Marshimi i pandalshëm i Donald Trump në zgjedhjet për kandidatët presidencialë në SHBA ka qenë tema sunduese e mediave dhe debatit publik që në verën e shkuar. Sigurisht tërheq vëmendjen se si një bos i botës së imobilieve ia del të ngjitet në majën e kandidatëve republikanë duke përhapur panik, duke u mburrur dhe me parulla kundër të huajve.
Por ngjitja e Trumpit ka lënë padrejtësisht në hije një fenomen tjetër, që nuk është më pak spektakolar, por që mund të ketë pasoja në ardhmen – suksesin e Bernie Sanders, rivalin e kandidates demokrate, Hillary Clinton. Sa për krahasim: Trump miliarder, yll i njohur i televizionit manovron deri në krye të listës së konkurrentëve të dobët republikanë. Kësaj ai ia doli duke sharë rivalët. Madje duke pohuar se ai është një person që vjen nga jashtë politikës, që nuk është se ia ka shumë idenë, e aq më pak të ketë njohuri për proceset politike. Fushata zgjedhore më shumë e financuar prej fondeve të tij është e mundur vetëm sepse Trump ka aq para, sa të financojë veten.
Përkundër Trump-qëndron Bernie Sanders: Një kandidat i panjohur afër të 70-ve, që e quan veten socialist, vjen nga shteti federal i Vermontit dhe e ka financuar fushatën e tij vetëm përmes kontributeve të vogla. Ky kandidat jo vetëm ia ka dalë të zemërojë pak kandidaten demokrate për presidente, Hillary Clinton – që për të gjithë dukej si e vulosur që në fillim si kandidate. Më shumë se kaq ai fitoi në një dyzinë shtetesh përmes një fushate zgjedhore të orientuar nga tema të caktuara. Daljet publike të Sanders tërheqin shumë amerikanë, por me shumicë aty sheh të rinj, që janë të interesuar të dëgjojnë zotërinë e moshuar. Sipas sondazheve, të ashtuquajturit “millenials”- të lindurit nga viti 1980 e lart, ata që kanë lindur para ndërrimit të mijëvjeçaërve preferojnë më shumë Sanders se Clinton. Por mbështetjen më të madhe, Sanders e gjen tek vajzat e reja.
Financim model i fushatës zgjedhore
Por më e rëndësishme është pyetja se si ia ka arritur Sanders – një i panjohur të ketë një sukses të tillë: Fushatën zgjedhore kandidati demokrat e ka financuar pa donacionet e kontestuara të të mëdhenjve, të dominuara shpesh nga grupet e grumbullimit të fondeve. Ky model është i zakonshëm për kandidatët e tjerë. Financimi i fushatës së Sanders bazohet në kontributet e vogla. Madje me sukses: Në mars Sanders grumbulloi për herë të tretë më shumë donacione se Clinton, shumica të ardhura nga kontribute të vogla. 27 dollarë është mesatarisht kontributi për fushatën e Sanders, e pagesa bëhet vetëm online.
Ky fenomen ka rëndësi përtej luftës së deritanishme të demokratit Sanders që kërkon të zgjidhet kandidat për president. Sanders, megjithë suksesin duket se nuk do të jetë në fund kandidati demokrat. Por suksesi i tij tregon se në një kohë kur fushata dominohet nga miliarderët dhe grupet e grumbullimit të fondeve, është e mundur të jesh konkurrues në fushatë edhe me kontribute të vogla personale. Për të ardhmen e demokracisë, kjo është një shenjë e mirë.
Burimi: Deutsche Welle