Sindroma e Kalorësit të Bardhë është një fenomen që prek shumë njerëz, veçanërisht ata që kanë përjetuar braktisje apo trauma në të kaluarën. Dëshira e tyre për të shpëtuar të tjerët është thuajse e pakontrollueshme, edhe pse shpesh kjo ndihmë nuk është gjithmonë ajo që të tjerët kërkojnë ose kanë nevojë.
Kjo sindromë përfaqëson ata individë që ndjejnë nevojën e pashmangshme për të ndihmuar, për të zgjidhur problemet e të tjerëve dhe për të shëruar plagët e tyre emocionale. Rrënjët e këtij fenomeni shpesh lidhen me përvoja të dhimbshme, trauma apo mungesë dashurie të ndërsjellë. Një element kyç i këtyre personave është aftësia e jashtëzakonshme për të ndjerë dhimbjen e të tjerëve, por ndonjëherë ndihma që ofrojnë vetëm sa e përkeqëson situatën.
Të gjithë kemi njohur të paktën një “shpëtimtar” të lindur – dikë që duket sikur ka një radar emocional për të perceptuar nevojat e të tjerëve. Por kjo ndihmë mund të bëhet e tepruar dhe ndonjëherë invazive, duke i lënë ata që ndihmohen të ndihen të paaftë për të zgjidhur vetë problemet e tyre. Në anën tjetër, altruizmi i sinqertë dhe devotshmëria e kalorësit të bardhë shpesh është burim falënderimi. Megjithatë, prapa kësaj sjelljeje fshihet një realitet i dhimbshëm dhe plagë të pashëruara.
Sindroma e Kalorësit të Bardhë u përshkrua për herë të parë në vitin 2015 nga psikologet Mary C. Lamia dhe Marilyn J. Krieger nga Universiteti i Berkeley-t. Le t’i hedhim një vështrim më të hollësishëm këtij fenomeni.
Karakteristikat e sindromës së Kalorësit të Bardhë
Në përralla, kalorësi mbi një kalë të bardhë shpëton princeshën nga rreziku. Në jetën reale, kalorësi i bardhë mund të jetë burrë apo grua, dhe qëllimi i tij është të ndërtojë marrëdhënie me njerëz të lënduar apo vulnerabël. Duke shëruar tjetrin, ai apo ajo përpiqet të forcojë vetveten dhe të ndjejë se ka dhënë kuptim jetës.
Megjithatë, shpesh ndodh që personat e lënduar nuk shërohen plotësisht. Në vend të kësaj, plagët e tyre bëhen reflektime të dhimbjeve dhe traumave gjithnjë e më të mëdha të kalorësit të bardhë. Ky cikël frustrues shpesh përfundon me pakënaqësi dhe vuajtje.
Shkaqet
Faktorët që shpesh çojnë në zhvillimin e kësaj sindrome përfshijnë:
Një fëmijëri të mbushur me abuzime apo prindër autoritarë.
Mungesë e lidhjeve të shëndetshme emocionale.
Përvoja të shumta braktisjeje, si nga familja, ashtu edhe nga partnerët romantikë.
Sjelljet tipike të Kalorësit të Bardhë
Frika nga braktisja: Kalorësi i bardhë ka një frikë të thellë nga distanca emocionale dhe braktisja.
Ndjeshmëri e lartë ndaj zhgënjimeve: Ata priren të ndihen të ofenduar apo të dëshpëruar nga situata, që për të tjerët mund të duken të parëndësishme.
Vlerësim i ulët për veten: Ata luftojnë me pasiguri të thella dhe mungesë vetëbesimi.
Mungesa e kufijve emocionalë: Kalorësit e bardhë shpesh dështojnë të dallojnë mes ndjenjave të tyre dhe të tjerëve, duke i intensifikuar shpesh dhimbjet e personit që përpiqen të ndihmojnë.
Varësi emocionale: Në marrëdhënie dashurie, ata tentojnë të jenë tepër të varur, duke u përpjekur të jenë gjithçka për partnerin e tyre.
Llojet e Kalorësve të Bardhë
Sindroma e kalorësit të bardhë përfshin një spektrum sjelljesh, nga ato më të zakonshmet deri te ato më patologjike:
Kalorësi empatik: Këta njerëz zhvillojnë lidhje emocionale të thella me ata që ndihmojnë, por shpesh përfundojnë duke përjetuar xhelozi dhe dëshirë për kontroll.
Kalorësi idealist: Ky lloj kërkon të “krijojë” një individ të përsosur, duke u ndjerë krenar për sukseset e veta.
Kalorësi i frikësuar: Ky tip ka përjetuar trauma të rënda dhe shpesh nuk di si të ndihmojë apo të krijojë lidhje të shëndetshme.
Kalorësi i ekuilibruar: Këta njerëz ndihmojnë me respekt dhe kujdes, por përsëri përjetojnë një nevojë të brendshme të pakontrolluar për të shpëtuar të tjerët.
Shpëtimi i vetvetes, zgjidhja për Kalorësin e Bardhë
Ndërhyrja më e madhe dhe më e guximshme për një kalorës të bardhë është të shpëtojë veten. Kjo përfshin:
Ballafaqimin me plagët emocionale dhe përvojat e dhimbshme të së kaluarës.
Kërkimin e ndihmës nga një profesionist i shëndetit mendor për të ndihmuar në trajtimin e traumave.
Ndërtimin e kufijve të shëndetshëm emocionalë për të shmangur ndjesinë e mbingarkesës dhe humbjes së identitetit.
Ndihma për të tjerët është një akt fisnik, por nuk duhet të ndodhë kurrë me koston e mirëqenies personale. Duke zgjedhur të përqendrohet te vetja, kalorësi i bardhë mund të krijojë marrëdhënie më të shëndetshme dhe më të lumtura, si për veten, ashtu edhe për ata që ndihmon.
Në fund të fundit, çdo kalorës duhet të kuptojë se armiku më i madh që duhet të përballojë ndodhet brenda vetes. / bota.al