Ndërsa kryebashkiaku i ri i Stambollit Ekrem Imamoglu ulej në zyrën e tij në Bashkinë e Madhe të Stambolit për herë të dytë në pak më pak se 3 muaj, qarkullonte zëri se pushtetet e tij, tashmë të kufizuara, dhe ato të kryebashkiakëve të tjerë të opozitës do të kufizohen edhe më shumë. Duhet të janë tashmë gati ligje të tjera që i zhveshin akoma më shumë nga pushtetet kryebashkiakët e qyteteve të mëdha të përfunduara thuajse të gjithë në dorën e opozitës. Kështu, Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan mund të rimarrë kontrollin e humbur të qyteteve duke qenë se nuk arriti ta pengojë me përsëritjen e zgjedhjeve në Stamboll humbjen e qytetit më të madh të Turqisë, qendër nevralgjike e vendit nëpërmjet të cilit, në harkun e 25 viteve nën administrimin e partive të islamit politik, ka hedhur atë lumë të madh të parasë publike, që me dhënien e tenderave për veprat e mëdha publike ka ushqyer partinë – shtet të tij, Partinë për Drejtësi e Zhvillim, AKP-në. Erdogan mendon të përqëndrojë në duart e tij edhe pushtetet e administrative lokale që humbur në zgjedhje. Edhe përpara se Imamoglu të rifitonte më 23 qershor postin e kryebashkiakut të Stambollit pas përzënies së tij – e ndodhur më 6 maj – si pasojë e presioneve të ushtruara ndaj Këshillit Suprem Eelektoral (YSK) nga Presidenti, ka dalë se pushtetet e kryebashkiakëve në të gjithë vendin tashmë po kufizohen, për shkak të dekreteve presidenciale të miratuara midis votës së Stambollit më 23 mars, më pas e anulluar, dhe asaj të 23 qershorit. Dekrete të tilla janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të penguar punën e kryebashkiakëve të opozitës, që tani drejtojnë njësi më parë të administruara nga AKP-ja.
E përditshmja hisotrike opozitare “Cumhuriyet” raporton se me një qarkore të Ministrisë së Tregtisë, të botuar në muajin maj, qeveria ua ka hequr kryebashkiakëve autoritetin e emërimit të drejtuesve të bizneseve bashkiake, duke ia transferuar këshillave të distrikteve që kontrollohen akoma nga AKP-ja. Bëhet fjalë për kompani me një faturim vjetor prej rreth 24 miliard lirash turke (3.7 miliard euro), si ato të gjigandit të hortikulturës “Agaç ve Peyzaj” dhe i furnizuesit me gaz “Igdas”. Por kryebashkiaku Imamoglu nuk duket aspak i trazuar nga pengesat e mundshme që Erdogani dhe partia e tij vazhdojnë që të paraqesin dhe njofton se do të rivazhdojë me ekipin e tij punën e vështirë që synon të nxjerrë në dritë shpërdorimet e parasë publike që ka ndodhur sidomos në 5 vitet e administratës AKP në Stamboll. Në konferencën për shtyp të mbajtur pak ditë pas fitores së jashtëzakonshme elektorale, e kemi pyetur se cili është projekti i tij. “Kemi marrë mandatin për ta transformuar Stambollin, për ta bërë që të jetë një qytet i të gjithëve dhe për të gjithë”, ka qenë përgjigja e tij. “Si gjë të parë, administrata jonë duhet të jetë transparente, e barabartë dhe, për pasojë, e drejtës, pasi duhet të jetë afër me të gjithë, me të gjitha diversitetet sociale, etnike dhe fetare. Kanë filluar ditët ku duke filluar nga Stambolli do t’i lëshojmë mesazhe pozitive të gjithë Turqisë”. Dhe akoma: “Është një fillim i ri: në këtë qytet do të ketë një administratë e cila do të ketë si vija drejtuese respektimin e së Drejtës (Hukuk) e të Drejtësisë (Adalet)”. Këto qenë fjalët kryesore e historikut Marshim për Drejtësi nga Ankaraja në Stamboll.
Imamoglu, 49 vjeçar, ka lindur në Akçaabat, në rajonin e Detit të Zi, nga një familje konservatore e fetare, ka një bekgraund si ataturkist, mysliman respektues dhe ka dalë si lider politik më 2010 në Partinë Republikane të Popullit (CHP), më e vjetra e Turqisë, e themeluar nga Atatürk në vitin 1923. U bë virale një video ku paraqitej gjatë fushatës elektorale teksa recitonte një hadith të Kuranit në arabisht në një xhami pas sulmit terrorist të Christchurch në Zelandën e Re. CHP-ja ka qenë e damkosur për një kohë të gjatë nga denigruesit e saj si parti elitare, e lodhur dhe e mërzitshme, armiqësore ndaj myslimanëve respektues dhe ndaj pakicave etnike. Në fillimvitet ’90 dhe në vitet e para të 2000, partia është drejtuar nga kemalisti Deniz Baykal. Anëtarët e saj përdornin shpesh një retorikë polarizuese që ushqente armiqësi kulturore midis nacionalistëve laikë, konservatorëve fetare dhe kurdëve. Sipas Imamoglu, për CHP-në pengesa kryesore në fitoren elektorale përbëhej nga mënyra me të cilën liderët e saj politikë ndërvepronin me elektoratin. Kjo parti evokon akoma në një pjesë të madhe të popullsisë turke, fetare, pushtetin që historikisht kanë pasur ushtarakët, xhandarmëria, që i pengonin studentët të studionin Kuranin, që transformonin xhamitë në magazine dhe varnin njerëzit që nuk vendosnin fes në kokë. Strategjia e re komunikuese e Ekrem Imamoglu është kështu fruti i ndryshimeve të nisura qysh kur Kemal Kilicdaroglu, më 2010, u bë President i CHP-së. Qe qysh nga ajo datë e prapa që në Partinë Republikane filloi të bëjë rrugë një gjeneratë e re politikanësh që adoptuan një strategji komunikuese që i riu i atëhershëm Imamoglu, Kryetar i CHP-së për distriktin Beylikdüzü të Stambollit, nisi ta studiojë dhe ta praktikojë. Duke krijuar rreth vetes një ekip shumë koheziv politikanësh dhe administratorësh. Gjithçka qe e mundur falë hapjeve të Kilicdaroglu që synonte ta tragetonte Partinë Republikane nga pozicioni i saj historik ideologjik e anakronik i ideologjisë kemaliste në atë socialdemokrat.
Gjuha e Imamoglu nuk është shumë ndryshe se ajo e përdorur nga Kilicdaroglu në Marshimin për Drejtësi Ankara – Stamboll historik, i nisur më 16 qershor 2017. “Marshojmë sepse jemi të etur për drejtësi. Çdo segment i shoqërisë është i etur”. E më pas shtonte: “Na shajnë, na provkojnë, na gjuajnë me gurë, na hedhin plehra në kokë, vendosin plumba përgjat rrugës tonë në shenjë kërcënim, por gjithçka që na hedhin për ne janë trëndafila. Sulmeve të tyre u përgjigjemi me një buzëqeshje, me një gjest dashurie, me tolerancë sepse mbrojmë edhe për jut ë drejtën e secilit për ta shprehur opinionin e tij dhe luftojmë që të ketë drejtësi edhe për ju”. Një mesazh ky shumë i fortë në një vend si Turqia, e mbushur me plagë të thella në indin e saj njerëzor e shoqëror. E ashtuquajtura filozofi e “dashurisë radikale” që është në themelin e strategjisë komunikuese të Imamoglu synon që të kundërshtojë “kibir”-in, fjalë turke që do të thotë arrogancë, kotësi. Tani është AKP-ja ajo që ngjan me CHP-në e kohëve të vjetra. Partia e Erdoganit duket e kalcifikuar, ideologjike dhe jashtë botës reale. AKP-ja ka krijuar elitën e saj, të ngjashme me elitën shekullare të së kaluarës, që gjeneroi një mëri të madhe. Në të kaluarën, CHP-ja përdorte një gjuhë shumë antipopullore që tregonte përbuzje për masat konservatore dhe fetare, për stilin e tyre të jetesës. Me këtë gjeneratë të re politikanësh partia duket se ka hequr dorë nga pretendimet e saj “civilizuese ndaj masave në Anadoll”. Për pasojë, shumë konservatorë fetarë nuk e konsiderojnë më CHP-në si një kërcënim siç ndodhte në të kaluarën.
Ekrem Imamoglu e ka ndërtiuar karrierën e tij pikërisht në ato vite, më 2010, kur Kilicdaroglu humbi kontrollin e partisë. Ka programuar të gjitha sukseset e tij, nëpërmjet një punë të mirëplanifikuar që i ka mundësuar ta mundë për tri herë AKP-në e Erdoganit. Herën e parë, kur u bë kryebashkiak i distriktit Beylikdüzü të Stambollit, të dytën më 31 mars të këtij viti dhe të tretën në përsëritjen e votimeve të 23 qershorit. Çdo herë që merrte një post të ri, zeronte gjithçka, nga kuadrot e partisë tek projektet e vjetra të konsideruara si joefikase, duke synuar mbi ristrukturimin dhe riorganizimin, që janë edhe 3 lejtmotivet e tij. Ekrem Imamoglu nuk është i inkuadrueshëm në asnjë prej skemave politika ekzistuese deri më sot në Turqi. Thekson se cilësia, impenjimi dhe puna e rëndë mund të arrihen edhe me njerëz me ide të ndryshme. Ka përfshirë gjithmonë femrat në ekipin e tij, që prej rreth 50% përbëhet prej tyre. I bën një përdorim masiv rrjeteve sociale me biesa të drejtpërdrejta thuajse të përditshme. Por në bazën e strategjisë së tij të komunikimit është “të qënit i sjellshëm”, duke hyrë në kontakt me të gjithë, me nivelet më të varfëra të popullsisë, duke folur nëpër bare dhe me një derë më derë të fuqishme, deri tek pjesëmarrja si në martesa, ashtu edhe në funeralet e qytetarëve të distriktit që administronte. Ka hapur shtëpi të shumta solidariteti dhe asistence për të varfërit. Imamoglu i ka shumë të qarta objektivat dhe projektet e tij, e di mirë se çfarë do.
Dhe dëshiron t’i ndjekë me forcë e vendosmëri, por me metodat e tij të sjellshme e përfshirëse, strategjinë e re komunikuese, të quajtur “gjuha e dashurisë radikale”, e konceptuar nga i riu Ates Ilyas Bassoy, përgjegjës i fushatës elektorale të CHP-së. kjo qasje e re e Partisë Republikane të Popullit synon që të tejkalojë fushatat agresive dhe përçarëse të zbatuara deri më tani. “Nisemi nga demokratizimi i Stambollit për të demokratizuar të gjithë Turqinë, mund të bëjmë sepse kemi dashurinë në zemër, dashuri për të gjithë, pa përjashtime dhe jemi shpresa për këtë vend”, ka përsëritur Imamoglu gjatë gjithë fushatës së tij shumë të gjatë elektorale, të bërë derë më derë. “Mos humbisni shpresën”, përsëriste, nesër “do të jetë gjithçka shumë e bukur” (Her sey çok güzel olacak), ishte ky slogani që ka shoqëruar fushatën e tij të fundit elektorale. Një slogan i tillë u lëshua të nesërmen e natës së 6 majit, kur Këshilli Suprem Elektoral e anulloi mandatin e tij me një motivacion që dukej krejtësisht politik, por Imamoglu nuk ka rënë në dëshpërim dhe i është paraqitur turmës së distriktit të tij duke i thënë se do ta rregullonte padrejtësinë. Qe 16 vjeçari Berkay Gezgin ai që lëshoi sloganin “Her sey çok güzel olacak”: ndoqi për 3 kilometra autobuzin me të cilin udhëtonte Imamoglu në udhëtimin e tij electoral në një distrikt të Stambollit, duke e detyruar që ta ndalonte. Kryebashkiaku deshi ta përqafonte dhe Berkay shqiptoi ato fjalë shprese.
Padyshim që humbja historike e Stambollit për partinë e Erdoganit është përcaktuar edhe nga reçisioni i rëndë ekonomik që ka goditur vendin, me rritjen e papunësisë, e kostos së jetesës dhe e mallrave të konsumit të përditshëm, me një lirë që është dobësuar ndjeshëm dhe me një ekonomi me një varësi të fortë nga tregjet e huaja. Kjo nuk ka sesi të mos e përshpejtojë tendencën e shkërmoqjes nga brenda të vetë partisë AKP të Erdoganit. Është e njohur se Ali Babacan, ish Ministër i Ekonomisë i qeverive të para të Erdoganit, po planifikon të krijojë një parti të re në shtator, i mbështetur nga ish Presidenti Abdullah Gül. Gjatë këtyre ditëve të fundit qenë përhapur zëra nëpërmjet disa mediave turke, sipas të cilave do të ishin gati të dilnin nga partia e Erdoganit nga 30 deri në 40 parlamentarë për të aderuar në një prej dy partive të reja të qendrës së djathtë që duhet të krijohen, në atë të Ali Babacan apo në atë të Ahmet Davutoglu, ish Kryeministër. Tani që ka humbur qytetin më të mëdha të vendit, për të shmangur që të mos humbasë edhe Turqinë, Erdoganit i duhet që të gjejë një ilaç ndaj problemit kryesor që i kushtoi Stambollin, domethënë çmimeve në qiell, papunësisë dhe humbjes preokupuese të vlerës së lirës turke.
Impakti i këtyre tri faktorëve tejet të dëmshëm është amplifikuar nga fakti që qeveria nuk ka paraqitur një paketë të plotë dhe të besueshme masash kundër rëndimit të krizës ekonomike. Veç kësaj, humbja e Stambollit mund të shënojë fundin e aleancës midis AKP-së së Erdoganit dhe MHP-së së Bahçelit, nga momenti që kjo e fundit kontribuon për të anashkaluar të gjithë votën kurde konservatore. Dhe një gjë e tillë do të shkaktonte një dobësim të mëtejshëm të pushtetit të Erdoganit.
(nga Il Foglio)
Përgatiti: ARMIN TIRANA