në shtëpi, Kosova është sërish për të një mjet i dobishëm për të për ta shpërqendruar vëmendjen e opinionit publik.
Shumë serbë të Kosovës e konsiderojnë Vucic si mbrojtësin e tyre. Në fakt, me urdhër të presidentit serb ata qëndruan larg qendrave të votimit në zgjedhjet e fundit lokale. Për passojë u shpallën fitues 4 kandidatë shqiptarë, njëri prej të cilëve mori vetëm 100 vota.
Vendimi i Kurtit për t’i vendosur me forcë në zyra, pavarësisht se e pranoi për “POLITICO” se zgjedhjet nuk kishin legjitimitet të plotë, shkaktoi trazirat e fundit në rajon. Por serbët në Kosovën e Veriut thonë se u ishte sosur durimi me mënyrën se si ishin trajtuar nga qeveria e Kurtit shumë kohë përpara se Vucic t’u thoshte atyre që të bojkotonin zgjedhjet.
Por Prishtina dyshon se komunitetet lokale serbe po përgatiten të shkëputen, duke vënë në dukje se edhe 15 vjet pasi Kosova shpalli pavarësinë nga Beogradi, shumë njerëz në këtë zonë vazhdojnë të marrin paga dhe ndihmë sociale nga Serbia.
Struktura e shërbimeve publike në Kosovë, nga sistemi arsimor tek kujdesi shëndetësor, është thelbësisht e ndryshme nga ajo në Serbi, dhe serbët e veriut të Kosovës thonë se nuk duan të heqin dorë nga ato. Për më tepër, serbët shprehen se qeveria qendrore ka bërë pak për të adresuar shqetësimet e tyre lidhur me integrimin e plotë në shoqërinë kosovare, sidomos kur bëhet fjalë për trajtimin e barabartë të gjuhës dhe kulturës së tyre.
“Deri më tani ne kemi pasur një përvojë të keqe me integrimin”- thotë Milica Rakić, menaxhere e projekteve në “New Social Initiative”, një grup kërkimor me seli në Mitrovicë, qendra urbane e Kosovës veriore, e cila ndahet në seksione serbe dhe shqiptare nga lumi Iber.
Për të problemi kryesor me bisedimet ka të bëjë me faktin se përpjekja ndërkombëtare për zgjidhjen e konfliktit përqendrohet tek Serbia dhe Kosova, dhe jo tek banorët lokalë.
“Ne nuk jemi në ekipin negociator të Serbisë dhe as në ekipin e Kosovës, edhe pse ata të gjithë po flasin për ne. Komuniteti ndërkombëtar po përpiqet të ndërtojë një shtëpi nga çatia e poshtë në vend se ta ndërtojë nga themelet”,- tha Rakić.
BE-ja është përpjekur për një dekadë të negociojë arritjen e një paqeje të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në mars, shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell pretendoi se ishte arritur një marrëveshje pas një samiti në Maqedoninë e Veriut midis Kurtit dhe Vucic.
Në këmbim të njohjes de-fakto të Kosovës nga Serbia, Prishtina ra dakord mbi një “një nivel të duhur të vetë-menaxhimit” për komunat serbe në veri të Kosovës. Megjithatë, brenda disa javësh, gjithçka ka ngecur. Perëndimi e fajëson Kurtin pse përdori dhunën në një moment delikat.
Në një kohë kur SHBA-ja dhe Evropa janë të fokusuara tek ndihma ndaj Ukrainës në luftën e saj me Rusinë, gjëja e fundit që u nevojitet është një tjetër konflikt në kontinent. Kjo duket të jetë llogaritja e tyre në përpjekjen për të detyruar Kurtin të tërhiqet.
Pavarësisht nëse kritikat ndaj Kurtit janë të drejta, shpërthimi i fundit i tensioneve në Kosovë ofron një kujtesë të fuqishme të dështimeve të vetë Perëndimit në rajon dhe koston nga lënia për vite me rradhë që të ziejë nën vete. Të hënën, BE-ja i kërkoi që Kurti dhe Vucic të udhëtojnë në Bruksel për një “takim krize” ose do të përballen me pasoja “të dëmshme”. Por deri më tani asnjë nga liderët nuk ka pranuar të shkojë.