Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, ka akuzuar presidentin e FSHF-së, Armand Duka, se ka dhënë urdhër për të sulmuar Partizanin. Në “Gol pas Goli”, trajneri i Partizanit tregoi se kjo urrejtje kishte ardhur pas letrës së famshëm që u ishte nisur Federatave të ndryshme ku kërkohej që të mos votohej Duka në Komitetin Ekzekutiv.
“Në nxemje e sipër, pas letrës që u dërgua në UEFA, Armandos i iku truri dhe ia vuri Braçes, Erion Braçe thotë që nuk e kamë unë se do ishte me emër e mbiemër. Dhe u dha një urdhër si asnjëherë tjetër që të sulmohej Partizani, që e kemi vuajtur në kurriz të gjithë”, tha Starova.
Për situatën pas barazimit me Flamurtarin
“Unë së pari duhet të bëj komplimente për lojtarët e mi se sot treguan duke dominuar Flamurtarin, se nuk e ka parë ndonjë specialist këtë që bëmë sot në Vlorë. Demonstruam që jemi skuadra më e mirë e kampionatit, i falënderoj çunat për këtë shpirt gare e të gjitha.
Së dyti, ky ishte akti i fundit i dramës që pësuam së pari me fillimin e kampionatit disi nën rrogoz nga vendime arbitrare kundra nesh dhe më pas nga organizatori i garës i cili doli hapur kundër nesh. Edhe sot ishte rasti i penalltisë që nuk e dha. Kuptohet kemi bërë një kampionat fantastik.
Gjej momentin që të falënderoj edhe një herë çunat se kemi bërë një kampionat fantastik, krijuam simpatinë e të gjithëve dhe përshtypjen e të tjerëve që jemi skuadra më e mirë e kampionatit. Por faktori i jashtëm e përsëris, na dëmtoi shumë, si asnjëherë tjetër, sa kam unë si trajner”.
Nëse kjo është një nga ndeshjet e fundit te Partizani
“Më vjen keq për këtë pyetje. Mua më takon të flas sot me këtë superndeshje që bëmë, me karakterin që treguam. Nuk arritëm të fitonim ndeshjen prej faktorit të jashtëm. Falënderoj skuadrën.
Unë do të jem gjithë kohës te Partizani, nuk ka rëndësi se çfarë do të jem, pavarësisht nga provokimet që gjej rastin të kujtoj. Ishte një thënie para Kukësit nga gazetarë që thënë se Starova ka pasur gjithmonë ambicie për president.
Unë gjithmonë aty kam qenë dhe gjithmonë kam kërkuar që në krye presidenti të jetë një figurë e pastër, një figurë qoftë edhe biznesmen që të ndihmojë skuadrën. E kam thënë, i kam duruar edhe këto presione e gjëra. Kaq është, por nuk është Starova problemi. Problemi është kjo që ne kemi bërë një kampionat fantastik dhe ndjehemi të vjedhur”.
Për gabimin në javën e mëparshme me Laçin
“Të barazosh me Laçin në shtëpi në një kampionat me katër faza, ka ndodh rrallë që të gabosh një herë. Kemi bërë një kampionat fantastik dhe rrallë kemi bërë nga këto gjëra. Të gjithë e kuptojnë që gjendja shpirtërore e ekipit pas asaj ndeshje fantastike me Kukësin, jep të vetat siç e dha dhe në asnjë mënyrë nuk mund të ulë prestigjin tonë ndeshja me Laçin.
Po them këtë gjë, që skuadra e filloi këtë kampionat me rezultate fantastike në Europë dhe në momentin kur skuadra nga java në javë, nga muaji në muaj, nga viti në vit, po rritet dhe po tregon se kush është Partizani i vërtetë, u kthye legjenda.
Kemi fituar me të gjitha skuadrat e kampionatit, me të gjitha pa përjashtim. Kemi marrë më shumë pikë nga të gjithë kundërshtarët dhe jemi në vend të parë për padrejtësi. Nuk ka mundësi të mbarojë një kampionat me një skuadër që lufton deri në javën e fundit për të dalë kampion dhe të jetë e fundit në klasifikim për padrejtësi”.
Për faktin që nuk ka fituar asnjë ndeshje ndaj Kukësit
“Fituam në Elbasan, aty filloi nën rrogoz, penalltia e anuluar, lojë fantastike e të gjitha. E kuptoni që pak skuadra e bëjnë këtë që bën Partizani, të luajë me një portë”.
Nëse kishin ende besim te titulli para ndeshjes
“Ne besonim shumë, pashë edhe një shfaqje tjetër në drekë, të faktorit të jashtëm gjyqtar, e kam parë gjithë vitin. Po e përsërit edhe një herë. Vetëm 6 pikët e fituara me Tiranën, trepikëshi i Skënderbeut në Shkodër, pa shtuar asnjë gjë tjetër, ne na bën që të jemi krenarë.
Mungon vetëm Kupa, nuk morëm Kupën, na vjen keq për atë publik fantastik por që duhet ruajtur durimi sepse Partizani do të arrijë edhe deri te trofetë”.
Për situatën me gjyqtarët
“Besoj se nga ato që thashë nuk heq asnjë presje. Unë e bëj analizën si të keni qejf. Sepse Partizanit kampionatin filluan t’ia heqin që në Shkodër. Një gjyqtar që nuk jep dy penallti të evidentuara, apo që nuk dha faull brenda zonës dhe që merr një premio, javën tjetër shkon dhe arbitron një ndeshje elitë.
Në një kohë kur gjyqtari Jemini pasi gjykoi dobët në derbi, gjykoi dobët në Elbasan me Kukësin që u anulua penalltia, jep një penallti me Luftëtarin që e kemi pranuar të gjithë se ishte dhe u zhduk nga faqja e dheut. Unë nuk bëj hipokritin, unë çfarë them i them të gjitha siç është.
Kanë qenë si asnjëherë tjetër, edhe me urdhër. Sepse urdhri, në nxemje e sipër, pas letrës që u dërgua në UEFA, Armandos i iku truri dhe ia vuri fajin Braçes, Erion Braçes. Erion Braçe tha që unë s’e kam bërë këtë letër se unë gjithmonë kam folur me emër dhe mbiemër. Dhe u dha ai urdhër si asnjëherë tjetër që të sulmohej Partizani. E kemi vuajtur në kurriz të gjithë.
Të gjithë këto gjëra që them unë edhe të kërkohet llogari? Prandaj e them që jam super i kënaqur nga skuadra, ishte fati ynë kjo dhe kaq”.