Bota

Snowden dëshiron të kthehet në SHBA

Screen Shot 2015-03-04 at 08.56.20Avokati rus i Edward Snowden ka bërë të ditur se spiuni i shumë kërkuar është i gatshëm të rikthehet në Shtetet e Bashkuara.

Ish-kontraktori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare ka njoftuar përmes avokatit të tij se mund të lërë vendin që i ka ofruar azil politik në vitin 2013, Rusinë, dhe të rikthehet në SHBA, nëse i premtohet se do të gjykohet drejtësisht atje.

“Është duke e menduar kthimin. Ai e dëshiron një gjë të tillë dhe ne po bëjmë gjithçka të mundshme, që kjo gjë të ndodhë”, tha Anatoly Kucherena, siç bën të ditur agjencia e lajmeve AFP këtë të martë.

Snowden ka gjetur strehim në Rusi që kur nxori mijëra dokumente të klasifikuara ndaj medieve të ndryshme, të cilat ai i kishte siguruar përgjatë kohës kur punonte për firmën e konsultimeve “Booz Allen Hamilton”. Kucherena bëri të ditur se Snowden ka marrë deri më tani garancinë nga Prokurori i Përgjithshëm, Eric Hoder, se ai nuk do të përballet me dënimin me vdekje, ndërsa shtoi se Snowden kërkon gjithashtu edhe një tjetër garanci, atë të “gjykimit ligjor dhe të paanshëm”.

Një gjyq i tillë, siç ka thënë këshilltari ligjor i Snowden, do të nënkuptonte që ai të mos përballej me akuzat e parashikuara në Aktin për Spiunazhin, një ligj i periudhës së Luftës së Parë Botërore, që u përdor gjithashtu për të akuzuar vjedhësin e dokumenteve të Pentagonit, Daniel Ellsberg.

Avokati i Snowden thotë se atij i lejohet tashmë të dalë jashtë Rusisë, bazuar mbi lejen rezidenciale 3-vjeçare të lëshuar nga rusët, por beson se Snowden do të dërgohet menjëherë në një ambasadë amerikane, sapo ai të largohet nga vendi. “Jemi duke punuar dhe diskutuar me një grup avokatësh nga shumë vende të tjera, në lidhje me çështjen e rikthimit të tij në Amerikë”, tha Kucherena.

Leave a Reply

Back to top button