Sport

Skot, shurdhi dhe qorri i Beogradit!

Screen Shot 2015-09-25 at 09.56.07

Eshtë e habitshme, por e vërtetë! UEFA ka dërguar sot në Tiranë, britanikun Keni Skot, drejtorin ekzekutiv të kompanisë Sports Safety Solutions, që shërben edhe në rolin e Oficerit të Sigurisë për institucionin e futbollit europian, për t’u njohur dhe parë nga afër me masat organizative që ka marrë FSHF-ja, për ndeshjen e 8 tetorit Shqipëri-Serbi, që do të zhvillohet në “Elbasan Arena”.

Pra, Keni Skot, do të jetë “syri” dhe “veshi” i UEFA-s, njeriu i besuar i Mishel Platinisë edhe për ndeshjen e Elbasanit. Kjo dëshmon për rëndësinë që i kushton UEFA mbarëvajtjes së kësaj ndeshjeje tepër të rëndësishme dhe delikate, sidomos pas ngjarjeve të dhunshme dhe raciste, që ndodhën tetorin e vitit të kaluar në Beograd.

Deri këtu, në pamje të parë, çdo gjë duket është mirë dhe bukur. Po kush është britaniku Keni Skot? Kuqezinjtë tanë, veçanërisht kapiteni Cana, trajneri De Biazi, por edhe zyrtarët e tjerë të Kombëtares sonë, e njohin mire atë, që nga ngjarjet e asaj nate të dhunshme në Beograd.

Keni Skot, ishte zyrtari i lartë i UEFA-s, me detyrën e Oficerit të Sigurisë në atë ndeshje të 14 tetorit, i cili as nuk i dëgjoi thirrjet raciste antishqiptare dhe as nuk e pa dhunën që u ushtrua mbi futbollistët tanë kuqezinj.

Britaniku në fjalë këmbëngulte që ndeshja të vazhdonte dhe lojtarët tanë të dhunuar, të dilnin sërish në fushën e stadiumit të Beogradit për të vazhduar një lojë, që më nuk quhej futboll. Dëshmitë e tij janë të zbardhura nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, e cila me vendimin e saj vuri në vend të drejtësinë, por njëherësh i dha një “shuplakë” të paprecedentë organeve disiplinore të futbollit europian, por edhe britanikut Keni Skoti, i cili tani kërkon të bëjë “syrin” dhe “veshin” e UEFA-s edhe në “Elbasan Arena” në ndeshjen 8 tetorit, Shqipëri-Serbi. Të paktën për etikë, britaniku Keni Skot nuk duhej të pranonte të vinte në Shqipëri, se për moral dhe ndershmëri, ato për të janë parë e mësuar qysh në Beograd./Sportal

Leave a Reply

Back to top button