Covid19 AnalizaMAIN

Sistemet tona imunitare mund të përballen me Covid-19, politikanët jo!

Nga Angela Rasmussen

Një sasi e madhe informacioni kontradiktor, ka qarkulluar në lidhje me përgjigjen imunitare që zhvillohet tek pacientët që janë shëruar nga Covid-19. Një studim i fundit në Britani, tregoi një rënie të antitrupave tek më shumë se 350.000 njerëz të prekur, duke bërë që media të dilnin me titujt e mëdhenj se imuniteti zbehet shpejt vetëm disa muaj pas infektimit.

Ditën tjetër, një studim tjetër arriti në përfundimin e kundërt: tek më shumë se 30.000 pacientë në qytetin e Nju Jorkut, shumica tregoi nivele të larta të antitrupave IgG, lloji i antitrupave që zakonisht e neutralizojnë Sars-Cov-2, virusi që shkakton Covid- 19.

Natyrisht këto të dhëna kontradiktore shkaktojnë shumë konfuzion. A është Sars-Cov-2 një virus i super-fuqishëm, që mund ta sabotojë sistemin tonë imunitar, që na mbron në një mënyrë efektive ndaj shumë patogjenëve të tjerë? A mundet apo jo, që njerëzit e shëruar nga Covid-19 të, kenë një imunitet mbrojtës për një kohë të gjatë?

Lajmi i mirë, është se nuk ka gjasa që të infektohemi me Sars-Cov-2 në mënyrë të përsëritur, derisa të na vrasë përfundimisht të gjithë. Shumica e provave si tek pacientët me Covid-19, ashtu edhe testet me kafshët, tregojnë se reagimi imunitar ndaj këtij virusi është mjaft tipik për një infeksion viral akut.

Në fillim, trupi rrit në nivele të larta numrin e antitrupave IgG, por pasi pastrohet infeksioni nga trupi, numri i këtyre antitrupave bie në një nivel bazë, që mund të jetë nën kufirin e zbulimit nga disa teste serologjike. Antitrupat prodhohen nga qelizat B, një lloj i specializuar qelizash imune që njohin një antigjen specifik, ose një shënjestër virale.

Kur një infeksion zhduket nga trupi i njeriut, qelizat B që prodhojnë antitrupa që shndërrohen nga qelizat plazmatike, të cilat janë të specializuara për të pompuar sasi masive antitrupash specifikë ndaj Sars-Cov-2, në qelizat B të kujtesës. Këto qeliza prodhojnë nivele më të ulëta antitrupash IgG.

Por e rëndësishmja:ato vazhdojnë të qëndrojnë në trupin e njeriut për vite me radhë. Nëse ish të sëmurit ri-ekspozohen sërish ndaj Sars-Cov-2, ato shndërrohen shpejt në qeliza plazmatike, dhe fillojnë të prodhojnë prapë nivele të larta antitrupash. Nuk ka asnjë të dhënë se shumica e pacientëve me Covid-19, nuk po zhvillojnë një kujtesë imune.

Shumica e njerëzve që shërohen nga Covid-19, kanë antitrupa të dukshëm neutralizues edhe shumë muaj pas infektimit. Kjo sugjeron se infeksioni Sars-Cov-2, prodhon një përgjigje imunitare që është mbrojtëse, të paktën për disa muaj.

Fatkeqësisht, për të përcaktuar se sa zgjat kjo mbrojtje, nuk kemi zgjidhje tjetër përveçse të presim. Sars-Cov-2 po qarkullon në popullatën njerëzore prej më pak se 1 viti, dhe nuk ka asnjë mënyrë për të studiuar qëndrueshmërinë imune, përveçse të presim dhe shohim.

Për më tepër, antitrupat nuk janë pjesa e vetme e rëndësishme e sistemit imunitar. Qelizat T, janë gjithashtu një përbërës kryesor për përgjigjen imune. Ato vijnë në dy forma:qelizat T ndihmëse, të cilat koordinojnë përgjigjet imune, dhe lehtësojnë kujtesën imunologjike, dhe qelizat T vrasëse, të cilat vrasin qelizat e infektuara.

Studimet e mëparshme, kanë treguar se infeksioni Sars-Cov-2 shkakton përgjigje të fuqishme të qelizave T. Interesant është fakti që disa njerëz që nuk kanë vuajtur kurrë nga Covid-19, kanë qeliza T nga infeksionet e mëparshme të koronavirusit që shkakton të ftohurën e zakonshme, të cilat reagojnë tërthorazi kundër Sars-Cov-2.

Kjo sugjeron se mund të ketë një lloj mbrojtje ekzistuese në popullatë ndaj koronavirusit. Vetëm qelizat T, nuk kanë gjasa që të sigurojnë mbrojtje të plotë imunitare, por ato janë një kontributore kryesore në kujtesën imunitare, dhe ilustrojnë faktin që vetëm nivelet e antitrupave, nuk e tregojnë historinë e plotë të imunitetit mbrojtës.

Reagimet e këtyre qelizave, nënvizojnë më tej se Sars-Cov-2 nuk është një virus anormal, i aftë për t’i shpëtuar çdo lloj reagimi imunitar. Sigurisht, Sars-Cov-2 mund të mposhtë disa përgjigje antivirale, dhe kjo është ndoshta mënyra se si Covid-19 shkakton simptoma të rënda tek disa njerëz.

Por ai nuk është i paprekshëm ndaj mbrojtjen tonë imunitare. Ndërkohë, janë politikat tona të papërshtatshme dhe mungesa e strategjisë së shëndetit publik të bazuar në prova, ato që na kanë çuar atje ku jemi sot në SHBA, Britani, dhe shumicën e vendeve evropiane. Sistemet tona imunitare, janë kryesisht duke iu përgjigjur këtij virusi, ashtu siç e prisnim. Është udhëheqja jonë, reagimi i të cilës kryesisht ka dështuar.

Shënim: Angela Rasmussen, virologe dhe bashkëpunëtore e Qendrës Xhorxhtaun për Shkencën dhe Sigurinë Shëndetësore Globale. / “The Guardian” – Bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close