Bota

“Siria” nuk fsheh dot krizën e gjithëanshme të Rusisë

Teksa Moska po fiton terren në Siri, ajo është lëkundur në thuajse çdo objektiv tjetër shtetëror

kremlini

Nga Lili Bayer dhe Jacob Shapiro

Mund të duket kundërintiutive të shkruash se Rusia ndodhet sot në krizë. Në fund të fundit, dislokimi i kufizuar ushtarak i Moskës në Siri, duket se po jep përfitime të konsiderueshme.

I mbështetur nga forca ajrore ruse, regjimi i presidentit sirian Bashar Al-Asad ka shtyrë përpara një ofensive të madhe ushtarake. Forcat e rregjimit kanë arritur të përzënë rebelët nga provinca e Latakias. Por në vend të një lufte të dëshpëruar për të mbrojtur territorin bazë të regjimit në rajonin bregdetar alevit, forcat e Asadit janë të gatshme për të organizuar sulme të reja në pikat kyçe të kryengritësve në provincën e Idlibit.

Ndërkohë, regjimi i Asadit ka arritur të godasë si Shtetin Islamik, ashtu edhe pozicionet e kryengritësve në Alepo. Tanimë që regjimi i Asadit ka përfunduar rrethimin e bazës ajrore të Kuveiresit, Rusia ka vendosur qindra pjesëtarë të personelit dhe sistemet e mbrojtjes ajrore. Më e rëndësishmja, forcat e regjimit kanë shënuar fitore të rëndësishme rreth qytetit të Alepos, dhe në 3 shkurt pushtuan qytetet e Nublit dhe Zahras, duke ndërprerë linjat kryesore të furnizimit të rebelëve në Turqi.

Ndërkohë, vëmendja e medias ditët e fundit është përqendruar tek administratën e presidentit Barak Obama, që ka ndërmarrë një fushatë me 2 fronte në Siri:përfundimin e luftës kundër Asadit përmes negociatave, dhe forcimin e luftës kundër ISIS-it. Sekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kerri, homologu i tij rus Sergei Lavrov, si dhe përfaqësues të më shumë se një duzinë vendesh të tjera, u takuan mesjavën e shkuar në Mynih.

Ata bënë me dije se kishin rënë dakord për pushimin e luftimeve si dhe lehtësimin e ndihmës humanitare në Siri, por nuk dhanë garanci  nëse drejtuesit e grupeve rebele do t’i përmbahen armëpushimit. Natyrisht, Shteti Islamik dhe luftëtarët e tjerë radikale në rajon, nuk janë përfshirë në marrëveshjen e armëpushimit.

Por në fakt se nuk ka shumë për t’u ndërmarrë. SHBA-ja nuk ka një interes themelor në rrëzimin e Asadit nga pushteti. Uashingtoni dëshiron të shohë Shtetin Islamik të mundur. Dhe ndërsa Rusia po godet më shumë grupet rebele siriane, është gjithashtu duke luftuar kundër ISIS-it. Ndërsa forcohen pozitat e regjimit të Asadit, ISIS-i ka më pak mundësi për t’u zgjeruar.

Për më tepër, grupet e moderuara rebele siriane, nuk janë krerët e luftëtarëve të regjimit sirian të mbështetur nga Kremlini. Shumë nga sukseset e javëve të fundit të Asadit kanë ndodhur në kurriz të Xhabhat Al-Nusras – degë e Al-Kaidës në Siri dhe grupi më i fortë rebel në Alepo. Nëse Shteti Islamik nuk do të ishte aq aktiv në Siri, Al-Nusra do të shihej si kërcënimi kryesor radikal islamik.

Këto lëvizje duket se tregojnë se Rusia ka shënuar fitore në Siri, në mbështetje të saj të regjimit të Asadit. Dhe rusët kanë pasur në fakt sukses duke demonstruar, edhe pse me një kapacitet të kufizuar, efektivitetin e potencialit të ushtrisë së tyre. Por Siria është tek e fundit në periferi të interesave ruse. Rusia u përfshi në Siri, për shkak se donte për të rifitonte ndikim në skakieren ndërkombëtare në marrëdhëniet e saj me Perëndimin, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara. Çështjet kryesore për Rusinë nuk do të varen nga suksesi i Asadit, por nga situata e pasigurtë e brendshme e Rusisë dhe kufiri i saj perëndimor.

Shqetësimi kryesor i Kremlinit është kriza e vazhdueshme ekonomike në vend, e cila kërcënon të minojë stabilitetin e brendshëm. Çmimet e ulëta të naftës, janë duke e detyruar qeverinë në Moskë të rishikojë sërish buxhetin e saj, dhe vendimmarrësit po përpiqen të gjejnë rrugët për të rritur të ardhurat.

PBB-ja e Rusisë ra me 3.7 përqind vitin e shkuar, dhe vlera e rublës ka shënuar rënie rekord. Por në mënyrë kritike, kriza ka patur një ndikim të prekshëm në jetën e përditshme të qytetarëve rusë. Sipas shifrave zyrtare, të ardhurat e tyre reale ranë me 9.5 përqind në vitin 2015 në krahasim me vitin e kaluar. Për herë të parë në 18 vitet e fundit, rusët shpenzojnë kolektivisht më shumë sesa fitojnë. Kjo ndodh pjesërisht për shkak të të ardhurave në pakësim dhe rritjes së çmimeve. Por një tjetër faktor ka të ngjarë të jetë pasiguria rreth vlerës së rublës si dhe e ardhmja e ekonomisë ruse, qëkur blerjet valutore konsiderohen shpenzime në statistikat zyrtare. Regjimi i Putinit gjendet në një pozitë relativisht të fortë brenda vendit, por Kremlini është shumë i vetëdijshëm se përkeqësimi i kushteve ekonomike e dëmton thelbin e kontratën e tij sociale me popullin rus. Kremlini gëzon një legjitimitet të gjerë, kryesisht për shkak të besimit se ai është duke garantuar stabilitet.

Për më tepër, problemet financiare po e detyrojnë Kremlinin të përqëndrohet tek shpenzimet e brendshme, duke kufizuar sasinë e fondeve në dispozicion për të shpenzuar në përmbushjen e objektivave të politikës së jashtme. Ndërsa Moska është e zënë me përpjekjet për të zbutur ndikimin e krizës ekonomike, ajo duhet të vazhdojë të ndjekë qëllimin kryesor strategjik të vendit:ruajtjen e zonës tampon, ndërmjet bërthamës të rrezikuar të Rusisë dhe Perëndimit. Ukraina është një nga këto zona tampon. Kievi ka problemet e veta ekonomike, dhe qeveria atje është shumë e ndërvarur nga financimi i jashtëm për të paguar faturat. Në të njëjtën kohë, qeveria e Ukrainës është e dobët dhe e ndarë. Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristin Lagard paralajmëroi pak ditë më pare, se e ardhmja e programit të ndihmës prej 40 miliardë dollarësh mund të rrezikohet, në rast se nuk zbatohen reformat.

Nga njëra anë, Rusia përfiton nga një Ukrainë e dobët dhe e rrënuar nga vështirësitë financiare. Ukraina ka më pak të ngjarë të ndjekë me sukses integrimin perëndimor, nëse mbizotëron korrupsioni, qeverisja dhe performanca e dobët ekonomike. Nga ana tjetër, Kremlini e kupton se ndryshimi në vitin 2014 i regjimit në Kiev, nënkuptonte një ndryshim në shoqërinë dhe politikën ukrainase, si dhe në marrëdhëniet e Ukrainës me Shtetet e Bashkuara.

Pavarësisht nga grindjet mes tyre, shumica e fraksioneve politike në Ukrainë janë pro-perëndimore, dhe aneksimi i Krimesë si dhe lufta në Ukrainën Lindore e kthyen valën e opinionit publik kundër Moskës. Ç’është më e rëndësishmja, SHBA-ja dhe fuqitë kryesore evropiane si Gjermania, janë të angazhuara ndaj regjimit pro-perëndimor në Kiev.

Moska nuk e ka aftësinë ushtarake apo financiare për të pushtuar Ukrainën, dhe nuk mund të përballojë një konfrontim të drejtpërdrejtë me Perëndimin. Pra, opsionet e Rusisë në Ukrainë, janë shumë të kufizuara. Më e mira që Kremlini mund të shpresojë të arrijë, është një Ukrainë formalisht pro-perëndimore, por praktikisht neutrale.

Megjithatë, Ukraina, nuk është i vetmi vend në zonën historikisht tampon, për të cilën Moska është e shqetësuar. Pas aneksimit të Krimesë, si SHBA ashtu edhe NATO, u angazhuan të rrisin praninë e tyre përgjatë kufirit lindor të aleancës. Në 10 shkurt, ministrat e NATO-s miratuan kornizën e një plani për të shtuar forcat shumëkombëshe në vendet anëtare të lindjes.

Ky vendim erdhi pasi administrata Obama njoftoi në 2 shkurt, se SHBA-ja do të 4-fishojë shpenzimet e saj ushtarake në Evropë për vitin 2017. Qeveria amerikane planifikon të vendosë më shumë armë dhe pajisje në Evropës Qëndrore dhe Lindore, si dhe një brigadë të plotë të blinduar luftarake.

Rusia i humbi shtetet balltike dhe ish-anëtaret e Paktit të Varshavës, si Hungaria dhe Polonia si zona tampon pak vite më parë kur ato iu bashkuan NATO-s. Gjithësesi, vendosja e trupave dhe pajisjeve të SHBA-së dhe NATO-s në sasi gjithnjë e më të mëdha në afërsi të kufijve të Rusisë, shton pasigurinë e Moskës, dhe nxjerr në pah faktin se një Rusi gjithnjë e më e dobët nuk është në gjendje për të përmbushur qëllimet e saj themelore strategjike.

“Geopolitical Future” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button